'Taksa e Edi Ramës': Kosovarët zgjedhin Maqedoninë, të tjerët bllokohen në Morinë

Aktuale March 31, 2018 - 21:03
Lexo detajet

Me mijëra automjete nga Kosova tentuan të vinin sot në bregdetin shqiptar për fundjavë, por që në kufi ata hasën pengesa me vonesat nga policia shqiptare. Ata që kaluan u bllokuan nga protesta.

Ndërsa një pjesë e madhe ju drejtuan kufirit me Maqedoninë.

Moti i mirë bëri që një numër i lartë qytetarësh nga Kosova t’i drejtohen serish Shqipërisë përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës, ku fluksi i qarkullimit ishte i ndjeshëm paraditen e të shtunës.

LEXO EDHE: Pas protestave të dhunshme, Kalimashi i lirë për qarkullim

Por autoritetet e Shqipërisë në pikën e kalimit ngadalësuan shumë procesin, duke bërë që radha e automjeteve në pjesën kosovare të kufirit të shkonte në disa kilometra.

Nuk ishin të paktë megjithatë edhe qytetarët kosovarë që zgjodhën të ndryshojnë drejtim e të shkojnë drejt Maqedonisë. Radhe te gjata automjetesh u krijuan mëngjesin e se shtunës ne piken kufitare të Hanit të Elezit, siç e tregojnë dhe fotot e publikuara nga disa media në Kosovë, të cilat e përshkruajnë këtë veprim si një lloj ndëshkimi simbolik ndaj Shqipërisë dhe taksës së vendosur në Rrugën e Kombit.

Autoveturat nuk ishin të vetmet që mësynë këtë pike kalimi; Hanit të Elezit iu drejtuan edhe gati 20 autobusë të linjës për Shqipëri. Kosovarët, të cilët e përdorin më së shumti këtë rrugë krahas banorëve të Kukësit dhe zonave përreth, e shohin si diskriminuese tarifën e 5 eurove për çdo kalim tek automjetet e vogla, 11 për autobusët e kamionçinat dhe 22,5 për kamionët e rëndë. /TCH/