Ministria e Shëndetësisë i lë specializantët 4 muaj pa paga

Aktuale March 14, 2018 - 08:02
Lexo detajet

Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohet nga ministri Uran Ismaili, nuk ua ka paguar pagat që nga muaji dhjetor i vitit të kaluar specializantëve të mjekësisë, ndonëse edhe dy javë kanë mbetur deri në fund të muajit mars, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Bëhet fjalë për vonesa rreth katërmujore në pagesa për specializantët e performancës, ndonëse të njëjtit kanë kontrata valide të nënshkruara me këtë dikaster qeveritar.

Prej dhjetorit të vitit të kaluar e deri më tani nuk kanë marrë paga as specializantët e kategorisë C, të cilët e kishin marrë specializimin nga institucionet private shëndetësore dhe që janë futur në listë të pagave me vendim të ish-ministrit Imet Rrahmani, përderisa këtyre mjekëve që janë duke e vazhduar specializimin u kanë mbetur pa vazhduar kontratat nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan tutje "Zëri". 

“Pagën e fundit e kemi marrë në nëntor të vitit të kaluar dhe prej atëherë Ministria e Shëndetësisë nuk na ka paguar, ndonëse ministri Uran Ismaili në fillim të mandatit të tij kishte premtuar paga të rregullta për specializantët, duke e argumentuar këtë edhe me rritjen e buxhetit për shëndetësinë në rreth 200 milionë euro”, thotë për “Zërin” njëri nga specializantët.

Llabjani: Mbi 250 specializantë punojnë pa paga

Edhe specializantët voluntarë të viteve 2016/2017 tashmë një kohë po punojnë pa pagesa, ndonëse u ishte premtuar se që nga 1 janari i këtij viti asnjëri prej tyre nuk do të mbetet pa pagë.

Specializanti Flamur Llabjani ka deklaruar për gazetën “Zëri” se mbi 250 specializantë punojnë pa paga, ndonëse një pagesë për punën që ata bëjnë u është premtuar nga Ministria e Shëndetësisë, si dhe nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ai ka treguar se buxheti i Ministrisë është rritur, por që në këtë buxhet nuk janë futur specializantët.

“Mbi 250 specializantë janë pa pagesë. Kemi pasur premtim prej Kadri Veselit, i cili ka thënë që asnjë specializant nuk do të mbetet pa pagesë nga 1 janari i vitit 2018. Në këtë drejtim nuk është bërë asgjë konkrete. Ndërsa një pikë shumë e fortë është edhe rritja e buxhetit të shëndetësisë për vitin 2018, që për herë të parë është bërë mbi 200 milionë euro.Brenda saj është paraparë të futemi edhe ne si specializantë voluntarë të viteve 2016/2017, që kontratat i kemi me pagesë zero”, ka thënë ai.

Sipas tij, janë ndarë mjetet për pagat e specializantëve, por që ata nuk kanë asnjë garanci që do të paguhen.

Llabjani ka paralajmëruar që nëse nuk do të bëhet diçka në këtë drejtim do të vazhdohet me instanca të tjera, ku do të kërkohet edhe takimi me kryeministrin dhe me kryeparlamentarin.

Dibrani: Specializantët punojnë 80 orë në javë dhe nuk paguhen

Në anën tjetër, specializanti Hekuran Dibrani ka treguar për “Zërin” se specializantët punojnë mbi 80 orë në javë pavarësisht asaj që nuk paguhen.

“Ne punojmë me orar të dyfishtë pasi duhet ta mbajmë edhe një orar të punës në qendrat e Mjekësisë Familjare. Na bie të punojmë mbi 80 orë punë në javë dhe është një ngarkesë mjaft e madhe, sepse nuk na mbetet as kohë për të studiuar. Ministri i Shëndetësisë si alternativë na ka thënë që do të kemi subvencione, mirëpo as kjo nuk është realizuar”, ka thënë ai.

Faton Jusufi, po ashtu specializant, ka thënë se specializantëve u është premtuar se në muajin qershor do të shqyrtohet mundësia të futen në sistemin e rregullt të pagave.

“Na kanë thënë që do të bëhet rishikimi i buxhetit në muajin qershor, ku do të shqyrtohet nëse ekziston mundësia të na fusin në sistem të pagave. Na kanë thënë që deri në qershor do të keni subvencione, ndërsa pas qershorit do të tentojmë të ju fusim me paga të rregullta”, ka deklaruar ai në një intervistë për “Zërin”.

Shqyrtojnë mundësinë e ikjes nga Kosova

Jusufi ka treguar se pavarësisht që një muaj më parë ata kishin bërë edhe një protestë në lidhje me këtë çështje, zyrtarë nga MSH-ja pas protestës nuk kanë bërë asgjë.

Duke u bazuar në kushtet dhe në mungesën e pagave, të tre specializantët gjatë intervistës kanë pohuar se do të largoheshin nga Kosova.

“Personalisht jam për të ikur i gjithë personeli shëndetësor. Le të mbetet pa mjek dhe të shohim se çfarë zgjidhjeje do të bëhet”, ka thënë Flamur Llabjani.

Kadriaj: Do ta ngrehim çështjen e mospagesës së specializantëve

Anëtarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Time Kadrijaj, ka thënë për “Zërin” se specializantët duhet të paguhen dhe se Komisioni do ta ngrejë këtë çështje në Qeveri.

“Kemi ngritur edhe më herët çështjen e specializantëve që nuk janë paguar, madje edhe në Qeverinë e kaluar, ku është marrë vendim të paguhen pasi vërtet është e pakuptimtë që mjeku të ngelet pa pagë dhe në këtë krizë ekonomike të paguajnë nga gjepi i tyre për shpenzimet për specializim përderisa nuk mund ta ketë asnjë pagë bazë. Ne i kemi kundërshtuar dhe prapë do ta ngrehim këtë shqetësim, sepse vërtet është shqetësuese, duhet të gjendet një modul që këta specializantë që njëkohësisht edhe kujdestarojnë të paguhen së paku”, ka thënë Kadrijaj.

Sipas saj, për shkak të mosofrimit të mundësive për punësim në Kosovë mjekët po ikin për në shtete të tjera.

Image