Pacolli i kërkon homologes austriake ta ndihmojë Kosovën drejt liberalizimit

Aktuale March 26, 2018 - 15:20

Ministri Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur sot në vizitë homologen e tij nga Austria Karin Kneissl, me ç’rast ka thënë se nga ajo ka kërkuar që ta ndihmojë Kosovën në dhumë procese, përfshirë këtu edhe liberalizimin e vizave, raporton “Zeri.info”.

“I thash që këtu në Kosovë gjendet në familjen e saj. E falënderova për çdo gjë që Austria ka bërë për ne dhe vazhdon të bëjë. E informova homologen se Kosova ka bërë përparim të dukshëm drejt integrimit evropian. E informova që qeveria është e përkushtuar që ta përmbushë edhe kushtin e mbetur për liberalizimin e vizave. Siç e dini demarkacioni ka kaluar. E informova atë, edhe kushti tjetër pothuajse është i përmbushur dhe unë kërkova nga homologia që ta ndihmojë Kosovën në procesin e mëtutjeshëm që të udhëtojnë edhe ata sikurse të tjerët pa viza”, ka deklaruar Pacolli.

Ai më tej, ka thënë se ka kërkuar ndihmë edhe sa i përket mosnjohjes ndaj Kosovës së 5 vendeve anëtarë të BE-së.

“Kërkova nga ministrja që ta ndihmojë Kosovën tek 5 vendet qe s’e kanë njohur Kosovën. Kërkova që mundësisht Austria të jetë edhe sponsore e Kosovës në aplikimin tonë në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ai. /Zëri