Hoti: Mitchell bëri deklaratën më të fuqishme për krijimin e ushtrisë

Aktuale March 12, 2018 - 22:49

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, është shprehur i bindur se ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, do të kalojë së shpejti, por nuk ka mundur të japë një datë se kur do të ndodhë kjo.

Ai ka thënë se i kanë votat e shumicës shqiptare dhe ato kanë qenë vazhdimisht, por nganjëherë kjo nuk mjafton.

Ndërkohë, vizitën e ndihmës sekretarit amerikan, Wess Mithchell e ka vlerësuar si një vizitë të jashtëzakonshme.

“Tashmë kemi ardhur në një pikë ku të gjithë akterët janë të vetëdijshëm se çështja e demarkacionit është çështje me interes shumë vital, nacional, shtetëror dhe sidomos për popullin e Kosovës, i cili është populli I vetëm autokton në Evropë dhe populli i vetëm i izoluar.

A do të votohet demarkacioni nesër ose të premten? Do të ishte shumë ironike nga ana ime që të përcaktoj dhe të bëj precizime të tilla, për shkak se politika jonë ende s’ka stabilitet të tillë që ne mund të flasim me përkufizime kaq të sakta, të cilat ju I kërkoni.

Ne jemi duke e formësuar politikën që ajo të mësohet të ketë një stabilitet dhe kur të thotë se do t’i bëjë këto qëndrime, atëherë ajo duhet të merr një përgjegjësi për t’i dhënë një përgjigje, afate dhe deklarime të sakta në lidhje me çështje të caktuara politike”, ka theksuar Hoti në një intervistë për Lajmet Qendrore në RTK.

Ai tutje foli për vizitën e zyrtarit të lartë amerikan, Wess Mitchell e ka vlerësuar si një vizitë të jashtëzakonshme në kuadër të befasisë së këndshme për politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, e cila sipas tij ka qenë tash e disa muaj e plandosur.

“Ardhja e amerikanëve në Kosovë dëshmoi edhe një herë se projekti i Kosovës është projekt ‘made in USA’, është projekt i popullit të Kosovës.

Që nga ardhja e administratës së presidentit Trump e deri më sot është pika më e fuqishme e SHBA-së në lidhje me ushtrinë. Ndihmës sekretari i Shtëpisë së Bardhë për çështje të Evropës dhe Euro-Azisë tha se çështja e ushtrisë nuk është çështje e vetos së askujt, çka do të thotë se ky është deklarimi më i fuqishëm zyrtar i SHBA-së, në lidhje me formimin e ushtrisë së Republikës së Kosovës përmes kushtetutës.

Ne duhet ta kuptojmë se SHBA nuk është vetëm partnere e Kosovës, por realisht është themeluese e republikës tonë. Ata kanë dhënë po aq sa ne për këtë punë dhe uroj që të gjithë ne të mësojmë nga gabimet tona dhe të mos krijojmë politika të paqena, kauza false, pastaj të vijmë në pozicione qesharake dhe t’i bëjmë punët nga fillimi.

Unë mendoj se klasa politike në Kosovë duhet të bëjë një reflektim të jashtëzakonshëm dhe t’i japë një porosi të qartë SHBA-së se ne jemi përkrah agjendës së tyre dhe se fjala e tyre nuk është vetëm obligim,por më tepër se kaq”, ka shtuar Hoti.