Përmbytet Klina, mobilizohet Komuna

Aktuale March 19, 2018 - 17:04

Pas reshjeve të pandërprere të shiut, në lumenjtë dhe përroskat e Klinës, është rritur dukshëm niveli i ujit, por nuk është raportuar për përmbytje në shtëpi banimi.

Kështu ka bërë të ditur Komuna e Klinës e cila së bashku me Policinë e Kosovës është mobilizuar në rast të përmbytjeve.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, i cili ka pasur një takim me Komandantin e Stacionit të Policisë në Klinë, toger Rexhë Berisha, ka treguar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme në rast të vërshimeve.

Ndërsa, Ibër Elezaj, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjente, njofton se kanë qenë në terren dhe përveç vërshimeve në tokat bujqësore nuk ka përmbytje në shtëpi të banimit.

“ Jemi në gjendje gatishmërie. Situata është në kontroll”, tha Elezaj.

Sipas tij, ekipet komunale kanë intervenuar në fshatin Zajm të Klinës, afër tregut të bagëtive, në hapjen e kanaleve dhe vendosjen e zhavorrit për të parandaluar vërshimet e mundshme.

Në fshatin Jashanicë të Epërme të Klinës, raportohet se uji nga përroska ka dalë mbi urë dhe ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve në atë pjesë. Ekipet komunale janë në terren dhe janë duke vëzhguar situatën