Zvarritja Speciale

Aktuale March 14, 2018 - 07:41
Lexoni lajmet me te fundit nga vendi

Zyrtarët e Prokurorisë Speciale kanë deklaruar për “Zërin” se në fund të këtij muaji i skadon mandati kryeprokurorit David Schwediman, ndërsa nga fillimi i muajit të ardhshëm kompetencat do t’i kalojnë prokurorit Kwai Hong Ip. Ata thonë se Hong Ip do ta sigurojë vazhdimësinë dhe do ta ruajë ritmin e hetimeve. Por nga korriku i vitit të kaluar, kur ky institucion ndërkombëtar i drejtësisë është plotësisht funksional, ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Pavarësisht se kryeprokurori i Gjykatës Speciale David Schwendiman përfundon mandatin e tij në fund të këtij muaji, Dhomat e Specializuara do ta vazhdojnë punën e tyre pa kurrfarë pengese. Kështu kanë bërë të ditur si nga Zyra e Prokurorit Special, ashtu edhe nga Zyra e Dhomave të Specializuara.

Christopher Bennett, zëdhënës në Zyrën e Prokurorit Special, ka thënë për “Zërin” se Kwai Hong Ip do të bëhet prokuror special më 1 prill, në mënyrë që ta sigurojë vazhdimësinë dhe ta ruajë ritmin e hetimeve, porse nga Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se shumë shpejt do të fillojë procesi i zgjedhjes së prokurorit të ri, me ç’rast do të shpallet edhe ftesa për aplikim për prokurorin special.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse për Politikat e Jashtme të BE-së dhe për Politikën e Sigurisë, ka thënë se procesi për emërimin e një prokurorit të ri do të bëhet në përputhje me Ligjin mbi Dhomat e Specializuara, Prokurorinë Speciale, legjislacionin dhe procedurat e tjera përkatëse.

 

Në anën tjetër nga Zyra e Prokurorit nuk kanë dhënë detaje se kur do të mundë t’i nisin aktakuzat e para, megjithatë Dhomat e Specializuara kanë njoftuar se së shpejti pritet të publikohet lista e avokatëve që do të marrin pjesë në këtë proces.   

Përndryshe, Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015 ka votuar themelimin për Gjykatën Speciale, e cila pritej që pas pak muajsh të fillonte gjykimet për krime lufte. Kurse në mars të vitit të kaluar është miratuar Rregullorja e Procedurës dhe e Provave nga gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Kështu që nga 5 korriku i vitit 2017 Dhomat e Specializuara janë tërësisht funksionale në aspektin gjyqësor, megjithatë ende nuk është ngritur asnjë aktakuzë.

 

 

Bennett: Kwai Hong Ip, prokuror special nga 1 prilli

 

Christopher Bennett, zëdhënës në Zyrën e Prokurorit Special, ka thënë se procesi i emërimit të prokurorit të ri udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, megjithatë ai ka bërë të ditur se prokuror special që nga 1 prilli 2018 do të bëhet Kwai Hong Ip, zëvendës i kryeprokurorit në largim David Schwendiman. “Duhet të shtoj që deputeti i David Schwendimanit, Kwai Hong Ip, do të bëhet prokurori special i Veprimit më 1 prill, në mënyrë që të sigurojë vazhdimësinë dhe të ruajë ritmin e hetimeve. Ip është zëvendësi i Schwendimanit nga fillimi. Ai ishte gjithashtu zëvendëskryeprokuror i Task Forcës Speciale të Hetimeve (SITF) nga viti 2012 dhe ishte ushtrues detyre i prokurorit kryesor të SITF-së ndërmjet gushtit 2014 dhe majit 2015”, ka deklaruar për “Zërin” Bennett.

Ai më tej ka deklaruar se vetë Schwendiman kishte thënë se në secilën prokurori rastet e rënda trajtohen nga i tërë stafi, jo vetëm nga një person. “Në deklaratën e tij të shkurtit, Schwendiman shpjegoi se: ‘Në çdo prokurori rastet e krimeve të rënda bëhen nga i gjithë stafi, jo direkt nga ekzekutivi’, duke nënkuptuar se kjo nuk do të ndryshojë nga përbërja e Zyrës së Prokurorit Special. Ai gjithashtu shpjegoi se ai e kishte vënë Zyrën e Prokurorit Special në një trajnim të qëndrueshëm; ndihmoi rekrutimin e një stafi të jashtëzakonshëm; ndihmoi që Zyra t’i fitonte burimet e nevojshme dhe ka punuar me bashkësinë ndërkombëtare për të marrë mbështetjen e nevojshme për ta bërë punën”, ka theksuar Bennett.

 

Ndërkohë, i pyetur rreth kohës se kur mund të nisin aktakuzat e para, Bennett nuk ka dhënë detaje. “Prokuroria e Speciale nuk komenton statusin e hetimeve dhe nuk do të japë informacion në lidhje me kohën e akuzave të mundshme”, ka nënvizuar ai.

 

Së shpejti publikohet lista e avokatëve

Ndërkaq Zyra për Informim nga Gjykata Speciale ka bërë të ditur se ftesa për aplikim për prokurorin special pritet të shpallet së shpejti.

Ndërkohë, pavarësisht se kryeprokurorit David Schwendimanit do t’i përfundojë mandati, nga zyra e Dhomave të Specializuara kanë thënë se Gjykata Speciale do të vazhdojë ta bëjë punën e saj.

“Siç ka deklaruar presidentja Trendafilova, më 15 shkurt Dhomat e Specializuara do ta vijojnë pa ndërprerje punën për përmbushjen e mandatit të tyre”, thuhet në përgjigjen dhënë “Zërit”.

Në përgjigje më tej bëhet e ditur se deri më tash janë pranuar disa kërkesa nga avokatë të shteteve të ndryshme sa i përket punës së Speciales.

“Deri më tash Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë pranuar një numër kërkesash nga avokatë të shteteve të ndryshme. Meqenëse procesi i përzgjedhjes është në vijim e sipër nuk mund të japim informacion konkret, mirëpo Lista e Mbrojtësve do të dalë së shpejti në faqen tonë në internet”, potencohet tutje. 

Kocijanciq: Procesi për emërimin e prokurorit është në përputhje me ligjet

Në anën tjetër meqë Bennet ka thënë se emërimi i prokurorit udhëhiqet nga Bashkimi Evropian, Maja Kocijançiq, zëdhënëse për Politikat e Jashtme të BE-së, ka deklaruar se ky proces do të bëhet në përputhje me të gjitha ligjet përkatëse.

“Procesi i rekrutimit për emërimin e një prokurori të ri special do të bëhet në përputhje me Ligjin mbi Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë Speciale, legjislacionin dhe procedurat e tjera përkatëse. Shtetet anëtare dhe shtetet e treta kontribuuese të EULEX-it në Kosovë janë të ftuar të propozojnë kandidatë të kualifikuar me karakter të lartë moral dhe të kenë nivelin më të lartë të kompetencës dhe të përvojës në kryerjen e hetimeve dhe të ndjekjeve penale të rasteve penale”, ka thënë Kocijançiq për “Zërin”.

Ajo më tej ka thënë se kandidatët e tillë do të shqyrtohen nga një panel përzgjedhës, duke përfshirë juristë të rangut të lartë ndërkombëtar të kualifikuar në drejtësinë penale.

“Paneli do të ketë një shumicë të ekspertëve të jashtëm dhe një përfaqësim të balancuar gjinor. Personi për zgjedhjen e prokurorëve në Zyrën e Prokurorit Special është shefi i Misionit të BE-së për PSSP-në”, ka theksuar Maja Kocijançiq.  

Miftaraj: Ngritja e aktakuzave mund të varet nga emërimi i kryeprokurorit të ri

Kurse Ehat Miftaraj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka vlerësuar se prokurori special luan rol tejet të rëndësishëm në drejtim të ngritjes së aktakuzave.

“Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale luan rol shumë të rëndësishëm në koordinimin dhe në bashkëpunimin me institucionet në Kosovë, lidhur me ekzekutimin e kërkesave për arrestimin e personave ndaj të cilëve mund të ngrihen aktakuzat nga kjo Prokurori”, ka deklaruar ai. Andaj, sipas Miftaraj, ngritja e aktakuzave mund të varet edhe nga emërimi i prokurorit të ri special, por edhe nga pika të tjera të rëndësishme.

“Në këtë drejtim duhet besuar se edhe ngritja e aktakuzave mund të varet nga emërimi i kryeprokurorit të ri. Ngritja e aktakuzave varet edhe nga volumi i dosjeve, i provave, i dëshmive, i dëshmitarëve dhe i çështjeve të tjera me rëndësi që ndikojnë edhe në vendimin e prokurorëve lidhur me ngritjen e aktakuzave. Me faktin se prokurorët e kësaj Prokurorie kanë trashëguar lëndë voluminoze nga ish-Task Forca Speciale dhe se ato sigurisht se kanë nevojë për kohë për t’u familjarizuar dhe për t’u analizuar me kujdes të shtuar dosjet para se të vendosin nëse ka elemente apo prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë”, ka theksuar ai.