Koalicioni i dështimeve

Aktuale March 21, 2018 - 07:31
Lexo detajet

Për të katërtën herë koalicioni qeverisës ka dështuar ta miratojë Demarkacionin me Malin e Zi, ndonëse debati ka zgjatur deri në orët e vona të së martës. Lista Serbe ka bojkotuar seancën, ndërsa deputeti i LDK-së, Ramiz Kelmendi, është shtrirë në spital, duke ia prishur matematikat për votimin e Marrëveshjes. Seanca vazhdon sot, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Koalicioni qeverisës ka dështuar për të katërtën herë me radhë për ta ratifikuar Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

Pas rreth tetë orësh debat pa u hedhur në votim Marrëveshja ka përfunduar seanca, e cila pritet të vazhdojë sot në orën 11:00.

Para fillimit të seancës kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i bindur se i kanë 80 votat e nevojshme për ratifikimin e Marrëveshjes së Kufirit.

Lëvizja "Vetëvendosje" dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur u deklaruan kundër Marrëveshjes së Vjenës, shkruan tutje "Zëri". 

Kurse munguan deputetët e Listës Serbe, si dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ramiz Kelmendi. Me këtë rast koalicioni qeverisës së bashku me LDK-në dhe me deputetët pa grupe parlamentare kishte 78 deputetë në sallë.

Delawie: Kosova nuk ka kohë për të humbur

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie, para fillimit të seancës së Demarkacionit u bëri thirrje edhe një herë deputetëve që të votohet Marrëveshja, pasi kjo është për të mirën e qytetarëve.

“Sot është një ditë e rëndësishme në të cilën mund ta shënojmë një fitore për qytetarët e Kosovës. Dy vjet e gjysmë të përparimit në rrugën evropiane janë humbur për shkak të kësaj çështjeje, prandaj Kosova nuk ka më kohë për të humbur. Po aq sa është e rëndësishme Marrëveshja për vizat, aq është edhe për çështjen e zgjidhjes së problemit me një shtet anëtar të NATO-s si Mali i Zi”, ka thënë Delawie.

Më tej ambasadori amerikan ka thënë se vota do të tregojë se cilat parti janë serioze. Ndërsa ua ka rikujtuar deputetëve që regjistri i votave do të tregojë se si votuan.         

“Kjo votë do të tregojë se cilat parti janë serioze për ta qeverisur Kosovën. U bëj thirrje të gjithë deputetëve të votojnë në favor të kësaj marrëveshjeje, sepse edhe abstenimi paraqet votë kundër Demarkacionit. Çdo votë numërohet dhe ka rëndësi. Nëse kjo marrëveshje s’kalon, atëherë regjistri i votave do të tregojë kush e dështoi atë”, ka theksuar Delawie pak para fillimit të seancës së djeshme.                                                                            

Në fund ambasadori i SHBA-së u kërkoi deputetëve të mos i lënë qytetarët të izoluar. “Vazhdoj të jem i befasuar se me sa shumë mund disa njerëz po punojnë për t’i ndaluar qytetarët të lëvizin lirshëm. Mos i lini qytetarët në izolim, votoni për marrëveshje”, ka thënë Delawie.

Haradinaj: Nuk do të vinim në seancë nëse nuk do t’i kishim 80 vota

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj para seancës ka thënë para gazetarëve se  partnerët e koalicionit s’do të vinin në Kuvend nëse nuk do t’i kishin votat për ta kaluar Demarkacionin. “Ajo që është me rendësi është që sot të gjithë mund t’i gjejnë argumentet për të votuar. S’do të kishim ardhur në seancë po të mos i kishim 80 vota”, ka deklaruar Haradinaj.                                                                                                           

Ai më tej u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta votojnë këtë marrëveshje.       

Pas shumë pritjesh, debatesh e zhvillimesh, sot në Kuvend diskutohet Ligji për Ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Pos kësaj, kemi edhe raportin e Komisionit dhe deklaratën e presidentëve. Kam për detyrë t’ua kërkojë të gjithë deputetëve votën për votimin e këtij ligji”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj: Demarkacioni nuk e rrezikon territorin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj gjatë seancës së djeshme për ratifikimin e Marrëveshjes se Demarkacionit ka thënë se ratifikimi i këtij projektligji nuk e rrezikon territorin e Kosovës.

“Pas shumë përpjekjesh kemi arritur ta gjejmë një formulë ta pranueshme për të gjitha palët. Vota pro sot më shumë se kurrë bëhet për shtetin e Kosovës, bëhet për liri të lëvizjes. Ratifikimi i këtij ligji nuk e rrezikon territorin e Kosovës. Vota pro është dëshirë edhe e gjysmës së qytetarëve të Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

Haradinaj gjatë fjalës së tij në Kuvend ka konsideruar se Komisioni për Shënimin e Kufirit, i drejtuar nga Shpejtim Bulliqi, e ka kryer punën me përgjegjësi të plotë.

Ndërkohë, u bëri thirrje deputetëve të lëvizjes “Vetëvendosje” që ta mbështesin Marrëveshjen e Vjenës.

Haradinaj më tutje tha se nuk e ka problem të rrëzohet nga Qeveria pasi që një gjë të tillë e ka provuar edhe në të kaluarën.

Hoti: Marrëveshja e Demarkacionit është e 2015-ës, asnjë shkronjë s’ka ndryshuar

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Marrëveshja e Demarkacionit është e njëjta si ajo e vitit 2015 edhe pas deklaratës së presidentëve të Kosovës e të Malit të Zi.

“Deklarata e presidentëve është konfirmim i Marrëveshjes, ndërkohë Marrëveshja është konfirmim i asaj të 2015-ës, asnjë shkronjë nuk ka ndryshuar”, ka deklaruar Hoti.

Ai më tej ka treguar se LDK-ja e mbështet këtë marrëveshje. “Dua ta shpreh kënaqësinë që gati tre vjet pas nënshkrimit Kuvendi është mbledhur për ta nënshkruar Marrëveshjen e Demarkacionit. Për dallim prej herëve të tjera, seanca sot ka filluar pa gaz lotsjellës dhe pa dhunë ndaj kryeministrit”, ka theksuar Hoti.

Më tej Hoti ka thënë se LDK-ja ka të drejtë morale që të hedhë gaz lotsjellës, por ka thënë se nuk do ta bëjë një gjë të tillë.

“Ai që dikur e pati iniciuar hedhjen e gazit lotsjellës tani është kryeministër. Ai pati penguar kryeministrin Mustafa, deputetët dhe policët. LDK-ja ka të drejtë morale që të përdorë gaz lotsjellës, por nuk do ta bëjmë”, është shprehur Hoti.

Kurti: Demarkacioni është ndryshim i territorit të Kosovës

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, gjatë seancës së djeshme vlerësoi se versioni i Marrëveshjes aktuale të Demarkacionit nuk e tregon saktë kufirin mes Kosovës e Malit të Zi.

“Demarkacioni është ndryshim i territorit të Kosovës, Murat Meha ka punuar sipas kushteve të Malit të zi. Ky kufi duket sikur kemi pasur luftë me Malin e Zi e tash erdhi si pasojë e kapitullimit. Të mos kapitullojë edhe Kuvendi, të mos e miratojë Demarkacionin”, tha Kurti.

Duke iu referuar raportit të Bulliqit, Kurti tha se “Vetëvendosja” voton vetëm dokumentin që korrigjon kufirin.

“Ky është vetëmashtrim. Pas raportit të Bulliqit Kuvendi nuk ka punë. Sepse në bazë të atij raporti është bërë shkelje ligjore”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, liberalizimi i vizave nuk është prioritet i kosovarëve, por prioritet i Qeverisë për qytetarët e Kosovës.

Ai kritikoi edhe kryeministrin Haradinaj, duke thënë se nëse ai po e bën këtë për shkak se po kushtëzohet me rrëzim të Qeverisë së tij, atëherë “Vetëvendosja” do ta përkrahë atë.

“Haradinaj është më shumë i uritur sesa i zemëruar dhe po merr barrën për të cilën nuk ka faj. Kryeministër, kjo që po bëni është mashtrim, por nëse duan të ju rrezojnë për shkak se nuk po falni tokë unë ju mbroj, ne ju mbrojmë. Për këtë nuk do të duhej të rrëzoheni, për gjëra të tjera po, por sot nuk po flasim për to”, shtoi Kurti.

Limaj: Versioni aktual i Marrëveshjes më i mirë se Arbitrazhi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, u shpreh optimist se Marrëveshja e Demarkacionit do të përmbyllej në seancën e djeshme. Me këtë rast ai tha se Projektligji i hartuar nga Qeveria duhet të shihet si mundësi për ta korrektuar Marrëveshjen në rast se evidentohen gabime.

“Projektligji dhe Marrëveshja që është propozuar nga Qeveria duhet të shihen si mundësi për ta rishikuar Marrëveshjen me palën malazeze për t’i përmirësuar gabimet që janë bërë gjatë kohës së bisedimeve të Komisionit të parë”, ka deklaruar ai.

Limaj më tej ka thënë se Marrëveshja aktuale është shumë më e mirë sesa opsioni që Demarkacioni të shkojë në Arbitrazh. “Dikush ka qenë i mendimit që të shkojë në Arbitrazh, unë besoj që kjo Marrëveshje që ka ardhur është më e mirë se Arbitrazhi. Ua jap mundësinë ekspertëve të ulen dhe t’i gjejnë gabimet që janë bërë”, është shprehur Limaj.

Më tutje, ai i ka ftuar deputetët që ta votojnë këtë marrëveshje, meqë një veprim i tillë do t’i jepte mundësi të mira vendit.

Hoxhaj: Dy skenarë për Demarkacionin

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë seancës së djeshme ka paraparë dy skenarë rreth Demarkacionit.

“Sot i kemi dy pritje: njëri është skenari pozitiv të cilin e presin edhe qytetarët e Kosovës, që sot shumica e deputetëve do ta votojnë këtë marrëveshje dhe do ta shënojnë këtë seancë në një pikë kthese për Kosovën. Por, sa dëgjova nga kolegët e tjerë, ka edhe një pritje tjetër që kjo Marrëveshje të mos kalojë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai më tej ka vlerësuar se debati sa i përket Demarkacionit tashmë është shteruar.

“Tema që e kemi sot është një temë që është diskutuar në këto 2-3 vjetët e fundit në të gjitha forumet e mundshme politike, por jo me një qartësi se kah do të lëvizë. Debati për këtë temë është një debat i shterur, por nëse deputetët dëshirojnë të shkojnë në thellësi e trajtojmë këtë deri në kohën e duhur”, ka shtuar Hoxhaj.

Gjatë deklaratës se tij Hoxhaj ka thënë se vota për Demarkacionin do të jetë vota më e rëndësishme në 10 vjetët e fundit.

Deda: Po të bisedonim më 2015-ën sot do ta kishim liberalizimin

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka thënë se po të kishte diskutim mes partive politike në vitin që është nënshkruar Marrëveshja e Demarkacionit sot qytetarët e Kosovës do të udhëtonin lirshëm pa viza. “Ta kishim pasur vullnetin të bisedojmë në vitin 2015 ne tashmë do ta kishim pasur liberalizimin e vizave”, ka deklaruar Deda.

Megjithatë tash pas tre vjetësh, sipas Dedës, politika kosovare ka avancuar.

“Pas gati tre vjetësh ne më në fund po e debatojmë çështjen e demarkacionit, jo në medie, jo në rrugë, jo me inate politike, po si duket kjo Kosovë, kjo politikë paska avancuar në tre vjetët e fundit dhe kjo duhet përshëndetur. Por duhet ta dimë se çka kemi marrë para vetes, një dokument që ka mbërritur me konsensusin e gjerë politik, jo me konsensusin e plotë politik”, ka shtuar Deda.

Ymeri: Nuk e votojmë Demarkacionin

Deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur (GDP), Visar Ymeri, ka bërë të ditur përfundimisht se ky grup i ri parlamentar nuk do ta votojë Marrëveshjen e Demarkacionit.

“Nuk e votojmë sepse ka parregullsi. Kosova nuk duhet të bëhet precedent që të heqë dorë nga territori i saj”, ka deklaruar Ymeri.

Ymeri po ashtu ka thënë se të dyja palët janë të obliguara t’i gjejnë gabimet në rastet kur shënojnë vijën kufitare.

 “Natyrisht se ka korrektime kur vendosen gurët kufitarë në terren. Pra, në secilin rast të shënimit të vijës kufitare në terren obligohen të dyja palët që me marrëveshje të kenë korrektime për shkak të relievit e kështu me radhë, që e përcakton dhe e kushtëzon një lloj korrektimi. Mirëpo këto lëvizje asnjëherë nuk marrin përmasa të hektarëve, qindra apo mijëra hektarë siç po pretendohet në rastin tonë. Pra, këto korrektime nuk do t’i kthejnë ato mijëra hektarë që kanë humbur”, ka shtuar Ymeri.

Konjufca: Haradinaj duhet t’i kërkojë falje Murat Mehës

Shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj duhet t’i kërkojë falje publikisht ish-drejtuesit të ish-Komisionit Shtetëror për Shënimin e Kufirit, Murat Mehës.

“Sot kryeministri duhet t’i kërkojë falje Murat Mehes pse ia përplasi për fytyre hartat”, ka deklaruar ai, duke thënë se Haradinaj po shkon drejt qëndrimit të PDK-së dhe Murat Mehës.

Ai me këtë rast ka konsideruar se në momentin që ratifikohet Demarkacioni Kosova do të vajtojë.

“Territorin e humbim nëse kalon Demarkacioni, hajnat mbesin e vizat nuk hiqen. Nëse ndodh kjo do të vajtojmë”, ka theksuar ai.

Haradinaj Selimit: S’ke ushtarë për kufi, lëri ato pallavra!

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, në debatin e së martës për Demarkacionin me Malin e Zi ka thënë se Marrëveshja e Vjenës duhet të ratifikohet. Ai i është kundërpërgjigjur deputetit të “Vetëvendosjes” Rexhep Selimit duke i thënë se tanimë nuk është koha e luftës dhe nuk ka ushtarë tani. “Rexha e di qysh ndërrohen kufijtë, por s’ke ushtarë me vete, lëri ato pallavra”, ka thënë Haradinaj në Kuvend.

Më pas i është kundërpërgjigjur Selimi duke i thënë se ka menduar se e ka edhe atë ushtar. “Unë kam menduar se ka ushtarë hala, mos iu referoni patriotizmit si diçka negative. Nuk ka ndonjë të keqe, nëse doni ta ndryshoni hajde ta ndryshojmë, pastaj ta ratifikojmë”, ka thënë Selimi.

LVV-ja e sjell përsëri peticionin që kundërshton Demarkacionin në Kuvend

Lëvizja “Vetëvendosje” edhe në vazhdimin e katërt të seancës për Demarkacionin e ka sjellë në sallën e Kuvendit peticionin e qytetarëve kundër Demarkacionit të nënshkruar nga mbi 205 mijë qytetarë të Kosovës. Me këtë rast deputetët e “Vetëvendosjes” thanë që po e sjellin këtë peticion për t’ia rikujtuar kryeministrit Marrëveshjen që ai kishte kundërshtuar derisa ishte në pozitë dhe gjithashtu ishte mbështetës i kësaj iniciative.

 Po ashtu me të filluar seanca deputetët e “Vetëvendosjes” ia kanë lënë në tavolinë Ramush Haradinajt këtë peticion.