VV: Qeveria ka fshehur raportin që flet për ngecjen e gjyqësorit

Aktuale March 18, 2018 - 16:52
E fundit

Lëvizja Vetëvendosje i ka bërë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga procedimi i Demarkacionit në Kuvend, seanca për të cilin është planifikuar të mbahet të martën në ora 16:00.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka thënë në një konferencë për shtyp se Qeveria po nxiton që ta shtyjë përpara Demarkacionin edhe pse dihet që kushti për liberalizimin e vizave nuk është vetëm Demarkacioni por edhe luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Edhe pse Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Integrimeve Europiane po pohojnë se tashmë ky kusht është përmbushur të njëjtën nuk po e thonë ekspertët e Bashkimit Europian”, ka thënë Pacolli.

Sipas saj në shtator të vitit 2017 BE-ja ka angazhuar tre ekspertë që të bëjnë vlerësimin e kapaciteteve të sistemit të drejtësisë së Kosovës sa i përket luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në vend.

Po ashtu, ajo ka thënë se ky raport u është dorëzuar të gjitha institucioneve të drejtësisë në vend përfshirë edhe Ministrinë e Integrimeve Europiane.

“Këtë raport nuk ua kanë prezantuar as mediave, qytetarëve e as neve si deputetë të Kuvendit të Kosovës. Arsyeja që ky raport po mbahet i fshehur është për shkak të gjeturave që ka prezantuar ky raport. Ky raport konstaton që Kosova, pra sistemi i drejtësisë në Kosovë, ka dështuar në luftimin e korrupsionit dhe krimin e organizuar”, ka theksuar Pacolli.

Pacolli ka shtuar se në këtë raport gjyqësori konsiderohet të jetë joprofesional, i ndikuar politikisht si dhe i korruptuar.

“Sa i përket hetimeve penale ka hezitim në hetimin e kokave pra edhe kur ka hetim në nivelin e ulët e jo në nivelin e lartë të personave të përfshirë. Edhe ligji për konfiskimin e pasurisë së paligjshme nuk është adekuat. Raporti konstaton që ka mungesë të harmonizimit të ligjeve me ato të BE-s”, theksoi Pacolli.

Ajo ka përmendur se ky raport vjen pak ditë para se Kuvendi të sjellë votimin e demarkacionit në Kuvend dhe se nuk lë hapësirë për t’i besuar Qeverisë se liberalizimi i vizave do të ndodhë menjëherë pas ratifikimit të Demarkacionit.

“Duhet t’ua bëjmë të qartë qytetarëve se nuk ka liberalizim të vizave derisa sistemi i drejtësisë nuk e lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar. Nuk duhet të ngutemi në votimin e Demarkacionit derisa Qeveria të përmbushë kriterin për luftimin korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka përfunduar Pacolli.

Deputetja tjetër e VV-së, Albulena Haxhiu gjatë konferencës për shtyp ka thënë se në Kosovë janë krijuar politikanë milionerë që nuk mund ta  arsyetojnë pasurinë e tyre dhe se janë të paprekshëm nga drejtësia, duke përmendur disa raste.

“Lirimi i Azem Sylës pak ditë më parë nga paraburgimi në rastin ‘Toka’, hezitimi për hetimin e rastit Devolli dhe Z-Mobile në dëm të Telekomit të Kosovës, heshtja e hetimeve për aferën Pronto, lirimi i shefit të prokurimit dhe kthimi i tij në punë si drejtor i prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, harrimi i rastit stenta, rasti i Enver Hasanit i cili u dënua me kusht për rastet e korrupsionit, këto janë disa nga dëshmitë që sistemi i drejtësisë ka dështuar të luftojë rastet korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka theksuar Haxhiu.

Haxhiu ka potencuar se Kosova nuk mund të ecë tutje nëse zyrtarët e lartë amnistohen për veprimet e tyre. Madje ajo ka paralajmëruar se qysh nesër do ta procedojnë në Kuvend Projektligjin për pasurinë e pajustifikuar.

“Ne jemi të gatshëm që të pranojmë amandamente edhe nga partitë tjera dhe nga shoqëria civile. Qysh nesër do të procedojmë edhe interpelancën me ministren e Integrimeve e cila po e mban të fshehur këtë raport. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë që të tërhiqet nga procedimi i Demarkacionit në Kuvend”, ka thënë Haxhiu.

Çështja e lëndëve që janë kusht për heqjen e vizave u trajtua edhe në emisionin “Drejtësia në Kosovë“ që u shfaqe të premten.