Aktuale

Krahu i Molliqajt nuk do të përkrahë rrëzimin e Qeverisë

Krahu i Molliqajt nuk do të përkrahë rrëzimin e Qeverisë
17 mars 2018 • 15 : 34

Thirrjeve të vazhdueshme për ta çuar vendin në zgjedhje dhe për ta larguar Qeverinë Haradinaj nga pushteti, nuk do t’u bashkohen deputetët tashmë të larguar nga partia e Albin Kurtit. Analisti Imer Mushkolaj konsideron se krahut të Molliqajt i duhet kohë për të parë fuqinë politike në terren. Deri tash LDK e VV vetëm fjalë kanë dhënë për rrëzimin e Qeverisë. S’ka pasur asnjë nismë të tillë.

Lidhja Demokratike e Kosovës që kur është formuar Qeveria Haradinaj ka paralajmëruar se shpejt do të nis një mocion mosbesimi për ta larguar nga pushteti koalicionin e tashëm Qeverisës. 

E së fundmi, kësaj thirrjeje iu bashkua edhe partia e Albin Kurtit. Përmes një njoftimi, këta të fundit deklaruan se koha është që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejtë.

Por, shkuarja e vendit në zgjedhje të reja nuk do të ndodhë vetëm me LDK’në dhe Vetëvendosjen. Këto dy parti, nuk do ta kenë mbështetjen e 12 deputetëve që tashmë janë larguar nga pozitat brenda strukturave të VV’së.

Të larguarit që tashmë njihen edhe si Krahu i Molliqajt, nuk do ta mbështesin mocionin.
Kështu vlerëson, analisti Imer Mushkolaj, në një përgjigje për Gazetën Express. Krejt çka u duhet deputetëve të larguar, sipas tij, është koha.

“Grupit të Deputetëve të Pavarur, respektivisht grupit të dalë nga Vetëvendosje tash më shumë se gjithçka ju nevojitet koha, kur them koha, është në kuptimin me e bo të qartë për opinionin, për qytetarët, se kush janë vërtetë këta në aspektin ideologjik çfarë orientimi do të marrin në aspektin ideologjik dhe pastaj të shohin nëse vërtetë mund ta ruajnë votimin që e kanë marr si deputet të VV’së”, është shprehur ai.

Ai thotë se si grup nuk është i përgatitur të shkojë në zgjedhje. Kjo, pasi Mushkolaj, thotë se ata duhet ta bëjnë diferencën me Lëvizjen Vetëvendosje dhe çka vërtetë kanë qenë arsyet që i kanë shtyrë ata të largohen nga VV.

“..atyre u nevojitet të konsolidohen dhe pasi t’i bashkohen një numër i qytetareve të tjerë për të cilët ata tash janë në bisedime që figura publike t’i bashkohen, nga shoqëria civile etj por tash u nevojitet koha dhe konsolidimi”, ka sqaruar ai.

Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të reja këtë kohë, këtu sigurisht se do të vërehej edhe rënia për mbështetje ndaj Vetëvendosjes. Për Mushkolajn, largimi i 12 deputetëve logjikisht do të duhet të ndikonte në rënin e VV’së.

Ai vlerëson se nga Vetëvendosjes kanë dalë emra të rëndësishëm që i kanë sjell partisë edhe rritje votash.

“Pavarësisht që unë po shoh deklarata qesharake të VV’së që VV’ja edhe pas largimit të saj do të rritet etj por prapë kjo mbetet të shihet që me largimin e tyre e kane marr edhe votën me vete”, ka thënë ai ndër tjerash.

Vendi u përballë më zgjedhje të jashtëzakonshme në qershorin e vitit të kaluar, pasi opozita e përkrahu edhe nga pozita, e rrëzuan qeverinë e Isa Mustafës.

 

© zëri.info