Pantina tregon nëse e përkrahin rrëzimin e Qeverisë Haradinaj

Aktuale March 27, 2018 - 20:14
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Grupi i Deputetëve të Pavarur të Kuvendit të Kosovës, nuk është i interesuar të mbështesë ndonjë mocion eventual nëse ngritët nga LDK-ja, ashtu siç pati paralajmëruar kohë më parë për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”.

Kështu ka bërë të ditur për “Gazeta Blic” deputetja e këtij Grupi Parlamentar Shqipe Pantina. Sipas saj, pas largimit të Listës Serbe Qeveria “Haradinaj” nuk duhet të bie.

“Në këto rrethana unë nuk mendoj që duhet të bie qeveria, megjithatë ne nuk kemi qëndrim përfundimtar, por ne duhet të shohim edhe mocionin se çfarë përmban. Rrëzimi i Qeverisë varët nga partnerët e qeverisë, kjo bëhet vetëm nëse dëshiron njëri nga partnerët”, tha ajo për “Gazeta Blic”.

E pyetur nëse kanë filluar negociatat me partitë në pushtet, rreth mbështetjes së Qeverisë, Pantina mohoj një gjë të tillë duke thënë se deri më sot nuk kanë pranuar asnjë ofertë si Grup Parlamentar për të diskutuar me drejtuesit e Qeverisë së Kosovës, por as nuk kanë pasur ndonjë takim me kreun e shtetit Ramush Haradinaj.

“Jo nuk kemi zhvilluar asnjë takim me kryeministrin Haradinaj si Grup Parlamentar. Ne si deputetë ende jemi duke diskutuar, ani pse kjo është çështje e qeverisë. Deri sot nuk kemi pasur asnjë ofertë si Grup Parlamentar për të diskutuar me qeverinë”, tha ajo.