“Vetëvendosja”, “e pavendosur” për koalicion me Shpend Ahmetin

Aktuale March 16, 2018 - 07:57

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti nuk e ka shumicën në Kuvendin Komunal të Prishtinës pas largimit nga lëvizja “Vetëvendosje”, megjithatë zyrtarët e kësaj partie thonë se në ditët në vijim Këshilli i Përgjithshëm i Partisë do të vendosë nëse do të bëjë koalicion me Ahmetin, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pas largimit nga lëvizja “Vetëvendosje” kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti ka mbetur pa “krahë” në qeverisjen e kryeqyteti, pasi nuk e ka përkrahjen e anëtarëve të kësaj partie në Kuvendin Komunal.

Për këtë arsye është përfolur se mes Shpend Ahmetit dhe “Vetëvendosjes” mund të ndodhë një koalicion i mundshëm për qeverisjen e Prishtinës.

LEXO EDHE: Zyrtarizimi i shqipes me rëndësi jetike për shqiptarët në Maqedoni

Këshilli i Përgjithshëm i “Vetëvendosjes” pritet që në ditët në vijim të vendosë nëse do të bashkëpunojë me Shpend Ahmetin për qeverisjen e kryeqytetit apo nëse do të dalë në opozitë.

Ndërkohë asamblistët e “Vetëvendosjes” thonë se pavarësisht që Ahmeti është larguar nga “Vetëvendosja” ata do t’i mbështesin vendimet, të cilat janë në të mirë të qytetarëve.

Kurteshi: Këshilli i Përgjithshëm do të vendosë për Prishtinën

Ushtruesi i detyrës së sekretarit të lëvizjes “Vetëvendosje” Ismajl Kurteshi ka bërë të ditur se Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie do të diskutojë për çështjen e Prishtinës.

“Këshilli i Përgjithshëm në mbledhjen, e cila do të mbahet në ditët në vazhdim, do ta diskutojë këtë çështje dhe do ta marrë një vendim”, ka thënë Kurteshi.

Kurse asamblistët e Komunës së Prishtinës, të cilët janë pjesë e lëvizjes “Vetëvendosje”, për gazetën “Zëri” kanë pohuar se do ta përkrahin Shpend Ahmetin në çdo vendim i cili është në të mirë të Prishtinës.

Sipas Eman Rrahmanit, pjesë e këtij grupi, dorëheqja e Shpend Ahmetit nga lëvizja “Vetëvendosje” nuk do të ketë ndikim në vendimet që do të ndërmerren në Komunë.

“Çdo vendim i cili është i mirë për Prishtinën ka për t’u mbështetur nga ne. Puna e cila duhet të përfundohet nga ne si asamblistë nuk ka të bëjë me atë se sikur të kishte qenë Shpendi pjesë e LVV-së, ose sikur të mos kishte qenë. Ne duhet të japim përgjegjësi para qytetarëve e jo para Shpendit”, ka thënë Rrahmani. 

Asamblistët e dorëhequr nga “Vetëvendosja” e përkrahin Ahmetin

Edhe asamblistët e dorëhequr nga “Vetëvendosja” kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se do ta mbështesin kryetarin e Prishtinës deri në fund të mandatit të tij.

Sipas asamblistit Nol Nushi, i cili ka dhënë dorëheqje nga lëvizja “Vetëvendosje”, mbështetja ndaj Shpend Ahmetit dhe e vendimeve të tij që do të kenë qëllim të mirën qytetare do të vazhdojë. “Çdo vendim e propozim i Shpendit që është në përputhje me bindjet tona dhe me interesat qytetare do të përkrahet”, ka thënë Nushi.

Po ashtu ai ka thënë se do të ishte hipokrizi nëse vendimet do të bllokoheshin në Komunë. “Duke e parë përbërjen e Kuvendit dhe duke i njohur asamblistët nuk pres që të ketë bllokadë. Të gjithë ne kemi garuar me programin të cilin e ka prezantuar Shpendi, prandaj është hipokrizi nëse votojmë kundër propozimeve qe i kemi prezantuar vetë”, ka shtuar ai.

Përkrahje për Ahmetin ka treguar edhe asamblisti Genc Sherifi, i cili po ashtu ka dhënë dorëheqje nga kjo parti. Sipas Sherifit, Ahmeti do të përkrahet për realizimin e programit me të cilin ka kandiduar. “Do ta përkrahim kryetarin Ahmeti në realizimin e programit me të cilin ka kandiduar”, ka thënë ai.

Mushkolaj: “Vetëvendosja” të mos dalë në krahun e PDK-së e të LDK-së

Sipas analistit politik Imer Mushkolaj, lëvizja “Vetëvendosje” nuk duhet t’i bllokojë vendimet në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Mushkolaj thotë se nëse kjo parti bën bllokime, atëherë mund të radhitet në krahun e PDK-së dhe të LDK-së. “‘Vetëvendosja’ është pjesë e qeverisjes në Prishtinë dhe nuk ishte dashur që ata ta bllokojnë punën dhe të radhiten në punën e bllokuesve sikurse PDK-ja dhe LDK-ja”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka thënë se këtë situatë mund ta rregullojë një koalicion mes Shpendit dhe lëvizjes “Vetëvendosje”. “Një gjë që mund të jetë është ripërtëritja e një koalicioni me Shpendin duke provuar t’i çojnë punët përpara. Nuk është në të mirën e tyre ta bllokojnë Kuvendin sepse nuk përfiton asgjë ‘Vetëvendosja’”, ka thënë Mushkolaj

Përndryshe, pas largimit të Shpend Ahmetit nga “Vetëvendosja” kjo parti përmes një reagimi ka thënë se do të jetë opozitë në Prishtinë, megjithatë mbetet të shihet nëse Këshilli i Përgjithshëm i “Vetëvendosjes” do të ndryshojë qëndrim sa i përket kësaj çështjeje.