Zyrtarizimi i shqipes me rëndësi jetike për shqiptarët në Maqedoni

Aktuale March 16, 2018 - 07:51
Lexo detajet

Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili mundëson përdorimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet e Maqedonisë, vlerësohet pozitivisht nga analistët politikë. Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov ka thënë se nuk do ta dekretojë ligjin pasi e vlerëson kundërshtetëror, shkruan sot Gazeta "Zëri".                                      

Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, i cili parashikon avancimin e përdorimit të gjuhëve të bashkësive etnike që përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në Maqedoni, është vlerësuar edhe nga analistët politikë.

Kjo pasi me këtë ligj mundësohet përdorimi i gjuhës shqipe në nivelin qendror dhe në atë lokal në Maqedoni.

LEXO EDHE: Ndarja e “Vetëvendosjes”, “lufta” për komisione

Megjithatë presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, ka thënë se nuk do ta nënshkruajë ligjin pasi e ka vlerësuar si kundërshtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike.

Megjithatë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, si dhe anëtarë të Gjykatës Kushtetuese të këtij shteti thonë se Ivanov nuk do të mundë ta bllokojë ligjin pasi të drejtën e vetos e kishte përdorur herën e parë kur është votuar ligji dhe se pas votimit të dytë nga Kuvendi nuk mund të përdoret veto sërish.

Bexheti: Miratimi i ligjit, avancim i jashtëzakonshëm

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Nuri Bexheti, për “Zërin” ka thënë se e sheh si arritje të rëndësishme miratimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve.

“Unë mendoj se është një arritje shumë e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë, ligji është një avancim i jashtëzakonshëm. Gjuha shqipe nuk është e barabartë me gjuhën maqedonase, kuptohet që gjuha maqedonase vazhdon të jetë gjuha e parë në vend, por që plotësisht kuptohen të gjitha aspiratat dhe kërkesat ku shqiptarët janë shumicë në vendet ku jetojnë”, ka thënë ai.

Sipas tij, ky ligj përbën edhe disa kufizime në përdorimin e gjuhës.

“Në nivelin qendror dhe në atë lokal gjuha shqipe do të përdoret në të folur dhe në të shkruar. Mirëpo ajo nuk do të përdoret në komandim si p.sh. gjatë ushtrisë, në diplomaci, në raportet diplomatike dhe pothuajse nëpër pikat e sigurisë”, ka thënë ai duke shtuar se sfidë serioze në këtë ligj do të jetë implementimi i saj.

Sela: Vendimi i djeshëm me rëndësi jetike
 

Profesori në Universitetin e Tetovës, Ylber Sela, miratimin e këtij ligji e konsideron me rëndësi jetike për Maqedoninë.

“Vendimi i djeshëm për zyrtarizimin e gjuhës shqipe ishte me rendësi jetike pasi realizohet një arritje për barazimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë dhe me ketë përmbyllet një pikë e rëndësishme e dalë nga Marrëveshja e Ohrit”, ka thënë Sela.

Ky vendim, sipas tij, është një hap i mirë i krijimit të shtetit shumetnik maqedonas.

“Maqedonia është në rrugë të mirë për të krijuar një shtet shumetnik, ku edhe shqiptarët do t’i kenë të drejtat e tyre të barabarta dhe me këtë vendim besoj se arrihet edhe barazia gjuhësore”, deklaroi ai.

Sela ka treguar edhe në lidhje me shtrirjen e  përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedoni.

Ai ka thënë se gjuha shqipe do të përdoret në nivel lokal dhe në atë qendror.

“Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në ushtri dhe në valutën shtetërore do të dërgohet në Komisionin e Venedikut. Gjuha shqipe nuk do të përdoret vetëm në komunikim ndërkombëtar”, ka përfunduar ai.

Hajdari: Miratimi i këtij ligji, tallje për shqiptarët e Maqedonisë

Njohësi i çështjeve politike nga Maqedonia, Fejzi Hajdari, miratimin e Ligjit për Gjuhët e ka konsideruar si tallje që po u bëhet shqiptarëve të këtij shteti.

“I thonë Ligji për Gjuhën Shqipe që të krijohet përshtypja se partnerët e tyre politikë të biznesit në Maqedoni na paskan arritur alamet suksesi. Sinqerisht, kjo është tallja më e madhe që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë”, ka thënë ai. Sipas tij, ky miratim nuk paraqet ndonjë rëndësi dhe e gjitha kjo është një spektakël.

“Ky spektakël me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe jo ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe. E dini, pse? Sepse ketë status të gjuhës së rendit të dytë gjuha shqipe e ka pasur që nga pavarësimi i Maqedonisë dhe sidomos me Marrëveshjen e Ohrit që doli si rezultat i konfliktit të armatosur të vitit 2001 në Maqedoni” ka deklaruar Hajdari për “Zërin”.

Ndër të tjerash Hajdari e ka krahasuar pozitën që ka gjuha serbe në Kosovë me pozitën e gjuhës shqipe në Maqedoni: “Fjala bie, pse të mos jetë gjuha shqipe zyrtare në Strumicë, siç është gjuha serbe zyrtare në Skenderaj ose në një qytet ku nuk ka asnjë serb. Pastaj, se nuk është zyrtare gjuha shqipe në Maqedoni mund ta shihni te Preambula e Kushtetutës ku thuhet: Gjuhë zyrtare në Maqedoni është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”, ka shtuar Hajdari

Xhaferi: Ivanov është i obliguar ta nënshkruajë Ligjin për Gjuhët

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, ka kërkuar nga presidenti Gjorgje Ivanov që ta dekretojë Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve pasi në të kundërtën ai shkel Kushtetutën e Maqedonisë, e cila e obligon atë që të fuqizojë ligjin pas kalimit të dytë në Kuvend.

"Neni 75 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë është i qartë dhe se pas votimit të dytë të ligjit me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve të pranishëm në Parlament, që është rast edhe me ligjin në fjalë, kreu i shtetit është i obliguar që të nënshkruajë aktin e miratimit të ligjit. Në të kundërtën, do t’i shkelë normat kushtetuese", ka deklaruar kryeparlamentari Xhaferi pa saktësuar se çfarë mund të ndodhë nëse presidenti qëndron pas deklaratës për mosdekretimin e ligjit.

Edhe njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se presidenti duhet të dekretojë ligjin, por nëse këtë nuk e bënë atëherë, sipas Osman Kadriut, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, duhet të kërkohen mekanizma tjerë në kuadër të Rregullores mbi Punën e Kuvendit që ligji të hyjë në fuqi.

“Për mendimin tim, presidenti e shfrytëzoi një herë të drejtën e vetos dhe tani sipas Kushtetutës të vendit mendoj se presidenti është i obliguar ta nënshkruajë ligjin. Sa i takon situatës që mund të krijohet nëse Ligji për Gjuhët përsëri nuk firmoset nga presidenti Gjorgje Ivanov, jam i sigurt se në pjesët e Rregullores së Kuvendit, të Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin parashikohet se si të veprohet në rastet e tilla, që më pas ligji të mundë të publikohet në Gazetën Zyrtare dhe ligji të hyjë ne fuqi”, ka deklaruar Kadriu.