Aktuale

Zyrtarizohet ndarja e ''Vetëvendosjes''

Zyrtarizohet ndarja e ''Vetëvendosjes''
15 mars 2018 • 08 : 34 Foto: Laura Hasani

‘'Vetëvendosje'’ përfundimisht është ndarë në dy grupe!

Lëvizja “Vetëvendosje” nga 32 deputetë sa kishte deri dje ka mbetur me vetëm 19, pasi i janë larguar 13 deputetë, 12 prej tyre kanë formuar “Grupin e Deputetëve të Pavarur”. Kështu, “Vetëvendosja” ka humbur primatin e partisë më të madhe parlamentare, duke dalë e treta, pas LDK-së me 27 deputetë dhe PDK-së me 23, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Të mërkurën është zyrtarizuar ndarja e lëvizjes “Vetëvendosje”, pasi 12 deputetë të saj kanë formuar grup të ri parlamentar, të cilin e kanë quajtur “Grupi i Deputetëve të Pavarur”.

Ndërsa deputetja Donika Kadaj Bujupi është rikthyer në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Formimi i këtij grupi parlamentar vlerësohet si ndarje përfundimtare e “Vetëvendosjes”.

Pjesë e “Grupit të Deputetëve të Pavarur” do të jenë: Aida Dërguti, Visar Ymeri, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Dukagjin Gorani, Driton Çaushi, Dardan Sejdiu, Frashër Krasniqi, Dardan Molliqaj, Besa Baftiu, Salih Salihu dhe Shqipe Pantina.

LEXO EDHE: Debati për 100-ditëshin e qeverisë ''Haradinaj'' me 88 ditë vonesë

Kurse shef i Grupit është caktuar deputeti Dardan Sejdiu, i cili edhe ka dorëzuar kërkesën për regjistrimin e këtij grupi në Kuvend, shkruan më tutje "Zëri".

“Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka pranuar sot kërkesën e deputetit Dardan Sejdiu, të nënshkruar nga 12 deputetë, për krijimin e grupit të ri parlamentar, me emër “Grupi i Deputetëve të Pavarur” (GDP). Kryetar i grupit, sipas kërkesës, do të jetë deputeti Dardan Sejdiu”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

“Vetëvendosja”: Dërguti të dorëhiqet nga posti i nënkryetares ose e shkarkojmë

Deputetja e “Vetëvendosjes”, Albulena Haxhiu, ka thënë se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit është debatuar për formimin e grupit të ri parlamentar nga 12 deputetë, që deri sot kanë qenë pjesë e Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”.

 Haxhiu ka thënë se posti i një nënkryetari i takon “Vetëvendosjes”, prandaj ka thënë se duhet të dorëhiqet nënkryetarja Aida Dërguti pasi më nuk përfaqëson “Vetëvendosjen”.

“Në emër të Grupit Parlamentar kërkova që zonja Dërguti, e cila është anëtare e Kryesisë së Kuvendit e që deri sot e ka përfaqësuar lëvizjen ‘Vetëvendosje’, ose të dorëhiqet, pasi më nuk e përfaqëson lëvizjen ‘Vetëvendosje’, ose ne qysh nesër do t’i iniciojmë procedurat për shkarkimin e saj, që do të duhej ta bënte Kuvendi. Është e pakuptimtë që ta mbajë atë post përderisa nuk e përfaqëson më ‘Vetëvendosjen’. Po të kishte moral politik zonja Dërguti do të duhej të dorëhiqej nga ky post, që e mban në emër të ‘Vetëvendosjes’”, ka deklaruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se i ka kërkuar Dërgutit në mbledhje të Kryesisë që ta ofrojë dorëheqjen nga posti i nënkryetares, por ka thënë se Dërguti nuk ka thënë ndonjë fjalë.

Për më tepër, Haxhiu tha se deputetët e dorëhequr nga “Vetëvendosja” do të duhej të dorëhiqeshin nga posti i deputetit në tërësi.

Sejdiu: Do të shtyjmë agjenda progresive në Kuvend

Shefi i Grupit të ri Parlamentar, Dardan Sejdiu, ka thënë se 12 deputetë të pavarur duan të flasin e të shtyjnë përpara agjendë për përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.

“Ideja është fare e thjeshtë, të shtyjmë agjenda progresive në Kuvendin e Kosovës, të flasim për tema që prekin përditshmërinë e qytetarëve. Sot e keni parë një debat për raportin e 100-ditëshit të parë të qeverisë ‘Haradinaj’, në ditën e saj të 188-të. Në vend se të fokusohej në tema konkrete, debati shkoi në drejtim të përplasjeve e të akuzave, që nuk e prekin jetën e qytetarëve”, ka deklaruar Sejdiu.

Duke folur për kërkesën e “Vetëvendosjes” që të largohet Aida Dërguti nga posti i nënkryetares, ka thënë se është kërkesë që duhet të shqyrtohet në seancë, megjithatë ai ka dhënë sinjale se nuk do të largohet Dërguti nga ky post.

“Është kërkesë e ‘Vetëvendosjes’. Është vendim i seancës plenare. Mendoj që zonja Dërguti nuk ka ndërruar asgjë as si përmbajtje dhe as si person, mendoj se nuk duhet të trajtohet personi vetëm nga prizmi partiak”, ka shtuar Sejdiu.

Sejdiu ka thënë se nuk kanë ndërruar qëndrim sa i përket Demarkacionit.

Ai madje ka thënë se Ligji për Demarkacionin është edhe më problematik sesa vetë Marrëveshja, pasi në ligj edhe thuhet se Marrëveshja është gabim dhe kërkohet miratimi.

Kurse deputeti tjetër i këtij grupi, Sali Salihu, ka thënë për gazetën “Zëri” se ende nuk kanë vendosur për formimin e partisë.

“Kemi vendosur që Grupi Parlamentar të quhet ‘Grupi i Deputetëve të Pavarur’. Për parti nuk kemi vendosur ende asgjë. Kam qenë jashtë vendit dhe nuk kam më shumë informata”, ka deklaruar Salihu.

Donika Kadaj kthehet në AAK

Deputetja e 13-të që është larguar nga Grupi Parlamentar i “Vetëvendosjes”, Donika Kadaj Bujupi, është rikthyer në partinë e dikurshme.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në “Facebook’ ka konfirmuar se Donika Kadaj-Bujupi është rikthyer në AAK.

“Me deputeten e Kuvendit Donika Kadaj-Bujupin bashkëbiseduam për zhvillimet aktuale politike në Kosovë. Nga sot Donika i rikthehet Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Rrugëtimin nëpër proceset politike në vend do ta vazhdojmë bashkërisht”, ka shkruar Haradinaj.

Donika Kadaj-Bujupi ishte larguar nga AAK-ja në mars të vitit 2016 për t’iu bashkuar “Vetëvendosjes”, ku qëndroi rreth dy vjet.

Demhasaj: Të pakënaqurit e “Vetëvendosjes” nuk e kanë të qartë të ardhmen

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, ka thënë se formimi i grupit të ri parlamentar nga të pakënaqurit e “Vetëvendosjes” ka qenë i pritur. Por, sipas tij, këta deputetë ende nuk e kanë të qartë të ardhmen e tyre politike.

“E kemi pritur të gjithë se ata do të formojnë grup të veçantë parlamentar, pasi dihen ndarjet apo mospajtimet që i kanë pasur me “Vetëvendosjen” dhe tashmë po shihet se zyrtarisht është dorëzuar kërkesa. Ajo që po më duket pa kuptim është si këta deputetë nuk po japin dorëheqje nga ‘Vetëvendosja’ si parti e në anën tjetër po formojnë grup parlamentar. Kjo dëshmon se ata ende nuk kanë vendosur se a do të krijojnë parti të re apo si do të veprojnë në të ardhmen, ka vlerësuar Demhasaj.

Ai më tej ka thënë se është e pritshme që “Vetëvendosja” ta kërkojë dorëheqjen e Aida Dërgutit nga posti i nënkryetares së Kuvendit pasi “Vetëvendosjes” si grupi i tretë më i madh parlamentar i takon ky post.

Edhe analisti Mazllum Baraliu ka thënë se është e paqartë e ardhmja politike e këtyre deputetëve. Ai ka thënë se formimi i grupit të ri parlamentar është hap i finalizimit të ndarjes së “Vetëvendosjes”.

“Sigurisht se tashmë ky grup i deputetëve të ‘Vetëvendosjes’ ka bërë një hap më tutje drejt ndarjes përfundimtare nga ‘Vetëvendosja’ dhe sigurisht se kanë qëllim për veprim të pavarur me një platformë tjetër si grup parlamentar në Kuvend. Se çfarë risish do të ketë ende nuk dihen, pasi ende nuk janë publike”, ka deklaruar Baraliu.

Ai ka thënë se largimi i këtyre e dobëson “Vetëvendosjen”.

© zëri.info