Greg Delawie: Korrupsioni është kancer, luftojeni!

Aktuale March 21, 2018 - 07:37
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka pohuar se në Kosovë ka korrupsion, por për ta luftuar këtë dukuri negative duhet vullnet politik, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

“Korrupsioni është kancer që përfshinë institucionet e shëndetshme, mat vendosmërinë qytetare, ushqen cinizmin, përbuzjen dhe dobëson përbërjen shoqërore të shoqërisë, por duhet ta luftoni”, ka thënë Delawie.

LEXO EDHE: Koalicioni i dështimeve

Sipas tij, janë disa mënyra se si mund të luftohet korrupsioni, kërkon pastrimin e prokurimit publik, si dhe shqyrtim të Agjencisë Kombëtare të Auditimit.

“Kjo nënkupton vlerësim të performancës së gjyqësorit, largim të menjëhershëm nga puna të zyrtarëve të korruptuar, shqyrtim e seriozitet i raporteve të Agjencisë Kombëtare të Auditimit dhe pastrim të prokurimit publik”, ka thënë Delawie.

Ai ka pasur kritika edhe për Qeverinë pasi ajo duhet të punojë njësojë për gjithë popullin e jo vetëm për njerëzit më të fuqishëm.

“Duhet që të krijohen edhe vende, edhe hapësira për zëra e ide të reja dhe një qeveri që përfaqëson të gjithë njerëzit e jo vetëm të fuqishmit. Kjo duhet të përfshijë më shumë gra udhëheqëse në çdo komunitet, në çdo komunë dhe në çdo nivel të Qeverisë”.

Ambasadori po ashtu ka folur edhe për rolin që ka gruaja në pozitat udhëheqëse, si dhe e konsideron si turp mungesën e grave në pozitat udhëheqëse në institucionet kosovare.

“Është turp për Kosovën që janë vetëm dy ministre femra, e di që s’ka asnjë kryetare të komunave, por për ta përmbushur demokracinë e Kosovës të gjithë ne burrat dhe gratë duhet të punojmë më shumë për këtë çështje”, ka thënë ai.

Mungesën e grave në pozita udhëheqëse Delawie e sheh si një problem për të cilin janë në dijeni edhe prijësit e shtetit, të cilët po punojnë shumë për avancimin e gruas në shoqërinë kosovare.

“Gratë punojnë shumë, mirëpo duhet ta dinë që edhe prijësit e tyre po punojnë po aq shumë për të mirën e tyre dhe do të punojnë edhe më shumë sesa që po punohet tani për t’ju siguruar pranim të barabartë, mbështetje e sukses për të gjithë qytetarët”, ka shtuar Delawie.

Për gratë dhe për rolin e tyre në shoqëri ka folur edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha. Hoxha ka vlerësuar lart rolin e gruas në shoqërinë kosovare.

“Për të arritur fuqizimin e grave në Kosovë na duhet një konsensus i gjerë nacional për t’i luftuar të gjitha dukuritë që pengojnë një gjë të tillë”, ka thënë Hoxha.

Ne lidhje me korrupsionin ministrja Hoxha ka thënë që është një dukuri ende e pranishme në shoqërinë kosovare, problem i cili mund të luftohet përmes Prokurorisë dhe gjyqësorit.

"Prokuroria dhe gjyqësori duhet të luajnë rol aktiv në këtë luftë dhe t’i ndëshkojnë ata që po dëmtojnë të ardhmen e shtetit tonë. Është koha e fundit që të gjithë ne, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori ta fitojmë këtë luftë, gjithnjë duke e respektuar pavarësinë e secilit dhe kompetencat që i kemi në këtë drejtim", theksoi Hoxha.