Vazhdon dialogu, takohen Thaçi e Vuçiq

Aktuale March 23, 2018 - 07:51
Lexo detajet

Sot në Bruksel do të vazhdojë dialogu Kosovë - Serbi në nivel presidentësh. I pari i Kosovës Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandar Vuçiq do të takohen për të diskutuar rreth zbatimit të marrëveshjeve të deritanishme, si dhe për fazën përfundimtare të dialogut ndërmjet dy shteteve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të enjten ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku është takuar me ndihmëssekretarin amerikan Wess Mitchell në kuadër të parapërgatitjeve për vazhdimin e dialogut me Serbinë.

LEXO EDHE: Tash korrupsionin!

“Jam në Uashington për t’i bashkëkoordinuar aktivitetet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi do të hyjmë në një fazë të re, të rëndësishme dhe i tërë përkushtimi duhet të jetë i koordinuar mirë dhe natyrisht i qartë për sot, por edhe për të ardhmen. Pra, do të jetë një proces që do të hapë periudhën e arritjes finale të marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë”, ka deklaruar Thaçi për radio “Evropën e Lirë”.

Ai po ashtu ka thënë se kjo çështje është e ndjeshme dhe kërkon koordinim me të gjithë partnerët e miqtë, por adresa kryesore për Kosovën mbetet Uashingtoni.

Kurse shefi i delegacionit të Kosovës, Avni Arifi, duke folur për takimet që janë zhvilluar nga 19 – 21 marsi ka thënë për “Zërin” se pala serbe ka qenë e vendosur që të diskutohet vetëm për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe ky është një proces i cili duhet të rrjedhë pas shumë veprimeve. Pala serbe ka bërë presion dhe e ka shprehur haptazi se po vjen në Bruksel vetëm për shkak të Asociacionit dhe jo për marrëveshje tjera. Me këtë qëndrim i dhanë një fund implementimit të marrëveshjeve tjera”, ka thënë Arifi.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Abdyli, duke folur për dialogun ka thënë se bisedimet me Serbinë janë të papërgatitura dhe jo të organizuara mirë, madje edhe njerëzit e përfshirë në dialog nuk i kanë kompetencat e duhura për udhëheqjen e bisedimeve.

“Njerëzit të cilët i kemi angazhuar dhe të cilët Qeveria i ka autorizuar nuk e kanë kompetencën e duhur për këtë dialog, nuk e kanë përgatitjen e duhur dhe si pasojë e kësaj ne mund të dalim me pasoja, siç kemi dalë edhe në të kaluarën në disa raste”, ka thënë Abdyli.

Sipas tij, problem tjetër me dialogun është edhe udhëheqja e tij nga presidenti i vendit, pasi ky do të duhej së pari të legjitimohej nga Kuvendi.

“Dialogu i është autorizuar presidentit të Kosovës dhe ky autorizim është jolegjitim sepse Kuvendi do të duhej ta legjitimojë këtë udhëheqës të dialogut dhe duke marrë parasysh që Hashim Thaçi ka bërë lëshime të panevojshme dhe lëshime të dëmshme për Kosovën kjo e shton edhe më shumë dyshimin në procesin e këtij dialogu në favor të Kosovës”, ka deklaruar Abdyli.

Edhe deputeti i pavarur Korab Sejdiu ka thënë se presidenti i Kosovës nuk ka legjitimitet për t’i udhëhequr këto bisedime.

“Kjo çështje bëhet edhe më absurde kur e kuptojmë se bisedimet po udhëhiqen në dy fronte, në njërën anë nga ekipi i udhëhequr nga Arifi dhe në anën tjetër bisedimet klandestine nga presidenti Thaçi. Presidenti bën bisedime pa mandat kushtetues apo ligjor, pa legjitimitet politik dhe pa kapacitet personal për të negociuar në të mirë të Kosovës sepse rrethanat e kanë vendosur në pozitë shumë të pafavorshme negociuese”, ka theksuar Sejdiu.