Komisioni për Mbikëqyrjen e AKI-së paralajmëron shkarkimin e drejtorit Driton Gashi!
Komisioni për Parlamentar Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, pritet të shkarkojë nga funksioni i drejtorit të AKI-së Driton Gashin, nëse vërtetohet se ka bërë tejkalim të kompetencave me ndalimin dhe depërtimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” anëtarja e këtij komisioni nga radhët e PDK-së Xhevahire Izmaku. Sipas saj, ky komision pritet që të mblidhet nesër ose në fillim të javës së ardhshme për të trajtuar këtë çështje.
“Besoj që nesër ose të martën do të mblidhemi si komision dhe në momentin që do të sigurojmë diçka zyrtare se ka bërë tejkalim të kompetencave unë jam për të shkarkuar”, u shpreh ajo.
Sipas deputetes Izmaku, drejtori i AKI-së ka qenë çdo herë i rezervuar me informacione ndaj deputetëve, duke dhënë vetëm komente si përgjigje ndaj pyetjeve të tyre, të cilat siç u shpreh kjo deputete nga radhët e PDK-së vetëm kanë shkaktuar konfuzione tek ta.
“Si komision nuk kemi pasur asnjë informacion nga AKI-ja, pasi që e kemi humbur edhe ritmin e mbledhjeve për shkak të dorëheqjes së Donika Kadajt nga funksioni i kryetarës së Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së. Por realisht në mbledhjet e mbajtura kur prezent e kemi pasur drejtorin e AKI-së ai rezervohet ndaj pyetjeve të deputetëve, nuk kemi marrë deklarata të drejtpërdrejta nga ai por komente”, tha Izmaku.
Deputetja e PDK-së Xhevahire Izmaku
Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, ka thënë se ka disa elemente që e bëjnë të paqartë këtë operacion deri te urgjenca e deportimit të shtetasve turk, duke shtuar se “duke mos qenë i informuar nga asnjë institucion vendor për ndalimin dhe deportimin e tyre, do të veproj në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore lidhur me këtë veprim dhe paqartësitë rreth këtij veprimi.”
Në anën tjetër Kryeparlamentari Kadri Veseli, ka kërkuar përgjegjësi ligjore ndaj atyre që janë involvuar në dëbimin e gjashtë shtetasve turq nga Kosova.
“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turq, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë. Ndërmarrja e veprimeve të tilla pa respektim të procedurave përkatëse dhe mungesë transparence lë hapësirë të theksuar për mëdyshje për veprimet arbitrare të autoriteteve në fjalë”, ka shkruar Veseli në Facebook.
E drejtori i organizatës “FOL” Petrit Zogaj, e ka quajtur personale deportimin e tyre nga Kosova, duke adresuar përgjegjësi ndaj presidentit të vendit Hashim Thaçi.
“Politika është edhe personale në do raste, ama Hashim Thaçi personale e ka pasë gjithmonë. Personale ishte deportimi nga Kosova i shtetasëve të Turqisë që ndodhi sot. Siç kanë qenë personale e klanore koncesionimi i airportit dhe privatizimi i distribucionit”, ka thënë Zogaj.
Ai më tej ka shtuar se për këto arsye, “ne, do të duhej me ja pamundësu ushtrimin e funksioneve shtetërore që ka ky politikan ngushtpamës e i dëmshëm”, ka shkruar ai në “Facebook”
Pas arrestimit, të njëjtit janë depërtuar në Turqi me aeroplan privat, të posaçëm të Agjencisë Turke të Inteligjencës.
Kurse Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një njoftimi për media ka kundërshtuar arrestimin e shtetasve turq në Kosovë.
“Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit, Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.