Aktuale

S’dihet si ndodhën trazirat e 17 marsit as pas 14 viteve!

S’dihet si ndodhën trazirat e 17 marsit as pas 14 viteve!
17 mars 2018 • 13 : 14

Sot janë bërë 14 vjet që nga trazirat e 17 marsit 2004, kur qytetarët u revoltuan pas mbytjes së dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër. Disa fëmijë të tjerë që shpëtuan, treguan para mediave se serbët i kishin ndjekur dhe si pasojë e kësaj dy fëmijët ishin mbytur në Ibër.

Kjo ngjalli reagime të ashpra tek qytetarët, të cilët më 17 mars nisën protestat thuajse në të gjithë Kosovën, që më pas eskaluan në dhunë.

Edhe 14 vjet pas, ende nuk dihet se kush i organizojë apo nëse ishin të orkestruara qëllimshëm. Derisa, askush nuk u gjykua dhe dënua për ato ngjarje.

Nga këto protesta që u shndërruan në dhunë, pati edhe të vrarë shqiptarë e serbë, qindra të lënduar e qindra shtëpi e monumente historike të shkatërruara.

Edhe 14 vjet pas, misioni që atëherë kishte fuqi të jashtëzakonshme, UNMIK-u, nuk flet për ato ngjarje, pos kërkesa për t’iu referuar raporteve të këtij misioni që janë bërë menjëherë pas atyre ngjarjeve.

Zëdhënësja dhe shefja e Zyrës së Komunikimeve Strategjike dhe Punëve Publike (OSCPA) në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) Sanam Dolatshahi, përmes një përgjigjeje elektronike për KosovaPress, thotë se nuk mund të japin asnjë deklaratë, pos referimit të raporteve të publikuara pas ngjarjeve.

“Ju mund t’i referoheni raporteve tremujore të Sekretarit të Përgjithshëm për Kosovën që u botuan pas ngjarjeve të marsit 2004. Ndërsa, për raste specifike ju mund t’i referoheni autoriteteve gjyqësore të Kosovës, pasi arkivat e gjykimit janë tek ata”, ka thënë ajo.

Ndërsa, në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) të botuar më 30 prill 2004, theksohej se në ato protesta humbën jetën 19 persona, nga të cilët 11 ishin shqiptarë të Kosovës dhe 8 ishin serbë të Kosovës, derisa, 954 persona të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve.

“Përveç kësaj, 65 policë ndërkombëtarë, 58 oficerë të Shërbimit Policor të Kosovës (SHPK) dhe 61 punonjës të Forcës së Kosovës (KFOR) kanë pësuar lëndime. Përafërsisht 730 shtëpi që u përkisnin pakicave, kryesisht serbëve të Kosovës, ishin dëmtuar ose shkatërruar. Në sulmet ndaj trashëgimisë kulturore dhe fetare të Kosovës, 36 kisha ortodokse, manastire dhe vende të tjera fetare e kulturore ishin dëmtuar ose shkatërruar. Vendet e adhurimit që u sulmuan datojnë që nga koha e shekullit të katërmbëdhjetë. Dy prej tyre janë të renditura nga UNESCO si vende kryesore të rëndësisë universale dhe e treta renditet si një vend me rëndësi rajonale. Përveç kësaj, prona e UNMIK-ut dhe KFOR-it ishte dëmtuar ose shkatërruar”, thuhej në raport.

Në këtë raport, theksohej se Policia e UNMIK-ut po heton në mënyrë aktive të gjitha incidentet që kanë të bëjnë me ngjarjet e dhunshme, kur deri në atë kohë, hetimet kishin rezultuar më mbi 260 arrestime në lidhje me dhunën.

“Janë bërë edhe 400 arrestime për shkelje të ndalim-qarkullimit, të cilat kanë pasur janë vendosur në disa zona nga KFOR-i dhe policia e UNMIK-ut për të parandaluar dhunën. Prokurorët ndërkombëtarë po punojnë aktualisht në më shumë se 45 raste dhe rreth 120 raste të tjera po trajtohen nga gjyqësori vendor. Duke pasur parasysh shkallën e dhunës, megjithatë, është e qartë se kapaciteti shtesë hetues është ende i nevojshëm për të lejuar autoritetet e zbatimit të ligjit për të ndjekur dhe përfunduar në mënyrë efektive hetimet në kohën e duhur”, thuhej e tutje në raport.

Edhe në një raport tjetër të UNMIK-ut të publikuar më 30 korrik 2004, theksohej se është bërë progres i konsiderueshëm për të sjellë para drejtësisë ata që janë përgjegjës për dhunën në mars.

“Aktualisht, prokurorët ndërkombëtarë po trajtojnë 52 raste që përfshijnë krime të rënda. Këto përfshijnë hetimet gjyqësore në 20 vdekjet e lidhura me dhunën në mars. Janë hapur disa raste kundër organizatorëve të dhunës, duke përfshirë rastet e dhunës ndëretnike. Hetimet në zjarrvënie si dhe dhuna e ushtruar kundër policisë dhe KFOR-it janë në proces. Nga këto hetime, 17 raste janë në fazën e hetimeve gjyqësore, të cilat përfshijnë 34 të pandehur, 18 prej të cilëve janë në paraburgim. Përveç kësaj, janë lëshuar pesë aktakuza. Gjyqësori vendas është duke trajtuar më shumë se 260 raste të lidhura me dhunën, duke përfshirë vjedhjen, zjarrvënien, sulmet ndaj zyrtarëve dhe kundërvajtjet. Përveç kësaj, 80 persona tashmë janë dënuar për kundërvajtje duke marrë dënime duke filluar nga vërejtjet e gjykatës dhe gjobat deri në 200 euro për dënime për një periudhë prej dy deri në gjashtë muaj burgimâ ë , thuhej në raportin e korrikut 2004.

Megjithatë, ende nuk dihet saktë nëse këto protesta të cilat eskaluan në dhunë ishin të orkestruara nga dikush për motive të qëllimshme apo jo. Askush nuk ishte dënuar apo gjykuar për organizimin e tyre.

14 vjet pas, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, thotë se kur flitet për 17 marsin e vitit 2004, qëllimshëm po përdorët si kërcënim për të ardhmen dhe i referohen asaj si rrezik që mund të përsëritet prapë. Sipas tij, pas gjithë asaj çfarë ndodhi, padrejtësisht të gjitha këto ngjarje, i vihen në barrë si fajësi shqiptarëve në Kosovë, gjë që nuk është kështu.

“Po del dhe po duket të ishte plan për t’u bërë kështu dhe Serbia për të përfituar pas gjithë asaj që ndodhi në favor të zonave eksterritoriale të kishave dhe manastirëve e tjera, kështu që i fundit që dinë ose që do të dijë ndonjëherë që akoma nuk e dinë, është qytetari i cili i ka vuajtur ato, por mos të harrojmë që në ato ngjarje ka edhe jetë njerëzish që janë humbur, ka pasur protesta dhe protestues që janë vrarë në ato protesta. Protestuesit si në gjithë botën dhe çdo situatë meritojnë me shumë respekt dhe jo gjykim, për shkak se protestuesit në atë kohë kanë dal ta mbrojnë Kosovën, ta mbrojnë vetveten, ose tek e fundit të shprehin pakënaqësi. Ndaj protestuesve është gjuajtur me armë zjarri nga shumë anë, jo vetëm nga një anë, qoftë nga serbët, por ka të vrarë edhe nga forcat e sigurisë ndërkombëtare, kështu që kush e ka pësuar nga këto, e ka pësuar Kosova, pasojat e të cilave po i vuajm ë edhe sot”, tha Selimi.

Selimi shton se përderisa nuk dinë për atë se si dhe pse ndodhën ato ngjarje, nuk mund ta dinë se prej nga erdhën dhe kush i bëri ato. Sipas tij, e vetmja gjë që dihet është se, ato ngjarje kanë ndodhur në një situatë për t’u orientuar kahja e ecjes së Kosovës, se sa për t’u zgjidhur diçka.

Deputeti Selimi e quan gabim përdorimin e atyre ngjarjeve si kërcënim se një gjë e tillë mund të përderitet prapë, derisa, sipas tij, ato do duhej të merreshin si mësim.

“Prapë ato ngjarje nuk përdoren si mësim, por përdorën si kërcënim. Nuk kemi mësuar nga ato ngjarje, por shpesh nga qarqe politike përdorën si kërcënim dhe jo rrallë herë përdorët se duhet të arrijmë njëfarë paqeje, qoftë edhe në dëm të interesave të shumicës për ta shmangur 2004-ën. Edhe e para edhe e dyta janë gabim, edhe paqja në kurriz të njërës palë është gabim, por edhe kërcënimi me ngjarje të tilla është gabim. Kështu që sa herë po i referohen institucionet politike qoftë vendore, qoftë jo vendore atëherë i referohen si kërcënim, e jo si mësim. Në fakt do duhej të ishte si mësim që Kosovës mos t’i ndodh më kështu”, thotë ai.

Në rrafshin e sigurisë, Selimi thotë se, Kosova ato ditë dështoi të mbrohet edhe nga faktorët dhe mekanizmat e vetë, ndonëse atëherë të brishta, por edhe nga prezenca ndërkombëtare, KFOR-i, i cili u zu i papërgatitur, pore dhe UNMIK-u.

Për këto ngjarje, edhe pse atëherë Shërbimi Policor i Kosovës, tani Policia e Kosovës, nuk kanë dashur të flasin, me arsyetimin se në atë kohë mekanizma tjerë ishin përgjegjës për sigurinë./BotaSot

© zëri.info