Ramiz Kelmendi: Nuk e votoj demarkacionin, rrezikohet jeta e fëmijëve te mi

Aktuale March 20, 2018 - 00:17


Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të votojë nesër, në Kuvendin e Kosovës, për Projektligjin për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Kelmendi ka bërë të ditur se në seancën e Kuvendit, më 20 mars, për Demarkacionin, ai nuk do të marrë pjesë.

“Nuk do të marr pjesë në seancën e nesërme, për arsye shëndetësore”, ka thënë Kelmendi, në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7.

“Kam tretman shëndetësor, në kohën kur fillon seanca”, është shprehur ai.

Kelmendi ka thënë se shëndetin personal e konsideron më të rëndësishëm se çdo gjë tjetër.

“Kam pasur edhe kërcënime personale, ndaj anëtarëve të familjes”, tha Kelmendi, deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në emisionin ‘DPT te Fidani’, Kelmendi ka rrëfyer se familjarët e tij kanë marrë kërcënime nëse ai do të votonte demarkacionin me Malin e Zi.

“I kanë çuar për të më thënë, edhe anëtarëve të familjes, se nëse babai yt voton demarkacionin, ki parasysh ku do të jesh ti”, theksoi ai.

Kelmendi nuk u beson organeve të drejtësisë, prandaj nuk pranoi të tregoj se kush e ka kërcënuar.

“S’mund ta them kush, se s’zgjidhet asgjë nëse tregoj”, tha Kelmendi.

“Unë kam edhe kërcënime prej ‘Syrit të Popullit’ edhe prej këtyre të demarkacionit”, tha ai.

Ndryshe koalicioni qeverisës po lufton që të sigurojë edhe një apo dy vota për ta ratifikuar marrëveshjen.