Thaçi takon presidentin francez, e fton për vizitë në Kosovë

Aktuale March 14, 2018 - 11:29

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka takuar presidentin e Francës, Emannuel Macron.

Thaçi përmes nj shkrimi në llogarinë e tij në “Facebook” ka thënë se e ka ftuar presidentin francez për vizitë në Kosovë dhe se Macron ka konfirmuar vizitën, transmeton zeri.info

“Sot, në Pallatin Elysee pata kënaqësi të pritem nga presidenti i Francës, Emannuel Macron, me të cilin zhvilluam një bisedë miqësore. Presidenti Macron, me vizionin dhe dinamizmin e tij i jep shpresë tërë Evropës, përfshirë edhe vendet që aspirojnë të integrohen në BE. Në emër të Kosovës i shpreha falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për shtetin e Kosovës. Kosova është mirënjohëse për kontributin e jashtëzakonshëm të Francës për afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Me këtë rast ftova presidentin Macron për ta vizituar Kosovën. E falënderoj presidentin Macron që e pranoi dhe e konfirmoi vizitën në Kosovë. Franca ka qenë dhe do të jetë përkrahëse e fuqishme e Kosovës”, ka shkruar Thaçi. /Zeri/