Thaçi: I përmbushëm obligimet, shumë shpejt lëvizim lirshëm

Aktuale March 21, 2018 - 19:06
lajmet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Ai përmes një shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se Kosova i ka përmbushur obligimet e saj dhe se shuam shpejt qytetarët e Kosovës do të lëvizim lirshëm brenda zonës Shengen, transmeton zeri.info

Ky është shkrimi i plotë i Thaçit: Kuvendi i Kosovës i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i sotëm i marrëveshjes ndërshtetërore, që mbajti peng përplot tre vjet liberalizimin e vizave për qytetarët tanë, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare.

Ishte një veprim që garanton dhe forcon të ardhmen euroatlantike, duke i hapur rrugë shumë proceseve të rëndësishme për shtetin tonë. Kosova ka humbur mjaft kohë me këtë çështje, e cila padrejtësisht ngadalësoi hapin shtetëror përpara, duke krijuar ndarje politike e shoqërore, që mbase është vështirë të kompensohen për një kohë të shkurtër.

Megjithatë, votat e sotme të deputetëve në Kuvendin e Kosovës janë shpresëdhënëse se ata më s’do të ndikohen nga interesat ditore politike, por nga interesi strategjik i Kosovës. Konsensusi i gjerë i arritur në Kuvendin e Kosovës duhet të shërbejë si platformë afatgjate e bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike, sidomos kur në pyetje është interesi shtetëror.

E pikërisht dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një çështje e tillë e interesit shtetëror, në të cilën ne duhet të jemi të bashkuar.

Ne i përmbushëm detyrimet tona, prandaj shumë shpejt edhe qytetarët tanë do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen, sepse jam i sigurt se edhe BE-ja do t’i bëjë detyrat e saj pa humbur kohë. Tani duhet që me hapa të përshpejtuar, duke zbatuar pakon e reformave, të krijojmë një dinamikë të re në procesin e anëtarësimit të vendit tonë në BE dhe NATO. HTH