200 gylenistë në Kosovë. Erdogan po i kërkon të gjithë

Aktuale March 30, 2018 - 15:47

Fati i njëjtë, si i gjashtë shtetasve turq, që u arrestuan të enjten nga Policia e Kosovës, do t’i përcjellë edhe qindra të tjerë. Janë 200 gylenistë në total, që veprojnë dhe jetojnë në Kosovë dhe që të njëjtit pritet të arrestohen për t’u deportuar më pas te presidenti Erdogan. Turqia e Erdoganit i konsideron terroristë të gjithë ata persona që, sipas tij, janë përkrahës të Fetullah Gulenit. Për Erdogan, Gylen është organizatori i puçit të 2016-s që tentoi rrëzimin e tij nga pushteti.

Lista e arrestimeve të atyre që pretendohet se janë përkrahës të Fetullah-ut me gjasë do të jetë bukur e gjatë.

Fondacioni i Gazetarëve dhe Shkrimtarëve ka bërë të ditur se në Kosovë janë edhe 200 shtetas turq që kërkohen nga autoritetet e Turqisë.

Kjo organizatë joqeveritare, e cila funksionon edhe brenda një këshilli të Kombeve të Bashkuara, ka bërë të ditur se nga burimet e tyre janë 200 turq që jetojnë në Kosovë dhe që kërkohen nga Turqia.

Në komunikatën për media, kjo organizatë joqeveritare ka shprehur shqetësim se aksioni për arrestimin e gjashtë gylenistëve është zhvilluar një muaj pas vizitës së ministrit të Drejtësisë, Bilal Ucar, i cili u ankua për rolin e shkollave të Gulenit në Kosovë.

Kësisoj, Policia e Kosovës në mënyrë misterioze arrestoi dje gjashtë drejtues të shkollës gyleniste, ndërsa ende e paqartë mbetet vendndodhja e tyre.

Të arrestuarit janë Mustafa Erdem, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Cihen Ozkan Hasan H. Gunakan, dhe Osman Karakaya.

Autoritetet kosovare kah fundi i vitit të shkuar i ishin përgjigjur me arrestim një kërkese të Turqisë.

Policia e Kosovës, më 27 tetor 2017, kishte arrestuar në Prizren shtetasin turk Ugur Toksoy, një teolog që Turqia e Erdoganit e konsideron terrorist, vetëm pasi që e ka identifikuar si përkrahës të Fetullah Gulenit.

Krejt këto arrestime të djeshme, Express mësoi prej burimeve të veta brenda institucioneve të larta shtetërore, se u bënë me kërkesë të Presidentit Thaçi.

E, kjo nuk ndodhi krejt rastësisht sepse në vizitën që Thaçi e kishte zhvilluar në dhjetor të vitit 2016, në Turqi, Presidenti turk, Receo Tayyip Erdogan i kishte kërkuar që t'i mbyllte në mënyrë arbitrare shkollat e organizatës së Fetullah Gylenit, që Erdogan i konsideron armiq të tij.

Thaçit, me gjasë, dje i erdhi momenti për të ekzekutuar me devotshmëri kërkesën e mikut të tij, autokratit Erdogan.

Por, familjarët e gylenistëve të arrestuar, besojnë se ata janë ende në Kosovë. Përderisa të kundërtën e tha kryeministri Ramush Haradinaj në fjalimin e tij në Kuvend. Tha se shtetasit turq janë deportuar dje kah pasditja.

E që nga ndodhia e djeshme, Kadri Veseli ishte i pari që reagoi për këtë çështje. Ai pranoi se nuk ishte në dijeni. Njësoj tha edhe kryeministri Haradinaj, e më vonë me të njëjtin qëndrim doli edhe presidenti Hashim Thaçi.

Enigma vazhdon: tre liderët që udhëheqin vendin nuk e dinë se çka ndodh me shtetin e tyre, të paktën nga deklarimet e tyre, ndonëse Express raportoi se skenar i gjithë kësaj është Presidenti./Express