Tash korrupsionin!

Aktuale March 23, 2018 - 07:43
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Kosova ka miratuar Demarkacionin me Malin e Zi, por për t’u hequr vizat me BE-në duhet të përmbushet edhe kriteri i fundit, përkatësisht luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Deri më tani vendi ka dështuar në një luftë të tillë pasi asnjë zyrtar i lartë publik nuk është duke e vuajtur dënimin për vepra penale të korrupsionit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndonëse para dy ditësh Kuvendi ratifikoi Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk do të mundë të lëvizin ende lirshëm në zonën Shchengen.

Përkundrazi, për të ardhur deri te liberalizimi i vizave Kosova duhet ta përmbushë edhe kriterin e fundit të mbetur, luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Për ta bërë një gjë të tillë, sipas ekspertëve të procesit gjyqësor, duhet të shfaqen rezultate konkrete, duke u shpallur aktgjykime dënuese në rastet e korrupsionit.

Mirëpo, sipas tyre, institucionet e Kosovës kanë dështuar krejtësisht në këtë drejtim. Megjithëkëtë, kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi ka bërë të ditur se tashmë janë identifikuar gjithsej 39 raste të korrupsionit.

Po ashtu nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës kanë deklaruar për “Zërin” se është duke u punuar intensivisht drejt përmbushjes së kriterit të fundit të liberalizimit të vizave.

Nga ana tjetër, ekspertët e procesit të integrimit kanë vlerësuar se gjasat janë reale që liberalizimi të arrihet deri në fund të këtij viti.

Për një gjë të tillë është shprehur optimiste edhe ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, e cila megjithatë ka pohuar se për të ardhur deri te heqja e vizave duhet të luftohet krimi dhe korrupsioni.  

KGJK: Jemi duke punuar intensivisht

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar se është në proces të krijimit të regjistrit qendror të evidencës penale.

“Ky sistem do t’i përfshijë të gjitha gjykatat e shkallës së parë dhe do të jetë unik për tërë  territorin e vendit. KGJK-ja në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën e BE-së në Kosovë është duke punuar në procesin e konsolidimit të regjistrit qendror penal. Si rezultat i këtij bashkëpunimi Zyra e BE-së nga qershori i vitit 2017 ka aprovuar projektin trevjeçar të asistencës, i cili do ta ketë për qëllim përfundimin e procesit të digjitalizimit të të gjitha lëndëve penale (të përfunduara me aktgjykime të formës së prerë), që i referohen periudhës nga viti 1999 e më tutje”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të KGJK-së dhënë për “Zërin”.

Më tej është bërë e ditur se KGJK-ja është duke punuar edhe drejt nxjerrjes së një rregulloreje të re, proces ky i cili, siç thuhet në përgjigje, pritet të përfundojë pas rreth 3 muajsh.

“KGJK-ja nëpërmjet Zyrës Qendrore të Evidencës Penale, me qëllim të përshpejtimit të procesit të konsolidimit të sistemit qendror të evidencës penale, paralelisht është duke punuar edhe në nxjerrjen e rregullores së re të KGJK-së për sistemin qendror të evidencës penale të personave të dënuar, si dhe në krijimin e sistemit (bazës së të dhënave), proces ky i cili do të përfundojë deri në muajin qershor 2018”, thuhet më tej.

E meqenëse procesi i krijimit të këtij regjistri qendror të personave të dënuar është njëri ndër kriteret e kërkuara për liberalizim, KGJK-ja ka bërë të ditur se këtë çështje është duke e trajtuar me prioritet të lartë, duke punuar intensivisht drejt këtij procesi.

Miftaraj: Kosova ka dështuar në luftimin e krimit dhe të korrupsionit

Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se Kosova ka dështuar në përmbushjen e kriterit të dytë të liberalizimit.

Nëse s’do të ketë veprime konkrete në këtë drejtim, sipas Miftarajt, liberalizimi s’do të ndodhë edhe për shumë vite të tjera.

“Kosova fatkeqësisht ka dështuar sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit. Asnjë zyrtar i lartë publik sot nuk është në vuajtje të dënimit për vepra penale të korrupsionit. Komisioni Evropian kërkon rezultate konkrete që nënkupton aktgjykime dënuese në rastet e korrupsionit. Në këtë drejtim, nëse BE-ja është këmbëngulëse për t’u plotësuar ky kriter, atëherë vizat sigurisht se nuk do të liberalizohen edhe me vite të tëra”, ka deklaruar ai.

Sipas Miftaraj, IKD-ja në vazhdimësi ka potencuar mungesën e vullnetit politik për ta luftuar korrupsionin, si dhe mungesën e guximit (personal dhe profesional) të prokurorit të Shtetit për ta akuzuar profilin e lartë.

“Për më tepër, janë të njohura rastet kur me veprime apo mosveprime e njëjta prokurori ka amnistuar apo ka mbyllur raste të profilit të lartë sipas agjendave politike apo të grupeve të caktuara të interesit”, ka shtuar ai.

Andaj, nëse nuk ka presion nga faktori ndërkombëtar dhe nëse nuk pastrohet sistemi i drejtësisë, siç ai është shprehur, Kosova vështirë se do të ketë rezultate.

Haradinaj: Do të punojmë për luftimin e korrupsionit

Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj është zotuar se do të punohet në përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizim.

“Do të punojmë për luftimin e korrupsionit jo vetëm për ta plotësuar një kriter për liberalizim të vizave, por për shkak se duhet të bëhet për qytetarët. Rendi dhe ligji janë tema të ndjeshme në çdo popull, në çdo vend. Luftimi i korrupsionit është proces kompleks, nuk është aq i thjeshtë”, ka deklaruar ai.

Haradinaj më tej ka thënë se gjatë ditës së sotme do të ketë edhe një takim me zyrtarët e institucioneve të drejtësisë për të folur rreth kësaj çështjeje.

“Nesër do të ketë një takim të lartë me zyrtarët e drejtësisë, të cilët do të raportojnë. Shpresoj shumë që në BE nuk do ta bëjnë një lëshim, duke mos i dhënë vëmendje kësaj teme, pra liberalizimit të vizave”, ka theksuar shefi i ekzekutivit gjatë ditës së djeshme.

Hoxha: Lufta kundër korrupsionit duhet të vazhdojë

Ndërkaq ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është shprehur optimiste se 6 muaj pas ratifikimit të Demarkacionit do të ndodhë liberalizmi i vizave.

“Ne presim që të gjitha procedurat të mos marrin kohë më shumë se 6 muaj, duke u bazuar në rastet e mëparshme të vendeve që kanë marrë pjesë në liberalizimin e vizave”, ka theksuar ajo.

Por pos ratifikimit të Demarkacionit, sipas saj, duhet të vazhdojë edhe lufta kundër  krimit e korrupsionit.

“Kosova do ta dorëzojë raportin edhe me plotësimin e kriterit të demarkacionit dhe me informatat që do t’i marrim lidhur me kriterin e dytë presim që gjatë këtij viti të përfundojnë kushtet”, është shprehur e para e MIE-së.  

Nga ana tjetër, kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi gjatë së enjtes ka njoftuar se janë identifikuar 39 raste të korrupsionit gjithsej, ku 30 prej tyre janë në gjykata, ndërsa në 16 raste është duke u zhvilluar procedurë gjyqësore.

Procedurat deri te liberalizimi i vizave

Në anën tjetër Jehona Lushaku, eksperte e procesit të integrimit evropian, duke shpjeguar procedurat e liberalizimit ka thënë se fillimisht Komisioni Evropian duhet ta bëjë një raport për Kosovën nëpërmjet të cilit tregon se a janë përmbushur të gjitha kushtet për heqje të vizave. Ky raport, sipas saj, duhet të kalojë në disa procedura derisa të vijë në votim.

“Komisioni Evropian duhet ta bëjë një raport vlerësues të ri për Kosovën, ku vlerëson nëse Demarkacioni dhe luftimi i korrupsionit janë dy kritere të plotësuara apo jo. Mandej ai raport dërgohet në formë rregulloreje si vendim i prerë në Parlamentin Evropian (PE) dhe në Këshillin Evropian (KE). Domethënë, kjo rregullore shkon në PE dhe në KE njëkohësisht, këto dy institucione e diskutojnë një tekst të konsoliduar të rregullores dhe në fund e diskutojnë në seancë plenare Parlamenti Evropian dhe e vendosin në votim. Duhet ta votojnë, me shumicë të kualifikuar të kalojë në Parlamentin Evropian”, ka bërë të ditur ajo.

Mirëpo, jo vetëm PE-ja duhet ta votojë atë. Përkundrazi, siç ka shpjeguar Lushaku, kjo rregullore duhet të shqyrtohet edhe nga Këshilli i Ministrave dhe të miratohet me shumicë të kualifikuar për t’u marrë vendimi për liberalizim të vizave. 

Liberalizimi mund të ndodhë deri në fund të këtij viti

E meqë para dy ditësh është ratifikuar Demarkacioni, Lushaku është shprehur optimiste se liberalizimi i vizave do të ndodhë këtë vit.

“Ekziston një momentum i mirë politik dhe unë jam shumë optimiste që realizohet. Tash një pikëpyetje është sa kohë merr realizimi. KE-ja fillimisht mund të shkojë disa javë derisa ta nxjerrë konkluzionin. Domethënë, ky vullnet politik ka mundësi të na shpejtojë neve procedurën”, ka shtuar ajo.

Një gjë e tillë merr kohë disa muaj. “Ka mundësi që deri në fund të qershorit të merret një vendim. Por, ka mundësi që të shkojë edhe me lexim të dytë. Nëse merret para qershorit, ka mundësi që në fundvit të arrihet liberalizimi”, ka potencuar ajo.

Ndërkaq Adrian Prenkaj, ish-diplomat i Kosovës në Washington, ka konsideruar se Kosova ka bërë progres të dukshëm sa i përket rrugëtimit drejt liberalizimit të vizave. Andaj, sipas tij, ka gjasa që edhe heqja e vizave të ndodhë këtë vit.

“Institucionet i kanë të qarta obligimet që u kanë mbetur. Kosova ka bërë progres në shumë fusha, kanë mbetur edhe disa, sidomos që u përkasin institucioneve të sundimit të ligjit. Por, besoj që kjo është më shumë një vlerësim, të cilin Komisioni Evropian do ta bëjë dhe sigurisht do të ketë një reagim lidhur me këtë. Por, mendoj që trendi është shumë pozitiv dhe i mirë pas kalimit të Demarkacionit”, ka theksuar ai.  

Prenkaj gjatë bisedës ka folur edhe rreth faktit që 5 shtetet e BE-së nuk e njohin Kosovën si shtet, porse ka konsideruar se një gjë e tillë nuk e rrezikon procesin e liberalizimit.