Gjuriq përballet me forcën e shtetit

Aktuale March 27, 2018 - 07:51

Shefi i Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, është arrestuar dje nga Policia në veri të Mitrovicës pasi kishte shpërfillur ndalesën e Qeverisë së Kosovës. Pas arrestimit është sjellë në stacionin policor në Prishtinë dhe më pas është deportuar në Serbi. Presidenti Vuçiq ka ftuar mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ndërsa Lista Serbe ka paralajmëruar largimin nga qeveria “Haradinaj”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Mospërfillja e ndalesës së lëshuar nga Qeveria e Kosovës i ka kushtuar me arrestim nga Njësiti Special i Policisë shefit të Zyrës Serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, në veri të Mitrovicës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli kishte paralajmëruar arrestimin e Gjuriqit nëse futet në Kosovë pa leje. Megjithatë, ky i fundit nuk kishte përfillur një paralajmërim të tillë dhe kishte arritur dje në mesditë ilegalisht në veri të Mitrovicës për të marrë pjesë në një tubim për ta diskutuar çështjen e Kosovës dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Në këtë takim kanë ndërhyrë Forcat Speciale të Policisë së Kosovës dhe kanë arrestuar Gjuriqin, i cili menjëherë është sjellë në stacionin policor në Prishtinë.

Gjatë arrestimit është lëshuar alarmi, ndërkohë që Policia ka përdorur gazin lotsjellës me rastin e ndërhyrjes.
Pas pak kohësh të marrjes në pyetje nga prokurori në Prishtinë, Gjuriq është deportuar për në Serbi nëpërmjet pikës kufitare në Merdare.
Lajmin për deportimin e tij e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli. Pacolli ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” se Policia ka vepruar sipas ligjit të Kosovës me rastin e arrestimit të Gjuriqit dhe pas përfundimit të procedurave të nevojshme ai është deportuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
“Atij i është tërhequr vërejtja disa herë që t’i respektojë ligjet e Kosovës siç duhet respektuar ligjet e nikoqirit çdo qytetar kudo që shkon”, ka shkruar mes të tjerash Pacolli.

Rreth 100 serbë tentuan ta pengojnë Policinë

Rreth 100 serbë që ishin mbledhur janë përpjekur ta pengojnë Policinë e Kosovës që të mos hyjnë në sallë, ku ishte i pranishëm shefi i Zyrës Serbe për Kosovën, por Policia ka përdorur gazin lotsjellës për t’i krijuar vetes hapësirë për ta arrestuar Gjuriqin.

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, është shprehur i tmerruar me intervenimin e shpejtë të Policisë së Kosovës për ta arrestuar Gjuriqin dhe ka kërkuar ndihmën e presidentit Vuçiq.

“President, na ndihmo”, ishin fjalët e tij.

Ndërsa Nikolla Selakoviq, sekretar gjeneral i presidentit të Serbisë, tha se “ky është skandal, terrorizim i popullit duarthatë. Shpresoj që Gjuriq është mirë, e morën, pres që të lirohet shpejt, ka ardhur këtu si njeri i lirë”, ka thënë Selakoviq, i cili në pyetjen se a ka ardhur në Kosovë me leje u përgjigj: “kam ardhur në territorin e shtetit tim”.
Selakoviq tha se gjatë arrestimit janë lënduar ministri kosovar Nenad Rikallo, pastaj Zhelko Joviq, Zoran Todiq, kryetar i Leposaviqit, Ivan Millojeviq dhe Nebojsha Milanoviq.

Marko Gjuriq dje rreth orës 16:00 ka mbërritur në veri të Mitrovicës dhe menjëherë është futur në sallën e Qendrës së Kulturës në veri për ta mbajtur takimin e paralajmëruar në kuadër të dialogut të brendshëm serb.

Para Gjykatës në veri të Mitrovicës Gjuriqin e ka pritur kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, me të cilin ka shkuar në sallë. Atje Gjuriq tha se me Selakoviqin (sekretar gjeneral i presidentit serb Aleksandër Vuçiq) ka ardhur në Mitrovicë me porosinë se pa ata (serbët) nuk ka zgjidhje për Kosovën.

“Erdhëm ashtu siç premtuam dhe u morëm vesh para disa ditësh. Erdhëm që t’jua përcjellim mesazhin se Kosova dhe veriu i Kosovës asnjëherë nuk do të jenë pjesë e Kosovës së vetëshpallur apo të Shqipërisë së Madhe”, ka thënë Gjuriq.
Ndërkohë, autoritetet serbe kishin njoftuar se edhe ministrit të Kulturës në Qeverinë e Serbisë, Vlladan Vukosavleviq, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinë.
Por, Policia e Kosovës ka njoftuar se ministri serb i Kulturës ishte kthyer vullnetarisht nga kalimi kufitar Jarinë, edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme ia kishte lejuar atij vizitën. “Vizita e tij ishte planifikuar të realizohej në kalimin kufitar Mërdare, që lidh Kosovën me Serbinë”, ka sqaruar Policia e Kosovës.
Sipas Policisë, “i njëjti pas hyrjes nuk vazhdoi më tej drejt Mitrovicës Veriore, por ai vullnetarisht ishte kthyer në Serbi”.
Ministri serb i Kulturës po planifikonte të martën t’i vizitonte disa manastire nëpër Kosovë.

Thaçi: Policia veproi sipas ligjit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me ligjet dhe me kompetencat e veta në arrestimin e Marko Gjuriqit.

“Marko Gjuriq ka hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme. Policia e Kosovës ka vepruar në përputhje me kompetencat e veta, me profesionalizëm dhe në mbrojtje të rendit dhe të ligjit në Kosovë”, është shprehur Thaçi.

Ai ka thënë se sapo është njoftuar nga organet kompetente dhe Marko Gjuriq ka kaluar nëpër procedurën e rregullt të Prokurorisë dhe Gjyqësisë, si dhe është duke u përcjellë nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ky rast nuk duhet ta cenojë komunikimin që është vënë në mes të Kosovës dhe Serbisë, në dialogun në mes dy vendeve dhe në përpjekjet për normalizim, për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe pajtim në mes të Kosovës dhe Serbisë”, përfundoi presidenti Thaçi.

Veseli: Shteti i Kosovës ka ushtruar sovranitetin

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli pas arrestimit të Gjuriqit ka thënë se shteti i Kosovës ka zbatuar ligjet e veta dhe se ka ushtruar sovranitet të plotë. “Shteti i Kosovës ka zbatuar sot ligjet e veta dhe ka ushtruar sovranitetin e plotë. Republika e Kosovës nuk lejon asnjë provokim dhe Serbia duhet ta kuptojë se ky vend ka zot shtëpie. Ne nuk jemi duke shkuar në Serbi të provokojmë, presim që ata të jenë më të vëmendshëm në respektimin e sovranitetit të kufijve tanë territorialë. Për aq sa ata janë korrektë ne do të jemi korrektë”, ka shkruar Veseli në llogarinë e tij në “Facebook”.

Ai më tej ka thënë se nuk na është dashur dita e sotme, por se zyrtarët serbë duhet ta kuptojnë se në Kosovë mund të futen vetëm me lejen e autoritete shtetërore kosovare.

MPJ: Gjuriq provokoi

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në Mitrovicën e Veriut.

MPJ-ja e ka vlerësuar si provokim hyrjen e Gjuriqit pa leje në Kosovë: “Në kohën kur Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë hyrë në një fazë përfundimtare të dialogut për arritjen e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore/traktat paqeje në mes dy vendeve”.

Sipas MPJ-së, hyrja ilegale e zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë në territorin e Republikës së Kosovës është gjithashtu “tentim eskalimi i situatës në terren për ta forcuar pozicionin në bisedime dhe nxitje e pastër e marrëdhënieve ndëretnike”.

“Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja kanë arritur marrëveshje, e cila specifikon në mënyrë të qartë rregullat dhe procedurat e vizitave të zyrtarëve të lartë nga të dyja shtetet respektive”, thuhet në reagim.

MPJ-ja u ka kërkuar shteteve të QUINT-it, Bashkimin Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar në përgjithësi “që t’i bëjnë thirrje urgjente shtetit serb të distancohet nga politikat dhe veprimet provokuese, që kanë synim përkeqësimin dhe destabilizimin e situatës”.

“Vetëvendosja” ngre dyshime: Aksioni erdhi pas darkës së Thaçit me Vuçiqin

Lëvizja “Vetëvendosje” përmes një komunikate për medie i ka ftuar qytetarët për qetësi, duke thënë se raportimet e drejtpërdrejta nganjëherë janë të dëmshme. Kjo parti ka ngritur dyshime edhe për qëllimin e vendimit politik dhe të aksionit policor.

“A ka qenë serioz vendimi politik dhe urdhri pas këtij aksioni policor apo ka qenë mbulesë e pretekst për diçka tjetër, do të merret vesh saktë vetëm në ditët në vijim”, thuhet në reagimin e “Vetëvendosjes”.

Kjo parti më tej ka thënë se aksioni i arrestimit të Marko Gjuriqit është zhvilluar pa probleme dhe kjo, sipas opozitarëve, tregon se aksione të tilla ka pasur mundësi të bëheshin edhe më përpara.

“Fakti se aksione të tilla nuk ka pasur më përpara, por vetëm tani pas darkës që hëngrën bashkë Thaçi me Vuçiqin në datën 23 mars, tregon se ky aksion ka mundësi të jetë një skenar i lidhur me riaktualizimin e «Zajednicës» e ndoshta edhe paralajmërimet e Vuçiqit për zgjidhjen që do të prezantojë ai në prill të këtij viti”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosjes”.

Më tej partia e Albin Kurtit ka përgëzuar Policinë e Kosovës për profesionalizimin e treguar në këtë aksion.

Kocijançiq: Palët t’u përmbahen marrëveshjeve për vizita zyrtare

Në lidhje me vendimin e autoriteteve të Kosovës janë deklaruar edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së Federica Mogherini, ka thënë se palët tashmë kanë një marrëveshje për vizitat zyrtare, të cilës, siç tha ajo, “duhet t’i përmbahen”.
“Mospajtimet në lidhje me këtë marrëveshje duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe jo përmes çfarëdo përshkallëzimi”, theksoi Kocijançiq.
Ajo tha se të dyja palët mbeten të përkushtuara për dialog dhe se këtë e kanë dëshmuar edhe në takimin e fundit në nivelin e presidentëve, të zhvilluar të premten në Bruksel. Prandaj, nënvizoi ajo, të gjitha çështjet me interes të përbashkët duhet të zgjidhen në kuadër të dialogut në frymën e normalizimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve.