Kampionja e ndërrimit të partive

Aktuale March 15, 2018 - 08:54
Donika Kadaj-Bujupi dje u rikthye në AAK

Donika Kadaj-Bujupi ka nisur karrierën politike në AAK, nga e cila kaloi në lëvizjen “Vetëvendosje”. Edhe nga kjo e fundit dha dorëheqje për t’u rikthyer në partinë e kryeministrit Ramush Haradinaj, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Karrierën politike e kishte nisur në partinë e Ramush Haradinajt. Në AAK Donika Kadaj-Bujupi kishte formuar identitetin e saj politik, mirëpo në pranverën e vitit 2016 ajo kishte marrë një vendim krejtësisht të papritur për opinionin.

Duke qenë njëri ndër personat më të afërt të liderit të AAK-së Ramush Haradinajt, duke qenë shefe e grupit parlamentar të partisë së drejtuar nga Haradinaj, Kadaj-Bujupi kishte vendosur të largohej përfundimisht nga “foleja” ku ishte formësuar politikisht.

LEXO EDHE: Zyrtarizohet ndarja e ''Vetëvendosjes''

Vetëm një muaj pas Kadaj-Bujupi i ishte bashkuar lëvizjes “Vetëvendosje”, parti të cilën e kishte kritikuar disa herë sa ishte e rreshtuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Largimin nga AAK-ja ajo e kishte mbështetur mbi “faktin” se partia e Haradinajt kishte devijuar nga koncepti i parimeve, shkruan më tutje "Zëri".

Ndërkaq aderimi në lëvizjen “Vetëvendosje”, siç qe shprehur ajo atë kohë, ia mundësonte ruajtjen e bindjeve të saja.

Megjithatë, pas dy vjetësh qëndrim në “Vetëvendosje” ish-shefja e GP-së së AAK-së u rikthye sërish në partinë ku kishte qenë, parti kjo e cila aktualisht mban timonin e qeverisjes.

Aderimi në “Vetëvendosje” dhe zotimi për të mos u ndalur kurrë

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Zëri”, në prill të vitit 2016, Kadaj-Bujupi kishte thënë se largimi nga AAK-ja s’kishte të bënte me mosmarrëveshje individuale porse kryekëput me dallime konceptuale.

“Pas një periudhe të gjatë të rezistencës dhe kundërshtimit si opozitë e bashkuar dhe pas lirimit nga arresti shtëpiak kuptova se gjërat nuk ishin njësoj dhe se duhej të zgjidhja ndërmjet të qëndruarit në AAK me rrezikun e devijimit nga bindjet, koncepti dhe nga besimi në ndryshim”, pati thënë Kadaj-Bujupi për “Zërin”.

E pas kalimit në lëvizjen “Vetëvendosje” Kadaj-Bujupi, ishte arrestuar për gjuajte të gazit lotsjellës në Kuvend bashkë me disa deputetë të tjerë të LVV-së, pasi që nuk ishin paraqitur në gjykatë.

Por pavarësisht këtyre, pas lirimit nga burgu i Lipjanit, ku kishte qëndruar së fundmi, Kadaj-Bujupi kishte paralajmëruar se lëvizja “Vetëvendosje” nuk do të ndalej së rezistuari.

“Ne nuk do të ndalemi kurrë, kurrë nuk do të pajohemi me vendimet politike të cilat janë marrë nga gjykatës të ‘Prontos’ dhe kurrë nuk do të nënshtrohemi nga përpjekjet e tyre që përmes maltretimeve të na thyejnë dhe ta mundësojnë implementimin e marrëveshjeve të dëmshme. Pra, ne do të vazhdojmë të rezistojmë fuqishëm si asnjëherë më parë”, qe shprehur ajo.

Akuzat e Kadaj-Bujupit karshi Haradinajt

Ndërkohë, pas braktisjes së AAK-së Kadaj-Bujupi kishte pasur përplasje të vazhdueshme me ish-bashkëpunëtorët në AAK, duke përfshirë këtu edhe vetë shefin Ramush Haradinaj. Këtij të fundit madje i kishte vënë edhe epitete krejtësisht negative. 

Pas zgjedhjes së tij kryeministër, në shtator të vitit të shkuar, ajo e kishte cilësuar Haradinajn si person të presidentit të tanishëm serb, Aleksandër Vuçiq. “Nga Ramushi komandant i UÇK-së në Ramushin e Veselit dhe të Veselinoviqit, Srpskas dhe Vuçiqit. Andaj, sonte le të urohet vetëm Beogradi”, pati shkruar në “Facebook” Kadaj-Bujupi.

Ky reagim i saj kishte ardhur pasi që zgjedhjen e kabinetit qeveritar e kishin mundësuar votat e Listës Serbe.

Ky mllef i saj nuk përfundoi këtu karshi Haradinajt. Përkundrazi, Kadaj-Bujupi para rreth 3 muajsh kërkonte me këmbëngulje rënien e Qeverisë dhe dorëheqjen e Ramush Haradinajt, ani pse sa ishte në AAK e konsideronte atë personin më të duhur për ta drejtuar vendin.

“Dështimi i qeverisjes së vendit në mënyrë koherente me SHBA-në në fazën në të cilën gjendet vendi ynë është dëm i madh dhe çdokush që ka pjekuri shtetformuese dhe ndjenja patriotike do të duhej të largohej nga skena politike për t’u dhënë rast njerëzve të rinj e ideve të reja, kreativitetit dhe më së shumti mençurisë shtetformuese, ashtu që kombit tonë t’i hapen rrugët dhe të dalë nga izolimi i krijuar nga udhëheqës të papërgjegjshëm për gati dy dekada”, pati kërkuar ajo.  

Rikthimi pas dy vjetëve

Në mars ishte larguar, në mars edhe u kthye. Dy vjet të plota (2016-2018) qëndroi jashtë AAK-së, por në fund vendosi të kthehet në partinë e Haradinajt, me të cilin kishte ftohur raportet qysh prej 2016-ës.

Pavarësisht se para dy vjetësh Kadaj-Bujupi kishte thënë për “Zërin” se po ndihej mirë në lëvizjen “Vetëvendosje”, tashmë ka vendosur që ta braktisë pikërisht këtë parti të drejtuar nga Albin Kurti, të cilit dikur i thurte elozhe.  

Ndonëse shprehej “rehat” në LVV, Kadaj-Bujupi së fundi doli edhe kundër Kurtit, pasi që ashtu si ajo qe shprehur, Kurti po e çonte partinë drejt dështimit.

Ndërkohë, rikthimi i Kadaj-Bujupit në partinë e Haradinajt nuk do ta ndihmojë vetëm AAK-në, por edhe koalicionin qeverisës. Me braktisjen e LVV-së nga Kadaj-Bujupi koalicioni qeverisës ka siguruar edhe një votë “për” ta kaluar Demarkacionin, duke e çuar numrin e votave në 79.