Debati për 100-ditëshin e qeverisë ''Haradinaj'' me 88 ditë vonesë

Aktuale March 15, 2018 - 08:14
Ja çfarë ndodhi dje në këtë debat

Në ditën e 188-të të qeverisë “Haradinaj” Kuvendi i Kosovës ka debatuar për raportin e 100-ditëshit të parë të kësaj qeverie. Në këtë seancë po ashtu nuk janë votuar rekomandimet e opozitës lidhur me vendimin e Qeverisë për rritje të pagave për kabinetin qeveritar, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Deputetët e Kuvendit të Kosovës as gjatë seancës plenare të thirrur dje nuk i siguruan numrat për t’i kaluar rekomandimet e opozitës lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave për kabinetin qeveritar.

Nga 107 deputetë të pranishëm në sallë, 49 votuan pro, 58 kundër dhe asnjë abstenim.

Në seancës e së mërkurës, me 88 ditë vonesë, është debatuar raporti për 100-ditëshin e qeverisë “Haradinaj”.

LEXO EDHE: Vota e ''artë'' për Demarkacionin

Kjo seancë shkoi me akuza e kundërakuza kryesisht për çështjen e ushtrisë.

Ishte Avdullah Hoti, nga LDK-ja, i cili filloi akuzat kundrejt kryeministrit Haradinaj për krijimin e ushtrisë së Kosovës.

Me këtë rast Haradinaj vazhdoi këtë debat duke e bërë LDK-në fajtore për moskrijimin e deritanishëm të ushtrisë.

Hoti: Haradinaj ka mashtruar për ushtrinë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, e ka akuzuar kryeministrin Haradinaj se ka mashtruar për themelimin e shpejt të ushtrisë, gjë që ka zgjuar debat në Kuvendin e Kosovës mes LDK-së dhe kryeministrit.

Pas kësaj akuze është përgjigjur kryeministri Haradinaj, duke thënë se ishte LDK-ja ajo që e la Kosovën pa ushtri në kohën kur diskutohej me Listën Serbe që në këmbim të ushtrisë t’u sigurohen edhe për katër vjet ulëset e rezervuara.

“LDK-ja e ka bllokuar krijimin e ushtrisë, kanë dashur të jenë patriotë. Mos më besofshi mua pyetni në Ambasadën e SHBA-së, pasi që disa prej jush keni komunikim me ta, e keni lënë Kosovën qe 10 vjet pa ushtri, keni shitur patriotizëm qysh atëherë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se ka edhe dëshmi për këtë çështje, duke sugjeruar që për vërtetësinë e deklaratave të tij të pyetet në Ambasadën Amerikane.

Gjatë fjalimit të tij kryeministri Haradinaj ka polemizuar me deputetin e LDK-së Arben Gashin, të cilit me një gjuhë të ashpër disa herë i ka thënë se nuk po e thotë të vërtetën.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, është përfshirë në debatin për formimin e ushtrisë së Kosovës, duke thënë se është fakt i pamohueshëm kundërshtimi i LDK-së dhe i “Vetëvendosjes” për formimin e ushtrisë.

“Edhe LDK-ja, edhe ‘Vetëvendosja’ nuk kanë qenë të gatshme ta përmbyllin një proces të formimit të ushtrisë me vendet e rezervuara, të cilat në vitin 2018, kur ne po bisedojmë, kishin me qenë histori”, ka thënë Hoxhaj.

Në anën tjetër, “Vetëvendosja” ka vazhduar me kundërshtimet e saj kundrejt koalicionit qeverisës, me ç’rast ka kërkuar përsëri rrëzimin e kësaj qeverie, që sipas tyre i ka sjellë vetëm dëm vendit.

Osmani: Qeveria nuk e di çfarë flitet në dialog

Deputetja e LDK-së Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme në Kuvendin e Kosovës ka folur për dialogun e Kosovës me Serbinë, duke thënë se Qeveria as vetë nuk e di se çfarë flitet në dialog.

Sipas Osmanit, institucionet e Kosovës janë komplet të çakorduara kur bëhet fjalë për atë që po diskutohet mes dy palëve.

“Pse Qeveria po e lejon Hashim Thaçin të takohet herë publikisht e herë fshehtas me Vuçiqin pa e ditur se për çka po flasin”, ka thënë deputetja.

Osmani po ashtu ka thënë se Kosovës nuk i ka garantuar askush se nëse i shtohen mandatet komunitetit serb do të votohej ushtria.

“Në asnjë moment nuk ka pasur garanci se nëse vazhdohen vendet e rezervuara votohet ushtria. Ky ka qenë një kurth”, ka thënë Osmani.

Konjufca: Vetëm një dallim i qeverisë “Haradinaj” me qeverinë “Mustafa”

Shefi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca ka thënë se kjo Qeveri është modeluar në atë formë që të modelojë vetëm kërkesat për interesa të tyre personale.

“Qeveria është si llastiku. Pasi që këtyre si t’u konvenon e rimodelojnë Qeverinë ashtu si të duan”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij, e vetmja arsye e këtyre dështimeve të kësaj Qeverie është pasi që kjo e fundit është krijuar nga një mazhorancë e brishtë. Duke krahasuar punën e qeverisë “Haradinaj” me qeverinë “Mustafa”, deputeti Glauk Konjufca ka thënë se i vetmi dallim në mes tyre është se “ky kryeministër vrapon më shpejt”.

Po ashtu Konjufca pati edhe një debat me ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajlin, të cilin e kritikoi që nuk po bën asgjë për t’i trajtuar 3 vdekjet e dyshimta që ndodhën në QKUK vitin e kaluar.

Me këtë rast ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat që të zbardhen vdekjet e tre pacientëve në QKUK.