Gruaja e Tony Blair flet për librin biografik të Thaçit

Aktuale March 13, 2018 - 22:06

Cherie Blair, gruaja e ish kryeministrit britanik, Tony Blair, sot ishte pjesëmarrëse në promovimin e librit biografik librit “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – A Biography”.

Duke komentuar librin, ajo ka thënë se bashkë me burrin e saj Tony Blair kanë një lidhje shumë emocionale me historinë e Kosovës.

“Kam qenë shumë me fat që mora një ekzemplar të hershëm të librit. Dhe më duhet t’ju them se bëhet fjalë për një rrëfim mahnitës. Por, më e rëndësishmja, është bërë një hulumtim i thukët nga gazetarët shumë të njohur këtu në Britani të Madhe, pra nga gazeta shumë e respektuar ‘The Times’”, ka thënë ajo.

Blair ka theksuar se shpeshherë njerëzit janë duke harruar atë çfarë ka ndodhur në Kosovë. Sipas saj, ngjarjet në Kosovë ndodhën në fillet e karrierës së burrit të saj, transmeton KP.

“Më kujtohet kur ai vizitoi refugjatët, të cilët iknin për të shpëtuar nga ajo që ndodhi atje”, ka thënë ajo.

Krahas Cherie Blair, në promovimin e këtij libri kanë marrë pjesë edhe ministri për zhvillim ndërkombëtar, Lord Michael Bates, ish sekretari i NATO-s, Lord Georg Robertson, historiani, Sir Noel Malcolm shumë deputetë, akademikë, historianë, diplomatë, gazetarë dhe mysafirë të tjerë.