Petroviq: Jam pro dialogut por nuk kam pritje të mëdha

Aktuale March 23, 2018 - 19:09

Kryetari i SLS-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Slobodan Petroviq ka folur lidhur me dialogun e Brukselit, Kosovë – Serbi.

“Para së gjithash nuk pres diçka të madhe, meqenëse ky proces zgjat shumë. Nëse më pyesni a jam pro dialogut, çdo herë do t’i jap përparësi dialogut pavarësisht sa jep rezultate”.

“Jo vetëm unë por besoj se një numër i madh i qytetarëve kanë pritur rezultate kualitative në këtë proces”.

“Pritjet nuk janë aq të mëdha por sidoqoftë është mirë kur bisedohet në nivele më të larta. Çka është me rëndësi, kur është në pyetje procesi në Bruksel, kemi pasë shumë marrëveshje të cilat janë arritur por implementimi i tyre ka qenë shumë sipërfaqësor”.

Sipas Petroviq që ishte i ftuar në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se megjithatë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme.

“Procesi është shumë i rëndësishëm dhe mendoj se është rruga e vetme që në mënyrën më të mirë të zgjidhen, jo të gjitha, por shumica e problemeve që janë grumbulluar me vite”.

Ai ka thënë se marrja e vendimeve në këtë dialog është e vështirë duke treguar se edhe vetë ka qenë pjesë e këtij procesi në Bruksel.

“Kam pasë rastin të shoh si duket dhe e di se është një proces jo i popullarizuar për ata që marrin pjesë por mendoj se është rast i mirë për poena politikë, është vështirë të merren vendime për qytetarët”.

“Jam më pak optimist se që kam qenë më herët sepse gjërat që caktohen aty jo vetëm për këtë gjeneratë por edhe për ato që vijnë. Duhet të kenë përgjegjësi ndaj qytetarëve të tyre”.

“Edhe kryetari Vuçiq edhe Thaçi nuk do ta kenë lehtë”.

Kryetari i SLS-së ka folur edhe për deklaratat e të dyja vendeve lidhur me marrëveshjet dhe këtë proces.

“Ndonjëherë kemi deklarata kundërthënëse, kundërshtari më i madh i kësaj bisede është jo transparenca”.

“Unë si përfaqësues i popullit duhet të di më tepër se qytetari i thjeshtë, qytetari i thjeshtë ndoshta është më mirë i informuar se deputetët”.

“Kuptimi i këtij procesi është në nivel të ulët, ata njerëz nuk janë të vetëdijshëm sa është rëndësishëm ai proces në jetën e përditshme”.

“12 vjet punoj me partinë time këtu dhe ky është shembulli më i mirë – kur dëshironi të bëni diçka, mund ta gjeni formën. Besoj dhe shpresoj se këtë proces do ta udhëheqin njerëz të përgjegjshëm”.