Vuçiq: Po na thonë se Kosova duhet ta ketë ushtrinë

Aktuale March 14, 2018 - 12:28
Lexo detajet

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka deklaruar pas takimit me ndihmës-sekretarin amerikan të shtetit Wess Mitchell se Serbia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qëndrime të ndryshme rreth Kosovës, porse Mitchell “e ka dëgjuar atë që e ka për ta thënë Serbia, e ndoshta edhe e ka kuptuar”, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.

Vuçiq, siç transmeton Gazeta Express, ka thënë se pozitat e dy vendeve kur është fjala për Forcat e Sigurisë të Kosovës, porse me Mitchellin është pajtuar se duhet të ruhet paqja dhe të vazhdojnë bisedimet nën patronazhin e Bashkimit Evropian.

“Ekziston vetëm KFOR-i, kurrfarë forcash tjera. Këtë e parasheh edhe Rezoluta 1244. Prandaj është pyetja për mysafirët që flasin për ushtrinë, të tregojnë cilindo nen, paragraf, çka do qoftë. Ata atë e mbështesin në tjera çështje, respektivisht në atë se e njohin si shtet të pavarur, kështu që për ta është në rregull që shteti i tillë të ketë ushtri”, ka thënë Vuçiqi.

Ai ka porositur se Serbia mund të pranojë kompromis, por jo edhe poshtërim.

“Çdo kompromis është i rëndë, por këtë duhet ta pranojë edhe pala e dytë edhe e treta”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se diplomatit amerikan ia ka shprehur qëndrimin se është i bindur se Prishtina nuk do t’i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit, respektivisht nuk do ta formojë Asociacionin e Komunave Serbe. 

Mitchell ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara e përkrahin dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës dhe i ka thirrur të dy palët që t’i zbatojnë të gjitha obligimet që i kanë ndërmarrë.

“Ka mundësi për përparim dhe zgjidhje të problemeve që e mbajnë Ballkanin në të kaluarën – ndryshimi i emrit të Maqedonisë, normalizimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, forcimi i sundimit të së drejtës, liria e medias, lufta kundër ekstremizmit...”, ka deklaruar pas takimit me Vuçiqin ndihmës-sekretari i shtetit i SHBA-ve.

Mitchell ka thënë se partneriteti i Serbisë dhe SHBA-ve është shumë i vjetër dhe se dy vendet kanë qenë aleate në dy luftëra botërore.

Ai ka theksuar se i gëzohet bashkëpunimit me Vuçiqin, për t’u realizuar këto qëllime:

“Vizioni i Serbisë prosperitete, paqja me fqinjët dhe integrimi me Perëndimin është qëllim i të gjithë neve”, ka përfunduar Mitchell.

Diplomati amerikan arriti në Beograd mbrëmë, pas vizitave që u bëri Shkupit dhe Prishtinës.