A do t’i bashkohet LDK Qeverisë Haradinaj? Flet Lutfi Haziri

Aktuale March 27, 2018 - 17:34
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Një arrestim i një zyrtari serb për shkak të hyrjes ilegale në Veri – që ndodhi sipas ligjit – mjaftoi që në Kosovë sot politikanët të thirrën në një realitet të ri.

U hap një faqe e re për ta. Filloi me largimin e Listës Serbe nga Qeveria dhe zotimin e kryeministrit se Qeverinë e vazhdon edhe pa serbë.

Tutje, LDK doli me një komunikatë, ku për herë të parë, pas shumë kohësh nuk e kërkoi rrëzimin e Qeverisë. Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri për Gazetën Express shpjegon se cili është qëndrimi i partisë së tij pas zhvillimeve të fundit.

LDK kërkonte me ngulm që të rrëzonte Qeverinë Haradinaj deri sot, në ditën kur mandati i Haradinajt i duhej edhe një shtytje e vetme për t’u rrëzuar. Por jo, partia e Isa Mustafës nuk po e zë në gojë një gjë të tillë. E, a po përgatitët LDK të bëhet pjesë e qeverisë, siç raportuan mediet sot duke u thirrur në burime?

Haziri thotë se media lexuan shtrembër deklaratën e LDK’së, duke përsëritur se partia e tij nuk lejon që shteti të nëpërkëmbet nga Lista Serbe apo agjenda të caktuara politike.

“Po mendoj se e keni lexuar deklaratën shtrembër. Deklarata jonë i ka tri parime që i ka vendosë si konsistencë politike. E para është se ne e kemi konsistencën tonë që nuk lejojmë me u nëpërkëmbë interesi i Kosovës për shkak të Listës Serbe dhe për shkak të agjendave të caktuara politike”, ka thënë nënkryetari i LDK’së.

Arrestimi i Marko Gjuriq, sipas Hazirit krijon një realitet tjetër në vend. Mirëpo, nënkryetari i LDK’së, i pyetur nëse këto rrethana hapin LDK’në për diskutime rreth përfshirjes së kësaj partie në Qeveri, ka thënë se nuk kanë interes për diçka të tillë.

“Nuk kemi kurrfarë interesi me qenë pjesë e kësaj qeverie POR nuk do të bëhemi pjesë me rrënu gjithçka në këtë vend për shkak të agjendave të tjera politike, që në këtë rast po vinë prej Beogradit”, ka thënë ai.

LDK nuk shprehet më entuziaste në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj pas kriimit të kësaj gjendje të re politike.

“Tërheqja e Listës Serbe, duke dashtë me mbrojtë politikën e Beogradit nuk i jep askujt të drejtë më kalu mbi fatin e Republikës. Ne jemi gardianë politikë të stabilitetit.. Ne do të sillemi karshi këtij besimi qytetar me racionalitet dhe konstruktivitet politik”, ka thënë Haziri.

“Kurrfarë interesi LDK nuk ka duke qenë udhëheqese e opozitës, duke pasur një peshë politike si parti më e madhe në vend, nuk interes me qenë patericë ose pjesë e kësaj qeverie. Ne kemi interes me e rujtë shtetin me rujtë Repulbikën, proceser politike ndërkohë do të zbardhë gradualisht”, ka përfunduar ai.