Matoshi – Të dorëhequrve: Votojeni demarkacionin, jepni krahë Republikës

Aktuale March 21, 2018 - 08:49
Lexo detajet

Këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Halil Matoshi ka thënë se Grupi i të Dorëhequrve nga lëvizja “Vetëvendosje” nuk kanë asnjë arsye morale dhe ideologjike që të mos ta ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, transmeton “Zëri.info”.

Matoshi ka apeluar grupin e Deputetëve të Pavarur që ta votojnë këtë marrëveshje ndërshtetërore.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ai ka shkruar se nëse demarkacioni mbetën peng i ideologjisë revolucionare dhe “Jo” – së ndaj të gjitha proceseve që po kalon vendi, atëherë ky grup deputetësh që nesër mund të bëhet parti politike, do të vuaj i eklipsuar nga organizata amë dhe nuk do të ketë ofertë politike për qytetarët, por do të mbetët kopje e zbehtë e Lëvizjes.

Postimi i plotë i Matoshit:

Krahu i moderuar që u shkëput nga Lëvizja Vetëvendosje, Ymeri, Molliqaj, Sejdiu, Gorani etj. nuk e kanë asnjë arsye sot, as morale dhe as ideologjije, për të mos e votu demarkacionin.

Ku grupim politik (deputetë të pavarur) duhet ta justifikojë para qytetarëve daljen nga organizata e Albin Kurtit, me sjellje të përgjegjshme dhe profil politik qytetar!

Nëse mbetët peng i ideologjisë revolucionare dhe “Jo” - së ndaj të gjitha proceseve që po kalon vendi, atëherë ky grup deputetësh që nesër mund të bëhet parti politike, do të vuaj i eklipsuar nga organizata amë dhe nuk do të ketë ofertë politike për qytetarët, por do të mbetët kopje e zbehtë e Lëvizjes!

Vota për demarkacionin i nxjerr ata nga mistika dhe konspiracioni, në rrafshin e realpolitikës! I mgrit ata mbi interesat partikulare dhe individuale dhe i rreshton në mbrojtje të Republikës!

Jepni krahë Kosovës!