Trajtimi jo i mirë i fëmijëve në institucionet parashkollore

Aktuale March 09, 2018 - 14:43
Insitucioni parashkollor

Një nënë nga Ferizaj e cila e dërgon fëmijën e saj në institucionin publik parashkollor “Ardhmëria jonë”, në këtë qytet, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me trajtimin që i është bërë fëmijës së saj nga edukatoret e këtij institucioni, shkruan “Zëri.info”.

Zonja në fjalë e cila ka dashur të mbetet anonim, tregon se sot ka marrë këtë fotografi e cila është realizuar gjatë festave të Vitit të Ri, e që siç thotë ajo, fëmija i saj është frikësuar nga maskotat të personifikuar në babadimër.

Mirëpo, ajo thotë se tortura psikologjike e fëmijës së saj dhe gjendja e tij emocionale nuk i ka lënë përshtypje këtyre edukatoreve të cilat kanë vazhduar duke e realizuar fotografinë për festat e fundvitit.  

“Jam ndier shumë keq me gjestin e edukatoreve, kam përjetuar frikën e djalit që ka pasur në atë moment. Asnjëra prej edukatoreve nuk kanë qenë në gjendje që t’a qetësojë fëmijën nga mysafiri në dhomë (maskota)”, tregon nëna e vogëlushit dy vjeçar.

Ajo tregon se si djali i saj nga frika e madhe është detyruar të fshihet prapa shtratit, shkruan tutje "Zëri.info". 

“Djali im, nga mospërfillja e tyre është detyruar të hyj prapa krevatit dhe nuk e di se si ka arritur të futet deri aty”, rrëfen shqetësimin e saj ajo.

Ajo shprehet e shqetësuar me gjendjen emocionale dhe psikologjike të fëmijës së saj. /Zëri/ 

Image