Të dorëhequrit do t'i kushtojnë Vetëvendosjes mbi 400 mijë euro në vit

Aktuale March 15, 2018 - 13:04
Lexo detajet

Ndarja e Vetëvendosjes ka sjellë telashe të shumta ligjore mes deputetëve të Grupit Parlamentar, të cilat kanë filluar të dalin në pah të mërkurën pasi 12 deputetët e dorëhequr nga VV vendosën të formojnë grup të pavarur parlamentar.

Kjo ndarje faktike në Kuvend ka ngjallur reaksione në partinë e Albin Kuritit, pasi do të ketë edhe implikime buxhetore.

Sipas ligjeve në fuqi, për secilin deputet të Kuvendit, partia politike merr nga buxheti i shtetit 35 mijë euro në vit. Kështu 12 deputetëve të dorëhequr të Vetëvendosjes u takojnë 420 mijë euro në vit.

Por partia e Albin Kurtit është kundër dhënies së këtyre mjeteve për deputetët e dorëhequr me arsyetimin se ata i kanë fituar mandatet në emër të VV-së.

Madje, deputetja e VV-së Albulena Haxhiu ka kërkuar në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që deputetja Aida Dërguti e cila mban pozitën e nënkryetares së Kuvendit në emër të Vetëvendosjes, të japë dorëheqje apo në të kundërtën ka paralajmëruar se do të kërkojë nga Kuvendi shkarkimin e saj, ndërsa për një vendim të tillë duhet të votojnë pro shkarkimit 80 deputetë.

Nga ana tjetër, deputetët e dorëhequr kanë paralajmëruar Vetëvendosjen se në rast të bllokimit të buxhetit të tyre, do ta dërgojnë rastin në Gjykatën Kushtetuese, shkruan Gazeta Metro.

Siç merret vesh, LDK e ndanë buxhetin me AKR-në dhe alternativën e PDK ndërkaq me AAK-në dhe Nismën, pasi që janë regjistruar si grup i përbashkët parlamentar në fillim.

Ndryshe, ndarja e Vetëvendosjes ka sjell brenda anëtarësisë së saj shumë debate të ashpra polarizuese pasi kjo parti gjatë gjithë kohës ka folur për parime e barazi sociale, ndërkohë që deputetët e saj vazhdojnë të grinden e të kenë probleme tani pikërisht për pushtet brenda Kuvendit dhe mjete financiare.