Vendos Gjykata Themelore: U liruan apo jo deputetët që hodhën gaz lotsjellës në Kuvend

Aktuale March 23, 2018 - 18:15
Lajmi i fundit

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit kundër deputetëve të Vetëvendosjes.

Prokuroria kishte të bënte me të pandehurit Drita Millaku, Xhelal Sfeçla, Salih Zyba Fitore Pacolli dhe Valon Ramadani për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit secili veç e veç kanë kryer veprat penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ndërsa kundër të pandehurit Liburn Aliu për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Kosovës dhe kundër të pandehurës Arbërie Nagavci për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Gjykata ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës nuk ka qenë e nevojshme caktimi i masës së paraburgimit duke qenë se përveç kushtit të përgjithshëm se ekziston dyshimi i bazuar se tani të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat është kërkuar caktimi i masës se paraburgimit, nuk përmbushen asnjëra nga kushtet konkrete qoftë veç e veç qoftë të gjitha së bashku për caktimin e ndonjërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurve në procedurë.

Kjo për faktin se nuk ekziston ndonjë rrethanë e veçantë në bazë të cilës do mund të konkludohet se ekziston rreziku i arratisjes së pandehurve me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale pasi që të njëjtit i kanë premtuar Gjykatës se do të përgjigjen në të gjitha ftesat që do t’ju dërgohen nga kjo Gjykatë dhe po ashtu nuk ekziston as rreziku i përsëritjes se këtyre veprimeve nga ana e të pandehurve të përfshirë në këtë çështje penale.

Shtatë të pandehurit janë arrestuar më 21 mars në Kuvendin e Kosovës për shkak se kanë penguar rrjedhën normale të seancës.