LDK-ja reagon pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria

Aktuale March 27, 2018 - 15:41
E Fundit

Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media kanë thënë se në Kosovë asnjë Qeveri nuk mund të jetë stabile derisa varen nga Lista Serbe, transmeton “Zëri.info”.

Zyrtarë nga kjo parti kanë deklaruar se kjo Qeveri qysh në fillim ka bërë gabim që ka bërë koalicion me këtë grup parlamentar, si dhe që kjo parti nuk do të lejoj që Lista Serbe të përcaktojë fatin politik të Kosovës.

Ja reagimi i plotë:

Dalja e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës konfirmon vërejtjet që kemi bërë me rastin e themelimit të Qeverisë, kur votimi i saj u vonua deri sa nuk mbërritën nga Beogradi deputetët e Listës Serbe.

Asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët, fatkeqësisht, janë bërë një instrument i Beogradit dhe nuk sillen si përfaqësues të interesave të qytetarëve të Kosovës, nga të cilët janë votuar.

Në këtë gjendje të re të krijuar, LDK-ja garanton qytetarët se veprimet e saj do të jenë të matura dhe, si gjithmonë, në përputhje me interesin nacional të Kosovës.

LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës.

Qëndrimet e lidershipit të LDK-së, edhe në ditët në vijim, do të jenë në dobi të përmirësimit të situatës dhe të kthimit të saj në favor të Kosovës. /ZËRI