Si mund të pajisen kosovarët me viza pune kanadeze?

Aktuale March 20, 2018 - 12:57

Daniel Maksymiuk, ambasador i Kanadasë në Kroaci dhe njëherësh jorezident për Kosovën, gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ka folur për mundësinë që kosovarët të pajisen me viza pune kanadeze.

Zëri: A ka interesim të qytetarëve të Kosovës për viza pune në Kanada dhe cilat janë mundësitë e tilla?

Maksymiuk: Siç e dini, Kanadaja është një shoqëri multikulturore me një popullsi të tërhequr nga të gjitha kombet e botës, duke përfshirë edhe nga Kosova. Çdo vit ne mirëpresim 300,000 kanadezë të rinj, duke përfshirë punëtorë të kualifikuar dhe sipërmarrës.

Duke gjykuar nga kosovaro-kanadezët që kam takuar, besoj se njerëzit nga Kosova mund të jenë shumë të suksesshëm e të begatë në Kanada dhe gjithashtu jam i lumtur që shoh shumë kosovaro-kanadezë pasi gjetën një sukses në Kanada kanë vendosur të ndjekin biznese apo aktivitete profesionale këtu në Kosovë.