Haradinaj nervozohet me opozitën që nuk votoi rekomandimet e Qeverisë për pagat

Aktuale March 13, 2018 - 11:02

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit të Kosovës ka kritikuar opozitën se të njëjtit nuk po ndihmojnë qytetarët e vendit duke mos marrë pjesë në votim.

Ai tha se ka parë në shumë raste opozitën duke pritur nëse pozita ka kuorum për t’i votuar temat e diskutuara.

“Unë kam qenë në seancë dhe i kam pa opozitën kur kanë pritë me pa a i kemi 61 vota mos me bë korumin. Për tema të zakonshme për qytetarët e vendit”, tha Haradinaj.

Tutje ai tha se nëse opozita ka tema që mund ti ndihmojë qytetarët e vendit do ta kenë përkrahjen e secilit.

“Por nëse e ka pengimin e punës së parlamentit, çka është qëllimi i këtij debati”, shtoi ai.

Ky diskutim ka ardhur pasi opozita nuk votoi rekomandimet lidhur me vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave.

“Për të bërë opozitarizmëm ekziston njëfarë standardi që duhet me praktiku”, tha ai.