Ditët vendimtare për Demarkacionin

Aktuale March 17, 2018 - 23:39
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Deri të martën, koalicioni do të vazhdojë me deklarata për t’i bindur deputetët që ta votojnë Demarkacionin.

Edhe pse nga Qeveria po shprehen të bindur se i kanë siguruar votat, asnjë marrëveshje deri më tani nuk është arritur me Listën Serbe, VV-në, apo deputetët e pavarur.

Kryeministri Haradinaj në një konferencë për media që e kishte gjatë ditës së djeshme, bëri thirrje te Visar Ymeri që deputetët e grupit të ri parlamentar ta votojnë marrëveshjen.

Ai kërkoi nga të gjithë deputetët që të jenë në sallë ditën e martë.

Por dita e martë po del të jetë vendimtare për Demarkacionin. Kjo pasi gjatë javës së ardhshme Komisioni Evropian do të ketë një mbledhje, ku mund të diskutohet edhe për Kosovën.

Të paktën kështu ka thënë në një deklaratë për Lajmi.net, analisti Ramush Tahiri.

Tahiri po thotë se nëse Kosova dëshiron të hyjë në agjendën evropiane, Demarkacioni duhet të ratifikohet.

[Image result for ramush tahiri 2018 hd]

“Kryeministri e kërkon dhe Kuvendi është i obliguar me caktu mbledhjen. Kryeministri sigurisht si partner i koalicioni duhet t’i ketë bërë llogaritë pasi që gjatë javës së ardhshme Komisioni Evropian të ketë mbledhje dhe kalon radha për Kosovën. Duhet që deri të mërkurën të kryhet, nëse dojnë me hy në liberalizim të vizave dhe agjendë evropiane”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit deri më tani nuk janë mbledhur votat e mjaftueshme për ta miratuar këtë marrëveshje.

Ai thotë se Haradinaj do të duhet të punojë fort që të sigurohet ratifikimi i Demarkacionit.

“Hardinaj ka thënë se do të shihet në ditën e mbledhjes nëse i kanë votat. Deri më tani nuk ka dalë se i ka votat, por që mundet me i siguru. Nëse kalon ndodhë liberalizimi, nëse jo procesi shtyhet ashtu siç është shtyerë qe tri vjet”, ka thënë Ramush Tahiri për Lajmi.net

Me kalimin e Donika Kadaj-Bujupit në AAK, koalicioni qeverisës siguroi votën e 79-të për Demarkacionin.

Kurse votën vendimtare thuhet se do ta jep Adem Hoxha, që është pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe.