Gjuriq: Edhe Serbia ka planin 4-pikësh për Kosovën

Aktuale March 12, 2018 - 08:07
Marko Gjuriq dje qënroi në Prelluzhë të Vushtrrisë

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nuk e ka ndier veten rehat në Prelluzhë të dielën kur bashkë edhe me ish-futbollistin e njohur serb, Dejan Stankoviq, ia kanë dorëzuar një donacion Qendrës për Punë Sociale në komunën paralele të Vushtrrisë në Prelluzhë, si dhe kanë bërë një kontratë për ndërtimin e shtëpisë së një familjeje serbe në këtë fshat, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Gjuriq ka marrë shumë ankesa nga serbët e atyshëm, posaçërisht pas përmbytjeve të fundit, në të cilat janë dëmtuar, siç kanë thënë serbët e Prelluzës, 120 shtëpi.

Gjuriq ka thënë se Serbia do t’u ndihmojë të gjithëve, por kur është pyetur për planin 4-pikësh të Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, i cili fillimisht do t’i dorëzohet presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, Gjuriq ka shpërthyer me të njëjtën retorikë sikurse çdoherë që viziton Kosovën.

LEXO EDHE: Shansi i fundit për ta kaluar Demarkacionin

“Kosova është Serbi dhe si gjithmonë Serbia është në Kosovë me institucionet e saj. Serbët e Kosovës e kanë mbështetjen e shtetit të tyre dhe ata e dinë se kurrë nuk do të jenë vetëm. Unë nuk do të flisja shumë për politikën e as për këtë që më shtruat pyetjen, por mund vetëm të them se për këtë duhet ta pyetni Departamentin e Shtetit. Nëse dikush di gjë për këtë, atëherë ata janë që e dinë se kjo është e tëra që mund ta them. E kemi edhe paketën serbe për Kosovën, por kjo është paketa jonë”, ka thënë Gjuriq në Prelluzhë të Vushtrrisë, të dielën.

Ai ka sqaruar se edhe pakoja e Serbisë për Kosovën ka katër pika dhe se do të gjejë zbatim në terren. 

Duke folur për gjendjen në Prelluzhë pas përmbytjeve të fundit Gjuriq tha se është themeluar shtabi i krizës, ndërsa ekipet për vlerësimin e dëmeve ndodhen në terren.

“Serbia do t’ua paguajë dëmet të gjithëve. Kemi formuar ekipet e shtabin e krizës dhe ato kanë dalë në terren, ndonëse nuk kemi shumë kompetenca në këtë pjesë dhe besoj se problemet do t’i zgjidhim. Rreth 120 shtëpi në këtë anë janë rrezikuar, ne po punojmë edhe dje, edhe sot ekipet janë në terren. Me rëndësi për këta njerëz është që t’u paguhen dëmet dhe që Serbia do t’u ndihmojë atyre që ta tejkalojnë situatën. Zyra jonë do të merret me këtë problem”, tha Gjuriq.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Gjuriq, ka prezantuar në aktin e dorëzimit të një automjeti Qendrës për Punës Sociale në Prelluzhë, donacion i ndërmarrjes “Stefial”, të cilën e udhëheq ish-futbollisti i njohur serb i Interit, Dejan Stankoviq.

E ai për Stankoviqin thuri shumë lëvdata.

“Ka ardhur këtu me iniciativë të tij, me dëshirën që t’i ndihmojë popullit tonë, që të kontribuojë në përmirësimin e kushteve të familjeve që jetojnë këtu, që personalit me praninë e tij t;i jap kurajë popullin serb në Kosovë se Serbia është me ta, se Serbia mendon për ta, i mbështet ata dhe institucionet e shtetit të Serbisë në Kosovë, por edhe njerëzit tjerë”, ka thënë Gjuriq.

E ndërkaq vetë Stankoviq i porositi serbët që të qëndrojnë në Kosovë.

“Bravo ju qoftë, rrini këtu dhe ruajeni atë çka është serbe këtu në Kosovë. Gjithmonë do të jemi përkrah jush”, ka thënë Stankoviq.

Ky i fundit, në prani edhe të drejtorit të Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka nënshkruar një kontratë për ndërtimin e shtëpisë së familjes 5-anëtarëshe serbe Mitroviq, në Gracë. 

Serbët në Qeverinë e Kosovës dhe në institucionet tjera kanë riaktualizuar kërkesën për formimin e komunës së Prelluzhës, por ata kanë kërkuar që me Prelluzhën të hyjë edhe Plemetini. Komuna e Prelluzhës, sipas planit të Listës Serbe, i cili është bërë publik vitin e kaluar, pak para zgjedhjeve nga zëvendëskryeministri aktual, Dalibor Jevtiq, do t’i ketë tri fshatra, Gracen, Gojbulën dhe Sllatinën e Vushtrrisë, si dhe Plemetinin e Obiliqit.

Aktualisht në Prelluzhë është duke funksionuar komuna paralele e Vushtrrisë (Vuçitërnë), nëpërmes Organit të Përkohshëm.

Organi i Përkohshëm ka të formuara të gjitha organet që i ka një komunë dhe ai udhëhiqet nga kryetari i Organit të Përkohshëm.