Punët në urë rifillojnë pas rundit të fundit të dialogut në Bruksel

Aktuale March 15, 2018 - 09:11
Më në fund dorëzohet Goran Rakiq

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, më në fund ka lejuar të rifillojnë punimet në ndërtimin e zonës së këmbësorëve në rrugën “Mbreti Peter” në veri të urës, pas rundit të fundit të dialogut në Bruksel, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, nuk ka mundur më t’i mbajë peng punët në përfundimin e dy projekteve të BE-së, revitalizimin e urës së Ibrit dhe revitalizimin e rrugës “Mbreti Peter”, ku do të ndërtohet zona e këmbësorëve e për të cilat BE-ja ka investuar 3.1 milionë euro.

Derisa në pjesën jugore të urës punët kanë përfunduar para një viti, në veri ato ishin ndërprerë në prillin e vitit 2017 me urdhër të kryetarit të Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq, për shkak, siç ishte arsyetuar ai, të mungesës së sigurisë.

LEXO EDHE: Kampionja e ndërrimit të partive

Ai kishe kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga institucionet e sigurisë në Kosovës që të ketë siguri për qytetarët, ndërsa nga BE-ja që të respektohet Marrëveshja e Brukselit, shkruan më tutje "Zëri".

Zëdhënësja e BE-së në Kosovës, Dinka Zhival, u ka thënë medieve në veri se BE-ja pret të zbatohet në tërësi Marrëveshja e Brukselin për urën tani kur kanë rifilluar punimet në urë në pjesën veriore dhe në rrugën “Mbreti Peter”, ku do të ndërtohet zona e këmbësorëve dhe rrethrrotullimi.

Punët në revitalizimin e urës nga pjesa veriore, si dhe të zonës së këmbësorëve në rrugën “Mbreti Peter”, është duke i kryer kompania “Sintek K-ing”, e cila paraprakisht ka rrethuar me pllaka të metalta gjithë zonën ku kanë filluar të kryhen punët.

Pas fillimit të punimeve as kryetari i Mitrovicës së Veriut Goran Rakiq e as komuna veriore nuk kanë dhënë ndonjë njoftim për fillimin e punimeve. Por, Rakiq para një jave ka vizituar vendin ku është duke u punuar bashkë me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë Greg Dellawie, i cili nga Rakiq ishte njoftuar se do të fillojnë punimet.

“Jam i kënaqur që po shoh se kanë filluar punimet në revitalizimin e urës. Nuk ka alternativë tjetër pos dialogut në Bruksel dhe suksesit në zbatimin e Marrëveshjes”, pati thënë Dellawie para një jave, gjatë vizitës te ura në veri të Mitrovicës.

Kryetari Rakiq edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, të martën, ka përmendur situatën e sigurisë në veri, për të cilën ka thënë se është e brishtë dhe se ngjarjet e këtij viti, ku në mesin e shumë incidenteve është shënuar edhe një vrasje, ajo e Oliver Ivanoviqit, kanë treguar se ai kishte të drejtë kur ka urdhëruar ndërprerjen e punimeve. 

“Nuk është hera e parë që unë tërheq vërejtjen për gjendjen e sigurisë në qytetin tonë. Ajo nuk është në nivelin e kënaqshëm as tani kur është aktualizuar puna në revitalizimin e urës”, ka thënë Rakiq.

Ndryshe, ura mbi lumin Ibër vazhdon të jetë e hapur vetëm për këmbësorë, ndërsa ajo do të duhej të hapej për qarkullim të automjeteve dhe të këmbësorëve në janarin e vitit 2017. Në Mitrovicë kishte ardhur edhe shefja e diplomacisë evropiane Frederica Mogherini me qëllimin për ta hapur urën për qarkullim të automjeteve dhe të këmbësorëve, por meqë punët në rivitalizimin e urës kishin përfunduar vetëm në pjesën jugore, hapja e urës ishte shtyrë pa ndonjë afat të caktuar.