Pacolli Spanjës: S’ka kompromis, Kosova merr pjesë në Samitin e BE-së me flamur

Aktuale March 17, 2018 - 19:58
Lexoni lajmet më të fundit nga vendi dhe bota

Spanja po kërcënon se nëse Kosova merr pjesë në Samitin e BE-së në Sofje, atëherë përfaqësuesit spanjollë nuk do të jenë pjesëmarrës. Kjo pasi shteti i Spanjës nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Madje veç kësaj u tha gjithashtu edhe që Spanja do të tentojë që të paktën ta ndalojë prezantimin e Kosovës me simbolet shtetërore.

Por përkundër të gjitha këtyre reagimeve, optimist po duket ministri i jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli.

Ai në një postim në rrjetin social facebook ka shkruar se Kosova do të marrë pjesë në këtë samit sikur të gjitha shtetet e BE-së.

Tentativat për përjashtimin e simboleve shtetërore i ka quajtur mungesë të vizionit.

“Kosova sikurse të gjitha vendet e tjera të rajonit do të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perendimor në Sofje, në muajin Maj, ku pritet tê mbështetet nga të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së perspektiva e qartë dhe konkrete e zgjerimit, për të gjitha vendet e rajonit, duke përfshire Kosovën.  Çdo tentim për të minuar prezencën e Kosovës në samit apo përjashtuar simbolet tona shtetërore, paraqet mungesë të vizionit dhe qartësisë për rajonin”, ka shkruar Pacolli në facebook.

Ai e ka përmendur edhe ndikimin rus, duke bërë thirrje që BE-ja të jetë e unifikuar.

Theksoi edhe një herë se askush s’mund ta ndalojë pjesëmarrjen e Kosovës në samitin e BE-së

“Në kohen kur ndikimi rus është shtuar në rajon, është bërë mëse i nevojshëm unifikimi i BE-s karshi rajonit tonë.  Çdo tendence tjetër për të mos pasur unifikim te politikes evropiane karshi Kosovës, e dobëson BE-në në rajon dhe minon perspektivën e evropianizimit te Ballkanit Perendimor.  Kosova do të marrë pjese sikurse të giitha shtetet tjera në samitin e Sofjes dhe nuk bëjmë kompromise këtu!”, ka thënë zv/kryeministri i parë.

Pacolli pretendon tu ketë thënë ministrave tjerë se mos-njohja e Kosovës nga 5 vendet e BE-së po e ndanë rajonin.

“Ua kam thënë homologëve të mi europian disa herë se mos-njohja nga 5 vendet e BE-së, jo vetem që po e ngadalson ecjen e Kosovës drejt integrimit evropian, por po e ndanë BE-në në rajon dhe po e bënë akter të dobët karshi akterëve të tretë që po tentojnë të depertojnë tek ne”, përfundon postimi i Pacollit në facebook.

Ky Samit pritet të mbahet më 17 maj në Sofje të Bullgarisë.