Tri parti ia hapin dyert Shpend Ahmetit

Aktuale March 08, 2018 - 20:13
Ja cilat janë këto parti

Një ditë më parë, ish-nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ndërpreu rrugëtimin e tij politik prej shtatë vjetësh me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ahmeti në letrën e dërguar ka dhënë dorëheqje nga nga kjo parti, për shkak se sipas tij tashmë nuk ekzistojnë arsyet që e kanë shtyrë atë të futet brenda saj.

“Javëve të fundit kam kuptuar shumë gjëra për organizatën të cilat nuk i kam ditur më parë. Këto gjëra nuk janë diskutuar me mua. Mirëpo kjo nuk është arsyeja e vendimit tim. Motivi i vendimit tim sot është se arsyeja për të cilen unë kam hyrë në LVV nuk është më. Mospajtimet kanë dëmtuar frymën, besimin dhe rrjedhimisht edhe kauzën. Nuk besoj më se organizata në gjendjen që është sot është rruga më e shpejtë për ndryshim, së paku jo në përputhje me qëndrimet dhe besimet e mia.  Nuk do të mundohem të tregoj se unë e kam mire, e të tjerët e kanë keq”, kishte shkruar Ahmeti.

E partitë që deri dje Ahmeti i kishte pasur kundërshtare i kanë hapur dyert e tyre për ta pranuar atë brenda tyre.

Madje, një gjë të tillë është e gatshme ta bëjë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, zyrtarët e së cilës, Ahmeti që nga viti 2013, kishte pasur replika të ashpëra rreth Komunës së Prishtinës.

Driton Selmanaj, deputet nga kjo parti, bashkimin e Shpend Ahmetit me LDK-në e quajti si të natyrshëm, përshkak se si në kohën para se Ahmeti të futet në Vetëvendosje, ka qenë shumë i afërm me partinë që tash udhëheqet nga Isa Mustafa. 

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e hapur për të gjithë personat që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj partie. Normalisht, që vija të kuqe kemi ndaj atyre njerzve që kanë probleme me ligjin, e që Shpend Ahmeti nuk është njëri nga ata persona. Ka pasur raste kur kundërshtarë të tjerë të LDK-së, janë anëtarsuar në këtë parti, e kemi rastin e Alma Lamës. Prandaj, duhet mos të harrojmë se një numër i madh i ish-anëtarëve të FER-it kanë qenë të lidhur me LDK-në, por në fund kanë vendosur të bashkohen me VV. Është shumë logjike dhe racionale që ai të bashkohet në LDK”, ka thënë Selmanaj.

Të njëjtën gjë janë të gatshëm ta bëjnë edhe zyrtarë të Nismas Socialdemokrate.

Bilall Sherifi nga kjo parti, tha për Insajderi, se do të ishte nder për këtë parti, që brenda saj ta kishte një figurë si Shpend Ahmeti.

“Nuk po dua të përfitojë prej fatkeqësisë politike të asnjë partie politike, por unë po flas në emrin tim personal, që çdokush që është i gatshëm që t’i përqafojë vlerat social-demokrate të Nismas, e ka derën e hapur. Prapë, po e ripërsëris që sa i përket mendimit tim personal, Shpend Ahmeti është njëri nga ata njerëz, për arsye se edhe bindjet e tij politike janë social-demokratike, dhe ne do të ishim të nderuar që ai të ishte pjesë e jona”, ka thënë Sherifi.

Ndryshe nga këta u shpreh Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.

Ajo tregoi se disa të dorëhequr nga Vetëvendosje, i kanë thënë se shumë shpejt do ta formojnë partinë e tyre të re, pjesë e së cilës do të jetë edhe Ahmeti.

Mirëpo, ajo u shpreh se nëse kryetari i Prishtinës, nuk është i gatshëm që t’i bashkohet kësaj partie që pritet të themelohet, Alternativa është e gatshme që t’i hapë dyert për pranimin e Ahmetit.

“Absolutisht, Shpendi e ka pas kuptimin e vetë me Vetëvendosjen, të cilët dhanë dorëheqje nga kjo parti. Bisedime me të nuk kemi pas. Natyrisht se ne jemi kolegë më bashkpunëtorë të tij të tjerë, që i kanë prirë këtij rrugëqtimi të Shpendit në politikë. Dhe sipas deklarimeve të tyre ata janë në proces të formimit të një partie të re. Mirëpo, Alternativa është e hapur me të gjithë ata që dojnë dhe kanë plan për zhvillimin e Kosovës. Por në cilindo moment që Shpendi është i gatshëm me i trajtu përcaktimin e tij politik, Alternativa është e gatshme me e bisedu. Por, prapë po them se të gjitha këto lëvizjet brenda Vetëvendosjes nuk janë të rastësishme”, ka thënë Kusari-Lila.

Shpend Ahmeti, tashmë udhëheq në mandatin e dytë me kryeqytetin, mandat të cilin e kishte fituar si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje.