Flet deputetja e VV, për largimet nga kjo parti

Aktuale March 11, 2018 - 11:47
Ja çfarë ka thënë ajo për këto largime

Njëra prej deputeteve më të votuara nga Prizreni, Drita Millaku e ka quajtur të dhimbshme situatën e krijuar në Vetëvendosje pas dorëheqjeve të fundit. Ajo ka thënë se po të ishte në vendin e të dorëhequrve do ta dorëzonte edhe mandatin në Parti. Kjo zyrtare e VV’së ka thënë se do të angazhohet ta çojë PDK’në në opozitë sikurse ka vepruar në qytetin ku Kryetar është Mytaher Haskuka.

Drita Millaku nuk e ka në plan të veprojë sikur 12 deputetët tjerë të Vetëvendosjes të cilët dhanë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake.

Deputetja nga Prizreni ka thënë se do të jetë në Partinë e Albin Kurtit për aq kohë sa do të merret me politikë.

Por, ajo ka thënë se gjendja e krijuar pas largimeve të fundit në Vetëvendosje është e dhimbshme.

“Është e dhimbshme ajo që po ndodh në Vetëvendosje për shkak se qytetarët kanë pasur një besim dhe shpresë se vetëm VV mund të luftojë dukuritë negative në institucionet e Shtetit”, ka thënë Millaku, për Gazetën Express.

Nga Vetëvendosje janë larguar ish-Kryetari Visar Ymeri, Dardan Molliqaj, Shqipe Pantina, Besa Baftiu, Driton Çaushi, Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili, Frashër Krasniqi, Donika Kadaj, Faton Topalli, Dardan Sejdiu. Po ashtu janë larguar edhe dy kryetarë komunash: Shpend Ahmeti i Prishtinës dhe Qendron Kastrati i Kamenicës.

Por, deputetja që i ka mbetur besnik projektit të Albin Kurtit ka dhënë disa sugjerime për gjithë ata që po largohen nga Vetëvendosje.

“Njerëzit mund të largohen sepse e kanë atë mundësi, por besoj se nuk është në rregull  të fitohet mandati e pastaj të bëhet dorëheqja secili nga ne kemi fituar mandatin duke u zotuar në programin e LVV dhe duhet të qëndrojmë besnik atyre premtimeve”, ka thënë Millaku.

Kjo zyrtare e Vetëvendosjes nuk ka dashur të flasë më shumë për ish-kolegët dhe akuzat e tyre. Por, ka thënë se nëse do të largohej nga pozitat partiake do ta dorëzonte edhe mandatin.

“Unë mund të flasë vetëm për vete se nëse do të isha dorëhequr nga pozitat e VV’së si anëtare e Këshillit të Përgjithshëm dhe si udhëheqëse e Sekretariatit të Gruas në Prizren, automatikisht do ta dorëzoja edhe mandatin e deputetes”, ka shtuar ajo.

Deputetët që u larguan lëshuan akuza të rënda në drejtim të Albin Kurtit. E kanë quajtur edhe diktator dhe përçarës.

Ndërkohë, Kurti disa prej tyre i ka quajtur njerëz të afërte me shërbimet serbe e shqiptare. Ndërsa disa të tjerë të manipuluar edhe nga SHIK’u. Në mesin e atyre që janë përmendur si njerëz të afërt me SHIK’un janë edhe Dardan Molliqaj e Dukagjin Gorani. Ky i fundit dikur këshilltar i Hashim Thaçit dhe shok i Kadri Veselit.

Në anën tjetër, Drita Millaku thotë se sa të jetë në politikë do të mbetet në VV.

“E kam shprehur edhe  herëve tjera për shkak të karakterit tim se derisa të jem në politikë do te jem në Vetëvendosje”, ka deklaruar Millaku.

Sipas saj, edhe në politikë duhet të ketë moral pavarësisht se deri më tash kjo veti u ka munguar politikanëve.

“Nuk do të bëjë luftë brenda LVV. Beteja  ime në politikë do të jetë që PDK të jetë në opozitë ashtu siç edhe jam angazhuar ne Prizren për 5 vjet  rresht pa kompromis. Me vjen mirë që jam njëra ndër personat  kryesore që sot në  Prizren Vetëvendosja ka pushtetin, kuptohet jo e vetmja por një  brigadë të tërë aktivistesh ne Prizren”, ka shtuar ajo.

Edhe pse i kanë ndarë rrugë, Millaku ka falënderuar gjithë të dorëhequrit për sukseset në zgjedhjet e fundit.

“Në fund them që nuk duhet mohuar punën e anëtarëve të dorëhequrve sepse me punën dhe angazhimin e tyre ne në Kuvend arritëm numrin 32, por angazhimi ynë do të vazhdojë deri në realizimin e një shteti ligjor për të cilin e  kemi synuar të gjithë”, ka shtuar ai.

Lëvizja Vetëvendosje për herë të parë kishte arritur të dalë partia e parë në Kosovë. Por, kishte dështuar të merrte pushtetin pasi koalicioni i PDK’së, AAK e NISMA’s doli i pari.

Para tre muajsh, në VV dolën përplasjet e brendshme, pas një publikimit të një komunikimi në “Viber”, ku Aida Dërguti i referohej Kurtit si “mut”.

Pastaj, filluan linçimet ndaj Dërgutit dhe atyre që i dolën në përkrahje asaj.

Pas largimit të Shpend Ahmetit, të shtunën, dha dorëheqje edhe Besa Baftiu, e cila ishte në strukturat më të larta në VV.