Molliqaj ‘godet’ Thaçin, Haradinajn dhe Veselin

Aktuale March 30, 2018 - 11:04
Lexo detajet

Deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GPD), Dardan Molliqaj ka kritikuar aksionin e djeshëm për deportimin e shtetasve turq duke ngritur kështu dyshime se kush e bëri një gjë të tillë, raporton “Zëri.info”.

Ai me këtë rast tha se udhëheqësit e shtetit, me deklaratat e tyre që nuk kanë qenë të përfshirë në këtë rast ose po na mashtrojnë të gjithëve ose me të vërtet dikush tjetër po urdhëron deportime në Kosovë.

“Për mendimin tonë kjo shpërfaq disa momente edhe problematike por që japin sinjale për shtetin tonë, është hera e dytë gjatë javës që kemi dy aksione të vendit që në vazhdimësi po flitet se kush qëndron prapa tyre”, tha Molliqaj.

Ai ka kritikuar edhe deportimin e shtetasve turq duke thënë se nëse është i sinqertë deklarimi i kryeministrit Haradinaj dhe presidentit Thaçi se nuk kanë ditur asgjë atëherë sipas tij ky është një problem edhe më i thellë.

“Unë jam i bindur se nuk mund të ketë deportim të shtetasve turq pa leje nga institucionet. Nuk ka as polici as AKI që guxon me marrë një vendim të tillë pa i thënë dikush me e bë, dhe nëse nuk është kryeministri,  presidenti apo kryetari i Kuvendit, shtrohet pyetja se kush qëndron prapa kësaj. Ose jeni duke na mashtruar ose nëse jeni të sinqertë problem vetëm sa thellohet, sepse ne kemi dikën që e urdhëron deportimin e shtetasve tjerë që kanë leje në Kosovë, pa e ditur udhëheqësit e shtetit”, theksoi Molliqaj./ZERI