MD: VV'ja po do t'i denigrojë përpjekjet institucionale për fuqizimin e sundimit të ligjit

Aktuale March 18, 2018 - 18:41

Ministria e Drejtësisë, përmes një reagimi për media, ka shprehur mospajtimin e plotë me konstatimet e Lëvizjes Vetëvendosje, të shprehura sot, në një konferencë shtypi, të thirrur nga ky subjekt.

Në reagimin e vet, MD që drejtohet nga Abelard Tahiri, thotë se është tërësisht e papranueshme tendenca që ky subjekt politik vazhdimisht përpiqet të denigrojë përpjekjet institucionale për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë i kujton Vetëvendosjes së në rendin kushtetues mbi të cilin funksionon Republika e Kosovës, pushtetet janë tërësisht të ndara dhe të pavarura, për vlerësimin e performances dhe llogaridhënies të së cilave ka instrumente ligjore dhe kushtetuese. Rrjedhimisht, Ministria e Drejtësisë konsideron se është e padrejtë që deficitet politike të këtij subjekti si dhe papërgjegjshmëria për të kontribuar në çështjet politike siç është miratimi Demarkacionit me Malin e Zi, t’i faturohen sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e MD-së.

Kjo Ministri thotë se për informimin e drejtë të qytetarëve, “në nivelin e politikëbërjes, MD me kohë ka adresuar të gjitha masat për fuqizimin e sundimit të ligjit, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe forcimit të integritetit të gjyqësorit në përgjithësi”.

“Në këtë drejtim, është hartuar pakoja e ligjeve të gjyqësorit përmes së cilave do të sigurohet efikasitet më i lartë i sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial, projektligje këto që tashmë presin miratimin në Kuvend ku Lëvizja Vetëvendosje ftohet të japë kontributin e saj me votën pro këtyre projektligjeve. Për më tepër, me insistimin e Ministrisë së Drejtësisë, është rritur buxheti për Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial, për të mundësuar në mes tjerash, shtimin e numrit të gjykatësve dhe prokurorëve që do të kontribuojnë për efikasitet më të lartë në trajtimin dhe shqyrtimin e lëndëve”, thuhet në reagim.

Në adresimin e përmbushjes së kriterit të dytë për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Ministria e Drejtësisë thotë se me kohë ka adresuar politikat legjislative duke përmbushur obligimet e Agjendës së Reformave Evropiane përmes hartimit të ndryshimeve në Ligjin për Prokurorin e Shtetit, Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik, si dhe konsolidimin e politikës për suspendimin e zyrtarëve publik në rast të ngritjes së aktakuzave për korrupsion apo keqpërdorim të detyrës zyrtare, politikë kjo e integruar në kuadër të ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, projekte legjislative që shumë shpejt do të jenë po ashtu në agjendë të Kuvendit për miratim.

Ministria e Drejtësisë informon qytetarët se referencat për fuqizimin e politikës legjislative në raport me sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme nuk janë shpikje e Vetëvendosjes dhe se për adresimin e tyre tashmë ka hapa konkret.

“Në agjendën legjislative të vitit 2018, do të hartohen 19 projektligje që paraqet ndërmarrësinë më të madhe legjislative të ndërmarrë në Kosovë brenda një viti, nga një institucion qeveritar. Në këtë agjendë, Ministria e Drejtësisë ka paraparë edhe Pakon e Ligjeve Kundër Korrupsionit, në të cilën përfshihen: Projektligji për Agjencinë Kundër Korrupsionit, Projektligji për Deklarimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publik, Projektligji për Mbrojtjen e Informatorëve dhe Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme”.

“Të gjitha këto projektligje, tashmë veçse janë në fazë të finalizimit dhe shumë shpejt do të jenë në dispozicion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, adresë në të cilën, Lëvizja Vetëvendosje ka mundësi të kontribuojë dhe të shprehë gatishmërinë e saj për të kontribuar në fuqizimin e sundimit të ligjit dhe funksionimin e mirëfilltë të sistemit të drejtësisë”.