Arrestohet pronari i kompanisë nga Rahoveci që importoi mish të prishur nga Belgjika

Aktuale March 23, 2018 - 18:27

Pronari i Kompanisë “Euro Ida” nga Rahoveci, Anton Jupa është arrestuar para pak çastesh nga Policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për lajmi.net zëdhënësi i Prokurorit të Shtetit, Ekrem Lutfiu.

Ai tha se Jupa, është arrestuar afër kompanisë së tij në Rahovec.

“Po, është e vërtetë që është arrestuar. Ai disa ditë nuk ka qenë fare në Kosovë, dhe në momentin kur e është marrë lajmi se ai gjendet në Kosovë, janë dërguar ekipet policore, të cilat kanë arritur që ta kapin afër objektit të kompanisë së tij në Rahovec”, ka thënë Lutfiu.

Ai bëri të ditur se Jupa është duke u intervistuar në këto çaste nga Policia e Kosovës, dhe më vonë do të merret vendimi lidhur me procedurat e mëtejme.

Anton Jupa, pronar i Kompanisë “Euro Ida”, kompani nga Rahoveci dhe kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.