Opozita kërkon zgjedhje të reja

Aktuale March 14, 2018 - 07:53

“Vetëvendosja” dhe LDK-ja kërkojnë që qeveria “Haradinaj” të japë dorëheqje dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Sipas tyre, koalicioni qeverisës nuk i ka numrat për të mbetur në pushtet, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Dy subjektet opozitare, lëvizja “Vetëvendosje” dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Të martën “Vetëvendosja” dhe LDK-ja e kanë lëshuar sallën e Kuvendit në shenjë pakënaqësie për mosvotimin e rekomandimeve të tyre kundër vendimit për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar nga pozita e vendit, duke ia pamundësuar kështu koalicionit qeverisës ta vazhdojë seancën pasi nuk kishte kuorum.

LEXO EDHE: “Drama” e Demarkacionit

Pas kësaj “Vetëvendosja” ka kërkuar edhe dorëheqjen e Qeverisë. Edhe LDK-ja ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja, por ka thënë se fillimisht duhet të ratifikohet Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, shkruan tutje "Zëri". 

Në anën tjetër, analistët e vendit bojkotimin e seancës nga opozita e shohin si hap drejt rrëzimit të kësaj Qeverie. Madje sipas tyre, dështimi i seancës është dështim i koalicionit qeveritar.

Hoti: Ky Kuvend të shpërbëhet pas ratifikimit të Demarkacionit

 

Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti pas shtyrjes së seancës, në të cilën nuk u arrit të votoheshin rekomandimet e opozitës lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të kabinetit qeverisës, ka thënë se problemi qëndron te koalicioni qeverisës e jo tek opozita.

Hoti ka thënë se koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën për ta mbivotuar procesin e vendimmarrjes në Kuvend.

“Si rezultat i kësaj ata e bojkotuan votimin për ta pamundësuar kuorumin prej 61 votash. Bllokues i jetës parlamentare është pozita e paqëndrueshme e jo opozita që është duke e ruajtur shtetin nga ky koalicion grabitës”, ka thënë Hoti.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së ka thënë se Kuvendi është bërë jofunksional dhe si rrjedhojë ky Kuvend “duhet të shpërbëhet sapo të votohet Demarkacioni”.

Hoti po ashtu ka kërkuar shpërbërjen e legjislaturës aktuale të Kuvendit. Kjo kërkesë e tij ka ardhur pasi deputetët nuk po marrin pjesë në votim edhe pse janë në sallë për t’i votuar rekomandimet lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave.

“Duhet të procedojmë me shpërbërjen e Kuvendit, nëse vazhdoni me këtë praktikë nuk do të marrim pjesë në asnjë votim”, ka thënë ai.

“Vetëvendosja”: Koalicioni nuk i ka numrat për të mbetur në pushtet

Partia tjetër opozitare lëvizja “Vetëvendosje” pas shtyrjes së seancës ka reaguar përmes një komunikate, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë “Haradinaj”. Sipas tyre, koalicioni qeveritar nuk i ka numrat e votave në Kuvend për ta mbajtur veten në pushtet.

“Qeveria ka rënë edhe moralisht, edhe me numra, tash duhet të bjerë edhe formalisht. Kuvendi tash e sa kohë është bllokuar nga deputetët e koalicionit qeverisës që nuk e lejojnë vendimmarrjen dhe zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit. Deputetët e koalicionit qeverisës bëjnë numra akrobatikë në Kuvend gjatë votimeve për ta prishur kuorumin sepse koalicioni qeveritar thjesht nuk i ka numrat e votave në Kuvend për ta mbajtur veten në pushtet”, thuhet mes të tjerash në këtë reagim.

Sipas tyre, çdo vonesë në këtë drejtim e rëndon gjendjen politike, ekonomike dhe sociale të vendit, për këtë arsyeje kjo Qeveri duhet ta japë dorëheqje.

Mushkolaj: Kuvendi, arenë inatesh

Analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë që e tërë puna e Kuvendit po funksionon në një arenë inatesh dhe po e njëjta gjë ndodhi edhe gjatë seancës së thirrur për rritjen e pagave nga Qeveria aktuale.

“Kuvendi i Kosovës fatkeqësisht po funksionon si arenë inatesh dhe përplasjesh partiake mes subjekteve të ndryshme politike, kështu që edhe bojkotimi i seancës nga lëvizja “Vetëvendosje” dhe nga LDK-ja duhet parë në këndvështrimin e inateve politike”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas tij, Kuvendi do të duhej t’i lërë anash inatet dhe ta kryejë punën që e ka, ta kalojë Demarkacionin ose të paktën ta hedhë në votim këtë çështje.

“Ata përsëri po kthehen tek debatet e kota, tek kritikat e akuzat dhe nuk po e kryejnë punën si duhet. Nëse Demarkacioni nuk kalon, atëherë ky Kuvend nuk ka arsye ta vazhdojë punën e vet, duhet të shkohet në zgjedhje pasi që njëmend ky është një dështim i koalicionit qeveritar”, ka theksuar Mushkolaj.

Sipas tij, është e vështirë të thuhet se a do të ketë zgjedhje të reja pasi ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me çështjen e demarkacionit.

Alija: Me një Kuvend kaq të ngathët zgjedhjet janë opsion

Rasim Alija, njohës i çështjeve politike, bojkotimin e seancës nga dy subjektet opozitare nuk e sheh si zgjidhje të duhur. Sipas tij, është normale që opozita të kërkojë zgjedhje të reja sepse një gjë e tillë bëhet për të ardhur në pushtet.

“Instrumente të tilla si bojkotimi i seancave janë brenda metodave parlamentare. Edhe pse në rrethana të tilla me një grumbull ligjesh të mbetura për t’u proceduar më tutje nga Kuvendi bojkotimi i seancave nuk është forma më e mirë e të bërit opozitë. Subjektet opozitare gjithmonë duhet të japin alternativa të tjera në Kuvend, duke pretenduar ardhjen në pushtet”, ka thënë Alija.

Po ashtu ai situatën aktuale politike e sheh si mundësi të afërt për zgjedhje të reja, pasi Kuvendi po tregohet tejet i ngadalshëm në punën e vet.

“Në rrethana të tilla, me një Kuvend shumë të ngathët në procedimin e ligjeve, me një koalicion që ka fituar pushtetin me kauzën që do të marrë vendime të mëdha për vendin e që nuk po i shohim ka shumë mundësi për zgjedhje të reja”, ka thënë Alija.