Zgjedhjet, të pashmangshme

Aktuale April 02, 2018 - 07:49
Lexo më shumë detaje

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare shihen të pashmangshme pasi koalicioni qeverisës tashmë nuk e ka shumicën në Kuvend, ndërkohë që asnjë parti politike parlamentare nuk ka ambicie për t’iu bashkuar qeverisë “Haradinaj”, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pas situatës së fundit të krijuar, ku Lista Serbe u largua përfundimisht nga Qeveria, funksionimi i koalicionit qeverisës nuk do të jetë aspak i lehtë. Kështu së paku konsiderojnë njohësit e çështjeve politike, të cilët thonë se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.

Megjithatë, përfaqësues të pushtetit shprehen të vendosur se largimi i Listës Serbe nuk do ta vështirësojë punën e koalicionit, ani pse në Parlament koalicioni ka mbetur me vetëm 53 deputetë.

Sipas zyrtarëve të pozitës, në ditët në vijim mund të ketë edhe ndonjë ndryshim në qeverisje, shkruan më tutje "Zëri".

Por pas shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme Falmur Sefajt, i cili vjen nga AKR-ja, ky subjekt ka bërë të ditur se ende nuk ka marrë vendim nëse do të vazhdojë të qëndrojë apo jo në qeverisje.

E përderisa LVV-ja ka thënë se nuk do të bëhet pjesë e agjendës së Listës Serbe qoftë edhe për rrëzimin e Qeverisë, nga LDK-ja kanë thënë se këtë javë do të dalin me qëndrimin e tyre se kur vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

Reçica: S’do të ketë krizë qeveritare

Pavarësisht se Lista Serbe është larguar nga Qeveria, deputeti i PDK-së Elmi Reçica është shprehur i bindur se nuk do të ketë krizë sa i përket funksionimit të koalicionit qeverisës.

“Legjislatura 2010 - 2014 i ka pasur vetëm 57 deputetë dhe gjatë kësaj legjislature janë marrë vendimet më të rëndësishme. Nuk mendoj që mund të ketë krizë qeveritare për shkak të Listës Serbe ose për shkak të ndonjë luhatje të ndonjë partie tjetër”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas Reçicës, nuk janë numrat që e përcaktojnë rënien e Qeverisë, përkundrazi një gjë të tillë e përcakton vetëm vendimmarrja.

“Në mandatin e kaluar kemi qenë 89 deputetë dhe s’kemi mundur ta kalojmë as Demarkacionin. Nuk është çështja te numrat”, ka shtuar ai.

Duke i komentuar paralajmërimet e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Reçica ka thënë se opozita e ka këtë punë që të kërkojë zgjedhje.

Por nëse vendi shkon në zgjedhje, siç është shprehur Reçica, PDK-ja është e gatshme edhe nëse ato mbahen javën që vjen.

Balaj-Halimaj: Në ditët në vijim ndoshta do të ketë ndryshim në qeverisje

Ndërkohë deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimaj ka konsideruar se Qeveria është duke punuar mjaftueshëm dhe se nuk ka arsye të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Zgjedhje duhet kërkuar atëherë kur nuk punon Qeveria, deri më tash e kemi parë që po punon ajo, koalicioni po punon dhe mendoj që janë të parëndësishme zgjedhjet tash. Kurdo që Qeveria nuk është në rrugë të mirë, atëherë edhe ne jemi ata që mund të kërkojmë zgjedhje. Lista Serbe ka dalë prej Qeverisë, por kjo s’do të thotë që atë mund ta pengojë në punën e saj, përkundrazi na shton motivin që të punojmë edhe më shumë”, ka theksuar ajo.

Balaj-Halimaj tutje ka thënë se Qeveria nuk do ta ketë aspak të vështirë që të qeverisë, ani pse tashmë nuk i ka as 60 numra gjithsej, megjithatë ka paralajmëruar se mund të ketë ndryshime në qeverisje.

“Nuk mendoj që është e vështirë, pasi për tema që janë në interesa të vendit edhe opozita reflekton e për ndryshime në qeverisje besoj që në ditët në vazhdim ndoshta do të ketë edhe ndonjë ndryshim”, ka theksuar ajo, duke mos e mohuar as inkuadrimin e ndonjë partie politike në Qeveri.

Makolli: Ende s’kemi vendim definitiv nëse do të vazhdojmë apo jo në qeverisje

Pas zhvillimeve të fundit, ku kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme Falmur Sefajn, i cili vjen nga AKR-ja, sekretari i këtij subjekti Vesel Makolli ka bërë të ditur se ende nuk kanë marrë ndonjë vendim definitiv nëse AKR-ja do të vazhdojë të jetë pjesë e Qeverisë apo jo.

“Ne jemi parti liberale, nuk jemi bllokuese. Ne do ta shikojmë këtë situatë të krijuar dhe do të marrim vendim konfrom situatës, gjithmonë në të mirë të ngritjes së imazhit të shtetit. Nuk mund të them definitivisht, por vendimi ynë do të jetë i bazuar në interesat shtetërore”, ka deklaruar Makolli për “Zërin”.

Ndërkohë vendimin e Haradinajt për ta shkarkuar Sefajn, Makolli ka thënë se AKR-ja e ka marrë si kërkesë, por jo si vendim për ta shkarkuar atë.

“E dini, ne jemi parti që gjithmonë e ka pasur interesin e shtetit përpara. Ne kemi sakrifikuar edhe interesin tonë partiak dhe kemi hyrë për ta formuar Qeverinë. Me marrëveshjen që kemi thuhet që ministrat dhe zëvendësministrat i cakton partia, i emëron dhe i shkarkon. Kërkesën e Haradinajt e kemi marrë si kërkesë dhe jo si shkarkim”, ka vazhduar tutje Makolli.

Ndërkohë i pyetur se a do të jetë nga AKR-ja apo ndonjë tjetër parti personi që do të vijë në krye të MPB-së, Makolli është shprehur optimist se marrëveshja do të zbatohet, që ai të jetë nga ky subjekt.

“Ai dikaster sipas marrëveshjes na takon neve. Është e nënshkruar marrëveshja, ajo ekziston. Kështu që ma merr mendja që fjalët i mbajnë”, ka nënvizuar sekretari i AKR-së.  

Selmanaj: Këtë javë marrim qëndrim për zgjidhjen e krizës

Në anën tjetër deputeti i LDK-së Driton Selmanaj ka njoftuar se gjatë kësaj jave ky subjekt do të dalë me“formulën” për dalje nga kriza.

“Besoj e keni lexuar një komunikatë të LDK-së, e cila ka thënë që së shpejti LDK-ja do të ketë një qëndrim të qartë se çfarë kërkon tash e tutje pas zhvillimeve të reja. Duhet pritur edhe pak, pasi Kryesia e LDK-së besoj që të martën ose të mërkurën do të dalë me qëndrime të qarta se si e sheh zgjidhjen e kësaj krize politike, për shkak se nuk kemi shumicë, kemi qeverisje të pakicës”, ka deklaruar ai.

Gjatë kësaj jave po ashtu LDK-ja, sipas Selmanajt, do të tregojë edhe për kohën se kur vendi duhet shkuar në zgjidhje.

“Gjatë kësaj jave LDK-ja do të marrë qëndrim të qartë se kur e sheh Kosovën në zgjedhje, si e sheh zgjidhjen e krejt kësaj krize politike. Ne po duam të futemi në zgjidhje, se si të dalim nga kjo situatë. Sigurisht elementi kryesor do të jetë zgjedhjet, por kur do të mbahen dhe si LDK-ja gjatë kësaj jave do të dalë me qëndrim”, ka potencuar ai.   

Selimi: Nuk bëhemi pjesë e agjendës së LS-së as për rrëzimin e Qeverisë

Ndërkaq deputeti i lëvizjes “Vetëvendosje” Rexhep Selimi ka thënë se LVV-ja nuk bëhet pjesë e agjendës së Listës Serbe qoftë edhe për rrëzimin e Qeverisë.

“Qeveria nuk duhet të bjerë se e do Lista Serbe, Qeveria duhet të bjerë për shkak se s’po mund të qeverisë”, ka theksuar ai.

Lidhur me këtë çështje Selimi ka thënë se “Vetëvendosja” do të dalë me qëndrim në ditët e ardhshme.

“Për gjithçka do të njoftoheni në ditët në vijim, ne nuk marrim nisma ad-hoc, as veprime ad-hoc, për gjithçka ne do ta luajmë rolin tonë opozitar”, është shprehur deputeti i LVV-së.   

Zgjedhje ose qeveri teknike

Gjersa ka folur rreth zhvillimeve të fundit Rasim Alija, njohës i çështjeve politike nga D4D-ja, ka konsideruar se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme nisur nga rrethanat nëpër të cilat po kalon shteti i Kosovës.

“Me zhvillimet e fundit Kosova ka bërë hapa prapa si asnjëherë më parë. Institucionet kryesore të vendit dhe ato të sigurisë kanë dështuar me ose pa qëllim që ta menaxhojnë situatën. Në rrethana të tilla me një fiasko të tillë të klasës politike të papërgjegjshme zgjedhjet e parakohshme duken të jenë të pashmangshme”, ka deklaruar ai.

Mirëpo Alija nuk ka përjashtuar edhe mundësinë e krijimit të një qeverie teknike, e cila do të mundë t’i përfundonte disa çështje të mbetura në gjysmë, përderisa në vjeshtë të organizoheshin zgjedhjet.

“Një opsion i dytë i një qeverie teknike nga të gjitha subjektet politike, por duke përjashtuar figurat e tashme politike dhe ministrat aktualë, sepse të tillët nuk kanë më as besueshmëri e as integritet. Qeveria teknike do të mundë të procedonte me ligjet e reformës evropiane, ta rehabilitonte lëmshin e krijuar në raport me zhvillimet e fundit dhe ta përgatiste vendin për zgjedhje të reja në vjeshtën e këtij viti”, ka shtuar ai.

Se Qeveria nuk mund të ecë tutje ka vlerësuar edhe profesori i shkencave politike Dashnim Ismajli.

“Mendoj se Qeveria me këtë përbërje tashmë nuk mund të vazhdojë, andaj edhe pos që nuk është e mundur të funksionojë, nuk është e arsyeshme të zgjatet as procesi për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Duke marrë parasysh pozicionimin e Listës Serbe dhe po ashtu distancën dhe joqëndrueshmërinë e AKR-së Qeveria e ka të pamundur të vazhdojë më tutje”, është shprehur ai.

Ismajli tutje ka konsideruar se vendit i nevojitet një qeveri e qëndrueshme, por jo një e atillë e varur nga Lista Serbe.

“Mendoj që për t’i tejkaluar sfidat të cilat e presin vendin Kosovës i duhet një qeveri e qëndrueshme dhe jo në varësi të Listës Serbe. Po ashtu është më se e nevojshme që perspektiva e vendit të ndërtohet duke u arritur edhe konsensusi politik brenda partive shqiptare që në një mandat tjetër të qeverisë të merret vendim për t’i larguar vendet e rezervuara për pakicat”, ka shtuar ai.