Kosova nuk ka ligj për transplantimin e veshkave, pacientët ia mësyjnë Evropës

Aktuale March 13, 2018 - 10:31

Plagët që në sistemin shëndetësor la krimi që u krye në klinikën “Medicus” shumë vite më parë ndihen edhe sot - Kosova ende nuk ka ligj që e rregullon çështjen e transplantit të organeve.

Për këtë punë, pacientët kosovarë ia mësyjnë vendeve të Evropës për t’i kryer transplantimet.

Vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti nga ana e mjekëve të klinikës së Nefrologjisë për transplantim të veshkave dhe biopsi jashtë Kosovës janë sugjeruar 18 pacientë.

Përderisa për gjithë vitin e kaluar kanë qenë 132 kosovarë që kanë kryer transplantimin e veshkave në njërin nga vendet perëndimore.

Kosovarët po rrezikohen nga sëmundjet e veshkave. Numri i pacientëve të cilët po prekën nga sëmundjet e veshkave dhe po i futen dializës po deltë jetë mjaftë i madh. 

Për dy muajt e parë të këtij viti pranë klinikës së Nefrologjisë së QKUK’së janë rreth 232 pacientë të cilët po i kryejnë shërbimet e dializës. Kështu ka thënë në një intervistë për Express, ushtruesja e detyrës së drejtorit në Nefrologji, Venera Hasangjekaj.

“Për momentin për program të rregullt për hemodializë i kemi 232 pacientë që janë duke i kryer seancat. Janë dy qendra të hemodializës ajo pranë SHSKUK’së dhe ajo në Kodrën e Trimave”, ka thënë Hasangjekaj.

Doktoresha i sheh si shqetësuese shifrat me rastet e pacientëve të cilët po preken nga sëmundjet e veshkave. 

“Numri i kosovarëve që po preken nga sëmundjet e veshkave është çdo vit e më shumë në rritje. Shqetësueses është edhe vakti që këta pacientë shpeshherë diagnostikohen në stazhet përfundimtare ku përveç seancave me hemodializë atyre nuk mund t’i ndihmohet më tepër. Mungon edhe vetëdijesimi për paraqitjen me kohë të pacientëve që kanë probleme me veshkat.  Të gjithë faktorët e rrezikut që qojnë tek sëmundjet e veshkave janë në rritje”, tregon doktoresha.

Tutje ajo thotë se faktorët që ndikojnë në sëmundjet e veshkave janë diabeti dhe hipertensioni. 

Transplanti i veshkave bëhet vetëm jashtë Kosovës

Ndërkohë që nëse njeri nga këta 232 pacientë që janë në dializë ka nevojë për transplant të veshkave, ata këtë shërbim nuk do të mund që ta kryejnë në Kosovë.

E gjithë kjo në mungesë të ligjit për transplantimin e veshkave. Kjo ngase Ministria e Shëndetësisë e ka tërhequr ligjin për transplantim organesh nga Komisioni dhe nga Kuvendi i Kosovës, në fazën kur është dashur të kalojë në leximin e dytë.

Ishte Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, i cili kishte kërkuar që ky ligj të tërhiqet nga procedura. EULEX, atë kohë hetime në lidhje me rastin e njohur si “Medicus”, i dyshuar për transplantime ilegal të organeve, pasi në Kosovë ishin kryer transplantet e organeve, por të cilat janë cilësuar të kundërligjshme.

Vetëm për dy muajt e parë të këtij viti mjekët e klnikës së Nefrologjisë së QKUK’së kanë dhënë rekomandime për 18 pacientë që të njëjtit të mund t’i kryejnë transplantimet e veshkave dhe biopsitë jashtë Kosovës.

Pacientët në pritje të donatorëve

Përveç sfidës për transplantim të veshkave jashtë Kosovës, pacientët tanë vet duhet që ta gjejnë edhe donatorin për këtë punë. Kjo ngase Ministria e Shëndetësisë e as spitalet publike e private në vend nuk ua mundësojnë pacientëve transplantet.

“Pasi që transplantimi i veshkave nuk kryhet në Kosovë, atëherë secili person që ka mundësi e gjenë donatorë mund ta transplantojë veshkën jashtë Kosovës. Ne ua japim referimet secilit person që i plotëson kushtet për transplantim”, sqaron drejtoresha e Nefrologjisë.

Tutje ajo thotë se për dy muajt e parë të 2018’ës janë 18 pacientë që janë referuar për transplantim të veshkave e biopsi jashtë Kosovës.

“Ne gjatë muajve janar dhe shkurt të këtij viti për biopsi të veshkës dhe transplantim i kemi pas disa raste. Për muajin janar i kemi pas 11 raste, ndërkohë që për muajin shkurt i kemi pasur vetëm 7 raste. Në Kosovë nuk kryhen s biopsitë e veshkave”, thotë doktoresha. 

E për gjithë vitin e kaluar kanë qenë 132 pacientë të cilëve u janë lëshuar referencat për ta kryer transplantimin e veshkave dhe biopsinë jashtë Kosovës. 

Çështja e transplantimit të organeve në Kosovë ka mbetur një tabu në shëndetësinë kosovare që prej rastit “Medicus” . Në këtë klinikë, e cila gjendej jo shumë larg kryeqytetit, u kryen transplante ilegale të veshkave kryesisht në pacientë të huaj.