Matoshi - Vetëvendosjes: Kurrëfarë raporti të BE-së s’e kemi fshehur

Aktuale March 18, 2018 - 17:26

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Halil Matoshi, ka mohuar deklaratat e Vetëvendosjes se Qeveria ka pranuar një raport të BE-së që paraqet gjyqësorin e Kosovës të korruptuar dhe të ndikuar politikisht. Matoshi tha për Gazetën Express se Qeveria aktuale e ka prioritet sundimin e Ligjit dhe të njejtit nuk kanë pse të fshehin asnjë raport.

“Qeveria e Kosovës po i kryen detyrat kushtetuese në mënyrën më të duhur kurse sundimin e ligjit e ka prioritet. Kurrfarë raporti nga BE dhe nga askush tjetër nuk ka pranuar dhe nuk ka çfarë të fsheh”, tha Matoshi.

Ndërkohë gjatë ditës së sotme VV kishte thirrur konference për media ku thoshte se në shtator të vitit 2017, BE-ja ka angazhuar tre ekspertë që të bëjnë vlerësimin e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë së Kosovës sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

“Këtë raport nuk ua kanë prezantuar as mediave, qytetarëve e as neve si deputetë të Kuvendit të Kosovës. Arsyeja që ky raport po mbahet i fshehur është për shkak të gjeturave që ka prezantuar ky raport. Ky raport konstaton që Kosova, pra sistemi i drejtësisë në Kosovë, ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimin e organizuar”, thoshte deputetja e VV-së Fitore Pacolli.

Por, të njejtën e ka demantuar Halil Matoshi duke thënë se një raport i tillë nuk ka ardhur dhe Qeveria nuk po e fsheh.

Megjithatë, Pacolli ka shtuar se në këtë raport gjyqësori konsiderohet të jetë joprofesional, i ndikuar politikisht si dhe i korruptuar.

Qeveria vazhdimisht pohon se kushti për luftimin e korrupsionit që u mundëson qytetarëve liberalizimin e vizave është përmbushur dhe sipas tyre ka mbetur vetëm kushti për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Por, VV dhe Lista Serbe vazhdojnë ta kenë në një linjë qëndrimin për demarkacionin. Janë kundër votës pro ratifikimit të kësaj marrëveshjeje.

Gjatë ditës së sotme zv.kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë për Express se përveç koalicionit qeverisës votën pro demarkacionit do ta japin edhe deputetë të Listës Serbe dhe të Opozitës.

Zyrtarët e Qeverisë janë shprehur se demarkacioni do të kalojë përfundimisht ditën e martë.