Mitchell: Demarkacioni, kusht për vizat

Aktuale March 13, 2018 - 08:04
Mesazhi i Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell

Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell, gjatë një vizite në Kosovë ua ka bërë të qartë liderëve vendorë se Demarkacioni me Malin e Zi është kusht për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ai me këtë rast i ka përgënjeshtruar disa shkrime në medie, kryesisht ato nga Serbia, se po e fillon këtë turne diplomatike në Ballkan për ta propozuar një plan të ri amerikan për Kosovën.

“Nuk kam ardhur këtu që ta shpalos ndonjë plan specifik, por kam ardhur të bisedojmë për të ardhmen e Kosovës dhe të Serbisë, për të folur për dialogun e për rrugëtimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor”, tha Mitchell, shkruan tutje "Zëri".

Zyrtari amerikan tha se në Ballkan ka prani të ndikimit të Rusisë, i cili nuk është në favor të askujt.

Mitchell takimin e parë e ka zhvilluar me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, me të cilin kanë përsëritur qëndrimet për vazhdimin e miqësisë mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Ishte shumë me rëndësi që me Kosovën t’ia nis vizitës sime. SHBA-ja dhe Kosova kanë marrëdhënie të mira. Dua ta ritheksoj në këtë ndalesë të parë se Shtetet e Bashkuara janë për një Kosovë sovrane, shumetnike e demokratike, për t'u riangazhuar dhe për ta mbështetur rrugën euroatlantike për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Mitchell.

LEXO EDHE: SHBA-ja s’ka plan të ri për Kosovën

Gjatë fjalimit të tij ai ka thënë edhe se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë ta përkrahin formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ai ka thënë edhe se Kosova duhet të bëjë hapa me rëndësi, duke përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, përmbylljen e çështjes së kufirit me Malin e Zi dhe transformimin e Forcave të Armatosura përmes ndryshimeve kushtetuese.

Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë vetoje në çështjet e sigurisë së Kosovës.

Mitchell: Rritja e ndikimit rus minon institucionet demokratike

Njëra ndër pikat kryesore të fjalimit të Wess Mitchell ishte edhe Demarkacioni me Malin e Zi, çështje kjo e cila është kusht për liberalizimin e vizave me BE-në, si dhe ka vlerësuar lart luftën e institucioneve vendore të sigurisë kundër terrorizmit.

“Vlerësojmë lart luftën e Kosovës dhe bashkëpunimin e mirë që keni në luftën kundër terrorizmi dhe ISIS-it. Kosova ka shënuar 10-vjetorin e saj si shtet dhe ka arritur shumë si shtet, duke treguar arritje të mëdha edhe në ekonomi. Kosova duhet të marrë hapa të rëndësishëm për ta siguruar rrugën drejt integrimit evropian. Ajo duhet ta zgjidhë çështjen e kufirit me Malin e Zi”, ka thënë ai.

Ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Wess Mitchell,  ka thënë se ai nuk ka ardhur në Kosovë që ta shpalosë ndonjë plan të veçantë apo pako për Kosovën, siç kanë raportuar mediet serbe.

“E kam parë atë spekulim gjatë rrugëtimit tim këtu. Mund të ju them se nuk kam ardhur këtu ta shpalos ndonjë plan të veçantë, por të angazhohem me Kosovën dhe me Serbinë që ta jap përkrahjen për një të ardhme të përbashkët drejt anëtarësimit në BE”, ka thënë ai.

Mithchell është shprehur se qëllimi i vetëm i vizitës së tij është ta inkurajojë Kosovën që të bëjë përparim në dialogun me Serbinë.

Zyrtari amerikan ka thënë edhe se në Ballkan ka prani të ndikimi të Rusisë, i cili nuk është në favor të askujt.

“Kemi parë rritje të ndikimit rus në tërë Ballkanin dhe si një pjesë e tyre duke i minuar edhe institucionet demokratike. Kemi qenë të qartë edhe në diskutimet tona me përfaqësuesit rusë se nuk është as në interesin e tyre dhe as të popujve të Ballkanit ky ndikim”,  ka theksuar Mitchell.

Thaçi: Nuk ka arsye të vonohet Demarkacioni

Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, duke e falënderuar Wess Mitchell për vizitën e tij të parë në Kosovë, ka thënë: “E informova Mitchell se jemi duke punuar që ta konsolidojmë shtetin e Kosovës dhe se SHBA-ja mbetet mike e Kosovës”.

Po ashtu Thaçi me këtë rast ka thënë se shumë shpejt do të përmbyllet edhe çështja e Demarkacionit dhe sipas tij për këtë gjë e ka informuar edhe Mitchell.

“E informova atë për angazhimin e të gjitha institucioneve të Kosovës që të përmbyllet sa më shpejt çështja e demarkacionit me Malin e Zi. Shpresoj që partnerët e koalicionit janë duke biseduar me Listën Serbe, sepse askush nuk ka më arsye ta vonojë këtë proces”, ka thënë presidenti.

Thaçi bëri të ditur edhe që temë diskutimi me Mitchell ishte edhe krijim i ushtrisë, si dhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

Haradinaj: Jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-në

Gjatë ditës së djeshme edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj priti në takim ndihmëssekretarin e Shtetit të SHBA-së për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Sipas një njoftimi për medie nga Zyra e Kryeministrit, Mitchell dhe Haradinaj biseduan për zhvillimet politike në vend, mbështetjen që SHBA-ja po jep në ndërtimin dhe në konsolidimin e Kosovës, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj ka falënderuar ndihmëssekretarin Mitchell për ndihmën e pakursyer të SHBA-së, duke theksuar nevojën për mbështetje të mëtejme në të gjitha proceset integruese të Kosovës.

“Mbështetja që SHBA-ja ka dhënë dhe po ia jep Kosovës në të gjitha proceset e shtetndërtimit dhe tani në rrugën e saj euroatlantike është jetike për Republikën e Kosovës. Ne jemi mirënjohës për të gjithë atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë dhe po bëjnë për Kosovën e po ashtu të gjithë ne jemi të përkushtuar për miqësi të përhershme me SHBA-në”, ka thënë me këtë rast kryeministri Haradinaj.

Në takim të pranishëm ishin: zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendësambasadorja amerikane në Kosovë Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA Vlora Çitaku.

Në anën tjetër, gjatë ditës së sotme ndihmëssekretari i Shtetit të SHBA-së, Wess Mitchell, do të takohet edhe me përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë.